E Diel, 1 Nëntor 2026

Legalizimet, qeveria rikthen lekët për ata që kanë letra me vlerë



Komisioni i Ligjeve nisi dje shqyrtimin e projektligjit për përdorimin e letrave me vlerë në procesin e legalizimeve. Në këtë seancë, përfaqësuesi i Ministrisë së Financave, Ergys Qiriçi, deklaroi se projektligji do të ketë masa prapavepruese. Sipas tij, ata qytetarë që kanë paguar taksat për legalizimin e shtëpive, por që disponojnë letra me vlerë, do t’u kthehen paratë në këmbim të letrave me vlerë. Aktualisht, rreth 70 për qind e qytetarëve në këtë proces kanë paguar paratë, çka do të thotë se ata që kanë bono privatizimi, mund t’i këmbejnë ato. Një tjetër ndryshim i kërkuar në projektligj është edhe përdorimi i letrave me vlerë deri në masën e 50 për qind të ndërtimit pa leje. Lejimi i pagesës me bono privatizimi, si një mënyrë alternative e pagesës është futur edhe për pagesën e gjysmës së vlerës për sipërfaqe të mëdha. Konkretisht, për parcelat ndërtimore jashtë vijave të verdha me sipërfaqe mbi 500 m² çmimi i shitjes është sipas vlerës së tregut në çastin e kalimit të pronësisë dhe deri në 50 për qind të vlerës pagesa mund të kryhet me bono privatizimi. Kjo mënyrë përcaktohet në këto ndryshime të përdoret edhe për gjysmën e vlerës së shitjes së parcelave ndërtimore të vendbanimeve/ndërtimeve informale brenda vijave të verdha me sipërfaqe mbi 300 m², si dhe për sipërfaqet e trojeve të zëna me shtesa anësore pa leje në ndërtime me leje, brenda vijave të verdha, për sipërfaqe mbi 100 m². Për parcelat ndërtimore në “territore të tjera” zbatohen të njëjtat tarifa dhe mënyra pagese sipas nenit 19 të këtij ligji, por shteti nuk angazhohet të investojë për infrastrukturën në këto territore. Me qëllim përdorimin e pagesës me bono privatizimi, në dispozitën që lidhet me dokumentacionin ligjor për legalizimin e ndërtimeve informate është parashikuar që subjekti mund të paraqesë kërkesë për mënyrën e pagesës së parcelës ndërtimore të ndërtimit pa leje. Qytetarët do të duhet të paguajnë banesat me letra me vlerë jo më vonë se tre muaj pas hyrjes në fuqi të ligjit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›