E Shtunë, 31 Tetor 2026

Obeziteti: Kombinimi vrastar i kripës, yndyrës dhe sheqerit

Ushqimet tona më të preferuara na shëndoshin, e megjithatë, ne nuk mund t’u rezistojmë, sepse duke i ngrënë tashmë na ka ndryshuar veç trupit, edhe mendja

Ka njerëz që janë të shëndoshë, pastaj bien në peshë për ta rifituar atë sërish, ndoshta krejt papritur edhe atëherë kur nuk e presin. Dhe kështu me ta ndodh një ulje e ngritje e vazhdueshme e kileve të trupit, që shpesh shndërrohet në një mundim të madh dhe burim frustracionesh e depresionesh. Sigurisht që shkaku i parë dhe më i rëndësishmi në këtë situatë që përsëritet është: ushqimi.

Një pjesë e mjekëve dhe shkencëtarëve janë të mendimit se të jesh i shëndoshë është destin, siç është për shembull të jesh i zgjuar, apo budalla, pra një fakt i pandryshueshëm ndaj të cilit nuk mund të veprosh. Megjithatë, një teori e tillë nuk e shpjegon, për shembull, faktin se përse në Shtetet e Bashkuara të Amerikës obeziteti është shumë më i përhapur se në vende të tjera të botës, kryesisht Europë? Mos vallë kemi të bëjmë me një destin kolektiv? Për mijëra vjet, pesha e trupit të njeriut ka qenë pak a shumë një faktor i stabilizuar. Miliona kalori kanë kaluar përmes trupave tanë, e megjithatë, në më të shumën e rasteve, ato janë tretur dhe trupat nuk kanë pësuar kurrë deformime në masë. Duket sikur sistemi biologjik ka qenë perfekt për shumë kohë. Kjo zgjati deri në vitet ‘80 të shekullit të kaluar, kur diçka duket se ndryshoi. Tre dhjetëvjeçarë më parë kanë qenë shumë të paktë personat që mund të konsideroheshin obezë dhe në fakt bëhet fjalë për persona që e kishin trupin të fryrë, për shkak të sëmundjeve. Fillimisht ndryshimi u shfaq në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nisën që të shfaqen njerëzit me bark e të ndenjura të mëdha, që pak nga pak u shndërruan në një “ushtri të vërtetë” obezësh, numri i të cilëve sa vinte e shtohej nga viti në vit. Të gjithë po bëheshin të rëndë dhe të rrumbullakosur dhe kishte edhe nga ata që morën përmasa me të vërtetë të frikshme. Po cili ishte faktori që kishte sjellë një ndryshim të tillë te miliona njerëz? Ushqimi tashmë kishte marrë formën e sanduiçeve dhe porcionet ishin shtuar. Kishte filluar hapja në masë e restoranteve “zinxhir” që servirnin vetëm një lloj të caktuar ushqimi, me shumë yndyrë dhe kalori, që konsumohej shpejt, madje në këmbë. Me kalimin e moshës, zakoni i të drekuarit në shtëpi po zhdukej. Megjithatë të ngrënët e shumtë nuk është shkaku i vetëm i shtimit të konsiderueshëm në peshë. Ka njerëz që hanë jashtëzakonisht shumë, duke vazhduar që të mbajnë peshë të kënaqshme. Pas shumë studimesh, një pjesë e madhe e mjekëve dolën në përfundimin se sasia e madhe e sheqerit, yndyrat dhe kripa të bëjnë që të hash gjithnjë e më tepër. Kjo është një përzierje “vrastare” që ka shkaktuar shumë viktima dhe pikërisht këtë përzierje e kanë përdorur edhe dyqanet e ushqimit të shpejtë. Një përzierje e tillë të krijon varësi dhe ti, me ta provuar një herë, kërkon që të shijon sërish ushqime të tilla. Cila është arsyeja? Ato stimulojnë neuronet, qeliza që ndikojnë në tru dhe bëjnë që të prodhohet me shumicë dopaminë, një kimikat që motivon sjelljen tonë dhe na bën që të hamë gjithnjë e më shumë. Kur konsumojnë ushqime të tilla, shumë prej nesh ndjejnë kënaqësi të madhe dhe përmbushje në shije. Kjo për shkak të arritjes së një kombinimi optimal të tre përbërësve të sipërpërmendur, që e bëjnë një produkt të parezistueshëm dhe ndjellës. Gjatë dy dhjetëvjeçarëve të fundit kemi qenë të gjithë të ekspozuar me shumicë ndaj ushqimeve të tilla, që i kanë pasur në përmbajtjen e tyre edhe kripën, edhe yndyrën, edhe sheqerin. Bëhet fjalë për ushqime që jo vetëm kanë një shije të mirë, por që kanë edhe një aftësi të veçantë për të stimuluar oreksin. Në qendër të së gjithë kësaj situate janë restorantet që kanë servirur pafund pjata dhe ushqimet që i kanë pasur në ekuilibra perfektë tre komponentët. Një nga shembujt më klasikë të këtyre lloj ushqimeve janë patatet e skuqura, të shoqëruara me djathë dhe salca të ndryshme. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë vendi ku lulëzuan pa fund kompani dhe firma ushqimesh të shpejta me shije të mirë, që u konsumuan për vite të tëra nga pjesa më e madhe e popullatës, kryesisht nga shtresa e varfër dhe ajo e mesme. Sepse të pasurit, nëse do të jemi të vëmendshëm, pra ata që nuk hanin në “fast-food” të tilla, nuk pësuan kurrë deformime obezësh.
Ka ende shumë për të mësuar në lidhje me marrëdhënien mes nesh dhe një ushqimi që na sjell kënaqësi dhe na motivon, por ajo që dihet është se ushqimet e pasura me sheqer, yndyra dhe kripëra, po ndryshojnë funksionimin biologjik të trurit tonë. Aktualisht ekzistojnë teknika shkencore që demonstrojnë se si këto ushqime ndryshojnë lidhjen mes cirkuiteve neorale dhe modelit të tyre veprues. Ajo që nuk dihet është se sa të ndërgjegjshëm kanë qenë prodhuesit e këtyre ushqimeve për pasojat që sjellin ushqimet e tyre te ndryshimi i sjelljes njerëzore. Në këtë rast kemi të bëjmë me një “të ngrënë të tepruar”, që është shndërruar në një patologji të vërtetë, duke qenë se jemi përballë një fenomeni të pakontrollueshëm.

