ANATOMIA E TIRANISË NË TELAJON E ALUSH SHIMËS
Ka në të një simfonizëm ku temat, figurat, detajet, ndjenjat, raportet me veten dhe botën krijohen, jepen dhe merren jashtë dhe brenda atelies krijuese në emër të lirisë! Gjithçka ka filluar në një rrugëtim ku ‘këpucët e fatit’ dhe të fateve njerëzore ndalen. Njeriu që i përgatiste ato futet forcërisht në rreshtat ideologjik dhe kuadratet klasore saj një shtrëngimi që përfundoi si sfida e punës së krahut. Ky ishte i ati i një djaloshi që kishte qysh nga fëmijëria si tingull ekzistencial pikturën! Një artist i penelit mbetet për disa dekada në burgimet e “lirisë së munguar”, në burgjet ku duhet të harroje kush je, nga vjenë, nga i ke rrënjët dhe se ku do të duhet të baresësh sipas këngës së brendëshme! Ishte koha e vështirë e “idoleve dhe dogmatizmit”,si një “mesjetë e tretë” për ne shqiptarët. Ajo kaloi përmes ndërgjegjeve tona dhunshëm, por pak, madje fare fare pak prej nesh e ‘përthyen’ atë në një krijim refuzues dhe ju larguan duke e sigmatizuar si një periudhë të tillë ku liria mungonte, ku jeta ishte e rrezikuar dhe ku nulifikimi i individit bënte që kuadratimi klasor njerëzor të sillte humbjen e energjisë dhe talenteve.Thjesht u penguam sërish prej konvertimit ideologjik komunist! Një fetish na mbështolli në paliri! Ecnim pa e ditur se ku dhe deri kur! Dhe në Tiranë ndodhi tragjedia e një profesionisti që përgatiste këpucët dhe që dukej se me ato ju maste njerëzve qëndrimin, ju kuptonte dinjitetin, ju parashijonte fatin dhe monopatin e tyre të jetës! E kishte bashkuar mjeshtri këtë etyd jete, që të kujton “këpucët e Hajdegerit”, me valët e “Radio Londrës” dhe të “Zërit të Amerikës” që i ndiqte çdo mbrëmje, nga ku dukej se emetoheshin hapësira shprese për një universë të lirë. I biri aso kohe ishte 17 vjeç, ai përjetoi këtë shbërje në dinjitet por edhe këtë sfidë fati kur i ati nuk pranoi “kooperimin socialist” dhe e ndëroi atë me punën e rëndë të krahut. Kështu ai kishte gjetur prehje me veten, me dinjitetin dhe me gruan e jetës me rrënjë gjeneze nga Turqia. Sepse më vjen në mëndje se Rembrandi ishte biri i një mullisi dhe e gjithë kjo ndjesi shpirtërohet me një korale të “Requiemit të Moxartit” që mban mbi shpirtërat tanë këmbanat e vdekjes si një funebritet që tregon se sa afër janë ato. Jeta dhe vdekja! Realizimi dhe shbërja!
