Obama:Kriza duhet zgjidhur me shpejtësi

Presidenti i Amerikës Barak Obama ka falenderuar liderët e kongresit për reagimin e tyrë të shpejtë me anë të paketës ekonomike që synon ringjalljen e ekonomisë. "Ne po përjetojmë një krizë ekonomike të paprecedent që duhet zgjidhur me shpejtësi", tha Obama në një takim me Kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve Nensi Pelozi, liderin e maxhorancës në Senat Herri Reid, si dhe kongresmenë republikanë. "Ne po monitorojmë atë që po ndodh dhe për të qënë të sinqertë, lajmet nuk janë të mira", deklaroi Obama duke iu referuar statistikave të fundit për ekonominë, përfshirë këtu normën e papunësisë. Presidenti amerikan ka përsëritur nevojën për ndërmarrjen e reformave të mëdha për shpëtimin e ekonomisë. Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit amerikan shpreson që javën e ardhshme të votojë paketën 825 miliardë dollarëshe të propozuar nga Obama për të ndihmuar ekonominë e vendit. Republikanët e kritikojnë këtë paketë duke thënë se 550 miliardë dollarë që shkojnë për shpenzimet qeveritare dhe 275 miliardë që humbasin nga ulja e taksave, do të ndikojnë në zgjatjen e recensionit. Demokratët, të cilët kontrollojnë dy dhomat e kongresit amerikan, Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senatin dhe Presidenti Obama kërkojnë që paketa e re e ndihmës të miratohet nga mesi i muajit shkurt, pavarësisht kritikave të republikanëve. Komisione të Senatit amerikan pritet që të fillojnë javën tjetër, punën mbi paketën e re të shpëtimit.