E Shtunë, 31 Tetor 2026

Obama,ul pagat për kompanitë që marrin ndihmë nga qeveria

Presidenti i SHBA-së Barak Obama bëri të ditur në një konferencë për shtyp me Sekretarin e Thesarit Timoti Geitner se drejtuesit e bankave apo kompanive të tjera që do të marrin ndihmë nga qeveria nuk do të mund të paguhen më shumë se 500 mijë dollarë në vit. Propozimi në fjalë ka ardhur nga senatorja Kleir Mekkeskill, por tani presidenti amerikan ka bërë të tijën. Obama, që i kishte cilësuar si të turpshme superpagat e drejtuesve të lartë të kompanive të Uoll Stritit, ka vendosur një cmim dysheme prej 500 mijë dollarësh për punonjësit e kompanive që përfitojnë nga plani anti krizë i qeverisë që pritet të votohet në Senat. Kështu, Obama po zbaton reformën e transparencës së plotë mbi privilegjet dhe lukset e liderëve të shoqërive që marrin ndihma federale. "Kontribuesit dhe aksionerët duhet të gjykojnë nëse janë të justifikuar. Në kuadrin e reformave do t'iu jepet fund pagesave super të larta të deritanishme", ka deklaruar Barak Obama. Ai ka shtuar se reformat e lajmëruara janë fillimi i një sforcimi afatgjatë që do ta cojë Uoll Stritin drejt një kulture përgjegjshmërie. "Ne do të studiojmë se si pagat e menaxherëve kanë kontribuar në një traditë të pakujdesshme dhe në një mentalitet që ka cuar në kaosin e sistemit tonë financiar. Ne do të studiojmë reformat më të efektshme në mënyrë që të arrijmë një rritje ekonomike në vite të tëra dhe jo në ditë apo javë", ka nënvizuar Obama. Vendimi i administratës Obama erdhi pas informacioneve se drejtuesit e Uoll Stritit kishin marrë pagesa prej miliarda dollarësh nga fondet e shpëtimit të dhëna nga qeveria amerikane për të kapërcyer krizën.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›