* * *
Atij, nxënësit të shkollës fillore “KOSOVA”, ju kërkua në moshën 10 vjeçare të pikturonte jo thjesht një objekt, jo një fragment natyror apo një pozim njerëzorë!I duhej njomishtes të sillte në një vizatim si në një ëndërrim, një udhëtim me tren nga Tirana në Durrës. Ishte mesi i viteve 50-të të shekullit të kaluar dhe tek ai fëmijë kishte një dritë së brendëshmi.Ajo ishte e thellë, e pashtershme, ishte një prua jetësor që do të gurgullonte në një tingëllim të veçantë! Personi që e kuptoi i pari talentin, nuk ishte piktorë, nuk ishte as mësuesja e vizatimit, nuk ishte artistë. Ajo ishte mësuese matematike.”Ky djalë i heshtur dhe mendim-thellë do duhet të studiojë për pikturë”-këto ishin fjalët e mësueses së tij të arithmetikës. Llogaritja abstrakte kishte parandjerë që ajo botë shpirtërore mendonte e ndjente thellë, e krijonte dhe e rikrijonte botën e njeriun në një pafundësi kënd-vështrimesh duke sjellur një pluralitet përjetimesh.Ishte anticipuar rrugëtimi i një piktori të ardhshëm jo të zakonshëm në marrëdhënie me konfigurimin, me dritën, me lëvizjen me ngjyrën dhe të gjitha këto sëbashku do të vinin me një ndërthurje teknikash që e gjejnë ekuilibrin tek të pikturuarit me thelb racional dhe tek realizimi me një fantazi të pandalshme në lirinë e hedhjes së ngjyrës dhe gjetjes së kombinimeve të saj si ecje në një botë që nuk mund të rreshtet së eksploruari. Po vinte me një ‘hartë rruge’ krejt unikale mjeshtri Alush Shima.Një djalosh si produkt familjar i “Kurveleshit epik dhe ekzotik” ku më shpejtë dhe më i sigurtë je në bisedën me qiellin se me toksoren. Piktura e Alush Shimës do të krijohej dhe do të derdhej si një simfonizëm, ku temat, detajet, motivet, individët dhe çdo grimë jetëvdekje, do të rimerrej për të zbuluar edhe mikrokozmosin më të largët të ekzistencës, botës dhe jetës në një sistem totalitar si ai komunist. Tek kishte trokitur në portën e “mjeshtrit” Kaceli kur ende kishte qenë me pantallona të shkurtëra, brenda vetes, jo thjesht kishte thënë, por së brendëshmi kishte buçitur mes ‘maleve të krijimtarisë dhe honeve të thella të vetvetes’, kredua e tij e jetës:-”Do të bëhem piktor, madje një piktor i madh”.Dhe i fanitej ajo dritë e parë lajmëruese e fëmijërisë. Historia e gruas së mbretit, ashtu e braktisur por shumë e bukur dhe e ngrirë në buzëgreminën e fatit, tek dukej se ishte duke buzëqeshur apo buzëqarë njëherësh, atje në fotografinë e madhe varur në murrin e shtëpisë. Ajo grua duhej shpëtuar! “Dashuria me të” kishte qenë tingulli “i parë paramaterial” që e kishte lajmëruar se Alush Shima do ta njihte botën përmes të pikturuarit dhe bota do ta njihte dhe pranonte atë përmes pikturave të tij. E kundronte me sytë e tij që nga mosha ishin fëminor por që nga ‘magjia’ që mbanin dhe tuneli i brendshëm ku e thithnin ‘heroinën’, ata bartnin një enigmë që priste të zgjidhej. Fustani i kuq dekolte dhe gjinjtë e bëshëm e të mbuluar në një tors që aq sa ishte i zbuluar, e sillte së brendëshmi pengun e kuriozitetit si një provokim për të kuptuar të tërë historinë njerëzore, kishte trazuar një univers fëmijëror. E gjithë kjo gjendje ishte takimi me tingullin ekzistencial të identitetit, që duket sikur i paratha, se udhëtimi i tij i jetës do ishte ai i penelit që do të eksploronte trupin femëror në të gjithë universalitetin e tij, magjinë femërore në të gjitha befasitë e saj, misionin etiko gjinor të saj polivalent në atë relief linjash ku mund të përfshihet e gjithë bota. Njeriu është i vërtetë kur zhvishet nga ‘kostumi i sistemit’, aq më tepër artisti.Arti i tij del nga qenia e tij dhe Shima i zgjidh sekretet e universalitetit femëror. Ato e dhurojnë artin e tyre duke qenë nudo.Kjo është një zgjedhje brilante jo thjesht e kërkuar por e gjetur, jo nga jashtë por nga brenda piktorit. Premtimi fëmijëror përball pikturës së gruas së mbretit mbahet peng dhe vjen e derdhet në telajo si “violinistja nudo”,”pianistja nudo”,”akrobatja nudo”,”qëndistarja nudo”,”vajza që hekuros nudo”,”modelja nudo”; të gjitha të strehuara ngrohtësisht në folezën e piktorit.Vetëm kështu ato nuk kanë shënja sistemesh, nuk janë pengje të hierarkisë pasurore, nuk janë idhuj të dogmës ideologjike.Nudot e tij nuk të joshin por të shtien në meditim. Përball tyre nuk ke kurrfarë kurioziteti dhe joshje instiktive. Ato (dhe ata) ashtu si i ka bërë natyra duken të vërtetë, vijnë të besueshëm, të pafajshëm dhe të dlirë në misionin njerëzor. Njeriu, kryeinstitucioni i parë dhe i fundit ekzistencial, ka brenda vetes gjithçka që e frymëzon artistin!
