E Shtunë, 31 Tetor 2026

Liberalizimi i vizave, Basha: Jemi në hapin e fundit



Ministri i Brendshëm Lulzim Basha informoi mbrëmë Kuvendin e Shqipërisë për ecurinë që po ndjek qeveria shqiptare në procesin e liberalizimit e vizave drejt zonës “Shengen”. Z. Basha bëri të ditur para deputetëve se procesi ndodhet në hapat e fundit dhe u shpreh i bindur në përgjigjen pozitive nga BE-ja për liberalizimin e vizave me qytetarët shqiptarë. “Dëshiroj të shpreh kënaqësi që partnerët tanë ndërkombëtare vlerësojnë hapat që Shqipëria ka hedhur në këtë drejtim dhe shpreh bindjen se me përfundimin e misionit vëzhgues të Komisionit Evropian, shqiptarët do të marrin atë që meritojnë, atë për të cilën qeveria shqiptare po kryen hapin e fundit për plotësimin e kritereve, heqjen e plotë të vizave”, - deklaroi Basha. Ministri i Brendshëm renditi reformat e ndërmarra në kushtet e kërkuara për liberalizimin e vizave. Ai informoi se së shpejti do të fillojë nga puna qendra operacionale në sistemin e integruar, e cila do të bëjë të mundur një informacion më të shpejtë për autoritetet e sigurisë shqiptare. “Për sa i përket regjimit kufitar, agjencitë e qeverisë shqiptare, duke filluar që nga doganat, tek shërbimi sanitar, Policia e Shtetit etj. janë sot pjesë e një strukture institucionale me një bashkëveprim shembullor, rezultati i të cilit janë goditjet dhe evidentimi i përditshëm nëpërmjet sistemeve të integruara i personave në kërkim dhe vënia e tyre para drejtësisë”, - informoi Basha. Ai cilësoi si të rëndësishëm vendimin e fundit të qeverisë për krijimin e Qendrës Ndërinstitucionale të Rojës Bregdetare, e cila do të bëjë të mundur një bashkëpunim me rojet bregdetare homologe në rritjen e informacionit për sa i përket kufirit ujor. Ministri i Brendshëm foli më tej edhe për qëndrimin e opozitës shqiptare. Basha u bëri thirrje deputetëve socialistë që të ndërpresin propagandën kundër heqjes së vizave. Ai i ftoi ata të marrin pjesë në Kuvend. “I ftoj kolegët opozitarë që të marrin informacionin e duhur për të ndalur propagandën e tyre kundër heqjes së vizave dhe kushteve për pjesëmarrjen në jetën parlamentare shqiptare”, - deklaroi ministri Basha.

Kuvendi vijoi më tej me shqyrtimin e projektligjeve. Deputetët e mazhorancës shqyrtuar disa projektligje si ngitja e autoritetit rrugor, ulja e moshës së pensionit me 5 vite për punonjësit e nëntokës etj. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, kërkoi nga deputetët që të vijojnë intensivisht punën me shqyrtimin e projektligjeve gjatë mbledhjeve në komisionet e përhershme në tri ditët e para të javës, për t'i përcjellë për miratim në seancën plenare parlamentare të së enjtes. Projektligjet nuk u votuan për shkak të mungesës së kuorumit në seancë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›