Presidenti dekreton Admir Thanzën në postin e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka dekretuar dje Admir Thanzën në postin e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese. Dekreti i Presidentit do të shqyrtohet nga Kuvendi dhe më pas emri i Thanzës do të kalojë në procesin e votimit nga ligjvënësi për t’u emëruar ose jo në këtë post. Dekretimi i Thanzës bëhet pak ditë pas ndërprerjes së mandatit të anëtarit të Gjykatës Kushtetuese Gjergj Sauli, i cili mbushi moshën e daljes në pension prej 70 vjeç. Thanza aktualisht është anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe e përfundon ligjërisht mandatin pranë këtij këshilli, pikërisht në datën 20 janar, bashkë me dy anëtarë të tjerë. Në bazë të Nenit 127 të Kushtetutës, mandati i gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese mbaron ndër të tjera edhe kur anëtari mbush moshën 70 vjeç. Në rastet kur vendi i gjyqtarit mbetet vakant, Kushtetuta parashikon që Presidenti i Republikës emëron me pëlqimin e Kuvendit një gjyqtar të ri, i cili qëndron në detyrë deri në përfundimin e mandatit të gjyqtarit të larguar. Gjykata Kushtetuese mori vendimin formal të largimit të ish-kryetarit Sauli një ditë më parë, ku zyrtarizoi edhe mbarimin e mandatit të anëtarit për shkak të daljes së tij në pension. Admir Thanza aktualisht mban edhe detyrën e anëtarit të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë.
Presidenti Topi nis sot vizitën zyrtare në Kosovë
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka nisur sot vizitën zyrtare në shtetin e ri të Kosovës, me ftesë të Presidentit të Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu. I shoqëruar nga Zonja e Parë, Kryetari i Shtetit do të jetë në krye të një delegacioni zyrtar në përbërje të të cilit janë nënkryetarët e Kuvendit të Shqipërisë, deputetë të Komisionit të Jashtëm, të Komisionit të Sigurisë, të Komisionit të Ekonomisë dhe përfaqësues të biznesit.
Presidenti Topi dhe delegacioni që e shoqëron do të takojë e zhvillojë bisedime zyrtare me Presidentin e Kosovës Fatmir Sejdiu, Kryeministrin Hashim Thaçi, Kryesinë e Kuvendit të Kosovës dhe do t’i adresohet me një mesazh përshëndetës deputetëve të këtij Kuvendi. Në ditën e parë të vizitës zyrtare, Presidenti Topi do të takohet me komandantin e KFOR-it, gjeneral Emilio Gay, si dhe me drejtues të partive politike e minoriteteve në Kosovë.
Gjatë vizitës zyrtare në Kosovë, Presidenti Topi do të vizitojë Bashkinë e Prishtinës dhe Kuvendin Komunal në Ferizaj, Akademinë e Shkencave e Arteve të Kosovës dhe Muzeun e Kosovës. I shoqëruar nga Presidenti Sejdiu, Presidenti Topi do të zhvillojë një takim pune me përfaqësues të biznesit të Shqipërisë dhe atij të Kosovës. Kjo është vizita e parë zyrtare e Presidentit të Republikës, Bamir Topi, në shtetin e ri të Kosovës. Kreu i shtetit shqiptar ka kryer vizitën e fundit në Kosovë më 25 janar 2008, pak ditë para shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
8 Janar 2009