Kjo lloj kozmogonie ‘jetë-art’, me gnosologjinë si njohje e pafundësisë së magjisë femër, me ontologjinë që përbëhet nga morfologjia feminile që ndryshe quhen hiret ndjenjandjellëse dhe me aksiologjinë si vlerësim për botën njerëzore në emër të frymëzimeve të saj; do të ndërtonin një unit pikture të Alushë Shimës që do të preferoja ta quaja me titullin: “bota e frymëzimit është femërore”! Zbulimi i saj përmes artit është vepra dhe misioni i njerëzve që ndjejnë me zemër, mendojnë thellë dhe nuk flasin shumë, madje fare pak, por i gjejnë asaj një ‘identik artistik’ falë epistemologjisë së telajos së ngjyrës, lakimeve dinamike, siluetave, syve, gjinjëve dhe gjithçkaje që sjell atë dritë ekzistenciale qysh nga agimi i jetës njerëzore me qëllimin human për ta ngjizur botën me frymëzim dhe ëndërra.
Drita inspiruese do t’i vinte sërish në vitet studentore kur ju bë se ju shfaq Ai, hyji; dhe i tha:”Vazhdo në këtë kashtë kumtri” pa ç’ka se nuk të pranojnë, ata nuk të kuptojnë”! Piktura e tij do të ngjizej pra tek kozmogonia religjioze do të udhëtonte thellë tek rrënjët mitike dhe do të ushqehej për të sfiduar skllavërimin shpirtëror në mbrojtje të njeriut me maksimë të patjetërsueshme ngjizjen civile, si një krijesë e lirisë! Vizat hidheshin vrullshëm, dhe pasonin ngjyrat, dritat, hijet, haspirat, lakonimet, mugëtirat, qiejtë, detrat e ujërave njerëzore. Gjithçka duket se është nën urdhërin e brendëshëm suprem që nga agu nistor, me ngjyrimin shpërthyes:”I lirë nga frika, i lirë për të jetuar me lirinë, i lirë për të pasur dinjitet, madje edhe i vetëm, edhe pse i izoluar nga njerëzit e dogmave dhe hipokrizisë; por me personalitet sepse krijimet në emër të lirisë dhe frymëzuar prej saj jetojnë më shumë se sistemet dhe do të vlenin nesër si një radiografim i tij, ku brezat e ardhshëm do të kishin mundësi të lexonin kalvarin e njerëzve të asaj kohe të hidhur. Nëse njerëzit do të pyesnin se si ishte dje, çfarë ndodhte në atë shoqëri, sa vlente njeriu dhe dinjiteti i tij?! Atëherë ato mijëra vizatime, skica, kompozime, dialogje në autoportrete do të ndihmonin(lexo ndihmojnë sot) më shumë se çdo lloj gërmimi arkivor dhe rekje për të gjetur mes shkresave “zyrtare” gënjeshtrën e madhe.