Sigurisht që ne nuk jemi kurrë të detyruar që të hamë një ushqim të caktuar, por që ta bëjmë këtë duhet dhe një forcë e vërtetë vullneti dhe jo të gjithë e kanë të lehtë që t’i thonë “jo” një gjëje që është e vështirë për t’u përballuar, edhe pse e dinë se është e rrezikshme. Megjithatë, si individ, njeriu duhet që të praktikojë të ngrënën e shëndetshme, ndërsa si shoqëri duhet bërë një përpjekje kolektive, për të ndaluar ato forca që na çojnë drejt teprimit me ushqimin dhe të gjejmë mënyrën e pakësimit të ndikimit dhe pushtetit të tyre. Një gjë e tillë ka ndodhur me industrinë e duhanit dhe tani pas një lufte të gjatë dhe të vështirë, mund të thuhet se qëndrimi i njerëzve ndaj duhanit ka ndryshuar në një masë të madhe. Një mënyrë e tillë duhet që të praktikohet edhe me ushqimin. Kështu për restorantet duhet të bëhet e detyrueshme që të vendosin kaloritë në menytë e tyre, ushqimi duhet të monitorohet dhe duhen bërë një sërë studimesh në lidhje me dëmet që shkaktojnë në organizëm ushqime të caktuara.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›