Obama uron Berishën: Jeni në rrugë të mbarë, ju mbështesim
Kryeministri Sali Berisha merr përgëzimet e Presidentit të SHBA-së, Barack Obama, për rimandatimin në krye të qeverisë dhe bindjen e plotë se bashkëpunimi mes SHBA-së dhe Shqipërisë do të jetë edhe më i afërt gjatë 4 viteve të ardhshme. Ambasadori i SHBA-së në Tiranë, John Withers, i dorëzoi dje z. Berisha mesazhin e urimit të Presidentit Obama për fitoren në zgjedhjet parlamentare dhe formimin e qeverisë së re. Përmes këtij mesazhi, Presidenti amerikan vlerëson marrëdhëniet e ngushta me Shqipërinë, i sigurt për konsolidimin e lidhjeve mes dy vendeve. Në mesazhin e tij drejtuar z. Berisha, Presidenti Obama shkruan: “I dashur Kryeministër, ju lutem pranoni përgëzimet e mia për rikonfirmimin e mandatit tuaj si Kryeministër i Shqipërisë. Pres me padurim të vazhdoj të punoj së bashku me ju për të promovuar lirinë dhe mirëqenien në të gjithë botën. Për mua ka qenë një nder i madh që së bashku me udhëheqësit e tjerë të vendeve të NATO-s të mirëpresim Shqipërinë dhe Kroacinë si anëtarët më të rinj të Aleancës në samitin e Strasburg-Kehlit, në fillim të këtij viti. Shtetet e Bashkuara të Amerikës vlerësojnë kontributin e Shqipërisë në shtrirjen e paqes e stabilitetit në botë. Mbetem i angazhuar të vazhdoj bashkëpunimin me ju dhe të përkrah aspiratat euroatlantike të vendit tuaj”, - thuhet në mesazh. Ndër të tjera, Obama shprehet: “Shtetet e Bashkuara të Amerikës vlerësojnë marrëdhëniet e ngushta e miqësore me Shqipërinë. Jam i bindur se bashkëpunimi ynë i vazhdueshëm do t’i konsolidojë edhe më tej lidhjet midis dy vendeve tona. I uroj qeverisë suaj dhe juve personalisht sukses të plotë në mandatin e ri qeverisës si Kryeministër!”
Clinton, Metës: Për integrimin keni mbështetjen e SHBA-së
SHBA premton mbështetje të vazhdueshme për integrimin e Shqipërisë dhe përmes kryediplomates Hillary Clinton siguron se partneriteti i ngushtë mes dy vendeve do të thellohet. Ambasadori i SHBA-së në Tiranë, z. John Withers, teksa dhe e siguroi atë për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit midis SHBA-së dhe Shqipërisë, i dorëzoi dje z. Meta mesazhin e urimit të Sekretares së Shtetit, znj. Hillary Clinton. Përmes mesazhit, ajo shpreh mbështetjen e vazhdueshme që SHBA do t’i japë Shqipërisë gjatë procesit të integrimit euroatlantik si dhe thekson angazhimin për thellimin e partneritetit të ngushtë mes SHBA-së dhe Shqipërisë. Hillary Clinton i shkruan Metës: “Pres me kënaqësi të punoj së bashku me Ju për nxitjen e lirisë dhe begatisë në rajonin tuaj dhe në gjithë botën. Ky ka qenë një vit i rëndësishëm për partneritetin tonë. Ishte nder për Shtetet e Bashkuara që bashkë me aleatët e saj të NATO-s mirëpriti Shqipërinë në Aleancë gjatë këtij viti, një reflektim ky ndaj kontributeve pozitive të Shqipërisë për paqen dhe stabilitetin rajonal dhe global. Ne ju premtojmë mbështetjen tonë të vazhdueshme për integrimin euroatlantik të Shqipërisë”. Kryediplomatja amerikane shton më tej: “Ju uroj sukses të plotë në detyrën tuaj të re dhe pres me kënaqësi të punoj së bashku me Ju, në mbështetje të objektivave të përbashkëta të të dy vendeve tona për një Evropë Juglindore të qëndrueshme dhe paqësore dhe për të çuar më tej sigurinë dhe vlerat demokratike në Shqipëri dhe në mbarë botën. Kam besim se duke realizuar këto objektiva, partneriteti i ngushtë ndërmjet vendeve tona vetëm se do të thellohet”. Nga ana e tij, ministri i Jashtëm Ilir Meta e falënderoi ambasadorin Withers për mbështetjen e fuqishme të SHBA-së dhe shprehu gatishmërinë e qeverisë shqiptare për intensifikimin e marrëdhënieve strategjike mes dy vendeve. Ambasadori Withers vlerësoi gjithashtu edhe rolin konstruktiv që Shqipëria ka luajtur dhe vazhdon të luajë në rajon, tashmë edhe si vend anëtar i NATO-s, si dhe politikën e fqinjësisë së mirë dhe të bashkëpunimit rajonal.