* * *
Epokat, civilizimet e qytetrimet hulumtohen dhe mund t’ju bësh anatominë përmes veprave të artit antikonformistë. Piktori Shima ecte rrugëve, udhëtonte nëpër Shqipëri, takonte njerëz, prekte fate, dallonte e përbuzte me neveri hipokrizinë e (i)ralitetit, dhe ashtu me hapat e shpejtë dhe të mëdhenjë ai mbante brenda vetes ide-krijimin. Bisedonte me atë që i shfaqej, herë si intuitë aristike provokuese, herë si grafikë njerëzore, herë si ngjyrë frymëzuese, por asnjëherë ajo nuk i vinte e ngurtë, e mbyllur e përfunduar. Ideja lëvzite në sfidë me botën e jashtëme, në sfidë me regjimin dhe priste natën e thellë të natyrës kur në kuzhinën e vogël duart që dridheshin nga emocioni dhe ankthi mbërthenin me një kujdes të jashtëzakonshëm çdo plasaritje që mund të nxirrte grimë drite jashtë.Krijohej kështu “kutia e zezë” e sekreteve të një udhëtimi që mund të mbyllej me tragjedi! Ishte si një dhomë e çuditshme e ndarë nga bota, brenda së cilës çdo natë hidhej vrulltazi çdo frymëzim në telajo e ku lodrohej me penel dhe bojëra mes dëshirës, pasionit, energjisë së krijimit dhe tensionit nga pesha e totalitaritetit, deformimit, frikës e llahtarit sepse miqtë e fëmijërisë dhe të pikturës ishin burgosur dhe nën tortura ata mund të flisnin.E gjithë kjo gjendje, ky pështjellim,kjo ndeshje që nuk ndalej mes lirisë dhe skllavërisë do të duhej të dokumentohej.Nga çasti në çast mund të trokitej në derë dhe mund të mbyllej e gjithë jeta dhe muza nën hekura.Duhej lënë testamenti i kohës në të gjithë tipologjinë dhe anatominë e tij! Vdekja më e keqe do të ishte mos-njohja e atij realiteti.Anatomia e tij përmes artit autentik në kohë dhe të çliruar nga dogma ishte dy herë liri, edhe si krijim jashtëdogmatik edhe si protestë anti- totalitarizëm! Ndjeshmëria e kësaj sfide të shpie atje ku njeriu ndjehet njeri, artisti është artist, shtetasi ka si sozi qytetarin.Ti dhe diktatura, liria dhe nënështrimi! Nesër do të duheshin dokumenta, do të nevoiteshin fakte, do të kërkoheshin akuza të vërteta, do të lypseshin dëshmi të gjalla, do të vlerësoheshin momentet e përjetuara; përmbledhtazi do kishin vlerë ravijëzimet e trupëzuara të një proteste reale që nuk kishte munguar. Burgosja apo vdekja e piktorit dje në atë sistem nuk përbënte as kurfarë problemi për diktaturën. Komunizmi ishte si Saturni, ai i hante bijtë e vet! Shima provoi ta pranonte një rezik të tillë ndaj nxitonte që gjithçka kishte brenda tij ta nxirrte jashtë si krijimtari, t’ua linte djemëve, t’ja linte Zanës, gruas së jetës, shoqes së sfidës, heroinës së tij të telajos, muzës së tij të frymëzimit. Ashtu si idhuli i tij Rubens që botën shpirtërore njerëzore e nxirrte nga portretet e panumurta e të ndryshme të gruas së tij Helen Fourment edhe Alush Shima e nxorri botën, e krijoi dhe rikrijoi atë nga portretet e panumurta të Zanës gruas së tij.Kjo llogjikë krijimi ka brenda dhe motivin dhe arsyen.Askush si ajo nuk mund ta ndiqte në atë udhë reziku! Askush si ajo nuk do të mund të pranonte të bashkësfidonin duke rezikuar jetën e tyre dhe të fëmijëve. Askush si ajo nuk mund t’i falte frymëzimin dhe motivimin e jetës, të trupit dhe të shpirtit.Mbetem i shtangur sot përball dy tablove, asaj të Rubens, “La toilet de Venus” viti 1613 e koleksionit të Liechtenstein-it dhe asaj të Shimës “Para pasqyrës” e vitit 1983, pra fiks pas 370 vitesh. Tek e para do duhet të ketë qenë duke pozuar Helena gruaja e mjeshtrit të stilit “barok i thellë” dhe të origjinës flamande por të shkrirë me tiparet e shkollës italiane të kohës! Ndërsa tek tjetra kemi një unikalitet shqiptar që është tragjikisht i zënë në çarkun e një mesjete të re që do duhet të përballohej vetëm me një ‘rilindje të re’. Rrethanat e sillnin aktin krijues që në një nuditet sfidues përball pasqyrës të ishte ajo që në një pikturë tjetër Shima e quan “Princesha e natës”. Një bukuri femrore e zhveshur që pozon për ndjenjat, pasionin dhe aktin shpërthyes të piktorit.Ka këtu më shumë se frymëzim pozues, ka në të një mënyrë jetese që ‘përball dimrit diktatorial’ është sfida për të jetuar dhe krijuar ndryshe. Në këtë rast lakuriqësie njerëzore sistemi dhe subjekti është thjesht dhe vetëm njeriu! Të qëmtosh vuajtjen njerëzore dhe lirinë e munguar do të thotë të zbulosh patolgjitë e totalitaritetit. E nëse kjo vjen përmes pikturës, atëherë çdo grimasë e telajos është një tipar njerëzor universal. Në gjurmët e tij do duhet të kërkosh jo një njeri por fatet njerëzore që fshihen dhe presin të zbulohen fal një përjetimi të thellë.
