E Shtunë, 31 Tetor 2026

Obama thirrje bankave të ndihmojnë ekonominë



Presidenti i Shteteve të Bashkuara Barack Obama u ka bërë thirrje bankave amerikane që të japin më shumë kredi për të ndihmuar rritjen ekonomike në vend. Në një takim me drejtorët ekzekutivë të bankave, Obama tha se bankat janë të "obliguara" të japin më shumë pasi u ndihmuan nga taksapaguesit amerikanë. Presidenti thotë se mesazhi i tij për sektorin financiar është i thjeshtë. "Bankat amerikane morën një ndihmë të jashtëzakonshme nga taksapaguesit amerikanë për të rindërtuar industrinë e tyre. Dhe tani që e kanë marrë veten ne presim një angazhim të jashtëzakonshëm që të ndihmojnë të rindërtojmë ekonominë tonë", u shpreh ai. Obama tha se hapi i parë është shtimi i kredive për bizneset e vogla dhe të mesme, motorët kryesorë për krijimin e vendeve të punës në Amerikë. Obama thotë se e di që bankat nuk duan të japin kredi që rrezikohen, të cilat i çuan bankat drejt falimintimi më herët. Por ai thotë se ka mënyra për të minimizuar rreziqet dhe ndihmuar sipërmarrësit. Shefi i Shtëpisë së Bardhë, gjatë një takimi të shkurtër me shtypin, ku bëri thirrje për bankat që të mbështesin përpjekjet për reformimin e industrisë së sherbimeve financiare, tha se pjesëmarrësit e takimit i kishin shprehur mbështetjen për reformën. Por ai theksoi se bankat kanë ndërmjetësit që po mundohen të rrëzojnë legjislaturat e nevojshme. Gjithashtu gjatë një interviste televizive të transmetuar një natë para takimit, presidenti e bëri të qartë se durimit të tij me Wall Street po i vjen fundi. Obama tha për kanalin CBS se ai nuk u zgjodh në Shtepinë e Bardhë që të nxjerrë nga balta disa bankierë të pasur. Ai tha se Wall Street nuk e kupton irritimin dhe zemërimin që ndiejnë shumë amerikanë kur shohin shpërblimet me shuma të mëdha për drejtuesit e lartë të bankave.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›