Arratisje nga “mesjeta e tretë”.Shima e kishte kuptuar se regjimi komunist ishte një sistem opskurantistë dogmatik dhe barbarë. Fondamentalizmi i tij vinte për njeriun shqiptar si “mesjeta e tretë”, pas asaj të “medievalitetit perëndimor” dhe të “azifikimit lindor” të perjudhës osmane. Ky ishte dhe mbetet dallimi i tij me shumë të tjerë. Piktori ishte i bindur se ai lloj sistemi nuk rregullohej. Komunizmi ishte i pandreqshëm si kur dhuronte hipokrizi ‘njerëzish të kurdisur’ edhe kur ‘kërciste dhëmbët e terrorit’! Të përcaktosh rrethanat në të cilat jeton, të njohësh mirë raportet me horizontin, të dish se ku je dhe kush je në marëdhënie me dimensionet e brendëshme dhe të jashtëme; një gjeometri e tillë multihapsinore orjenton se nga duhet të lëvizësh, ç’farë do të duhet të krijosh dhe se cilat do duhet të jenë raportet me të shkuarën dhe të ardhmen, me pafuqinë për të ndryshuar dhe me adhurimin për lirinë! Në një proces krijues Shima e konsideroi realitetin diktatorial si “mesjetë të tretë”.Ai nuk e tha kurrë këtë me fjalë, por se ateljeja që krijoi, mjetet që përdori, referimet e tij frymëzuese, na lejojnë të mbërijmë në një kep të tillë deduktiv. Si në “mesjetën e parë” ai e gjen shtegun duke ju kthyer mitologjisë, me personazhet dhe filozofinë e vet pluri-teo-mitike.Duhej ribërë njeriu nga fillimi. Jashtë vetes këtë detyrim ai nuk mund ta realizonte, ndaj ju fut kalvarit krijues brenda vetes. Do të duhej të tregonte se si ishte “mesjeta e tretë” si po sillej ajo me njeriun, me dinjitetin e tij, me humanizmin fisnikërues, me ëndrrën njerëzore, me lirinë frymëzuese, me artistin, me njeriun e thjeshtë të baltarve kooperativiste. Shtegu që mund të shpinte tek ai oaz ishte krijimtaria në pikturë e përdorur për daljen nga “mesjeta e parë” dhe filozofia e njeriut anti-imponim autoritar, si një protestantizëm civil! Në pikturën e Shimës gjen të zbërthyer historinë kozmogonike biblike. Janë Eva dhe Adami në një lakuriqësi naive dhe në një mision jashtë krenarisë mburavece. Ata duken si të ndrojtur përball trupave të tyre dhe misionit universal. është gjarpëri me fjalët e tij, një herë me Evën, në tablonë që ai e quan “Takimi” dhe një herë me Adamin në tabllonë që piktori e ka titulluar “Bashkëjetesa”.
Lindja sillet si dialogu i bashkëjetesës, ku e keqja dhe përndjekja do të mos ndalen për ta penguar. Jeta do të kishte bashkë-udhëtare intrigën dhe përball saj “thotë peneli” i Shimës ne do të jemi të dënuar me “lirinë e munguar”, skllevër të pafuqisë sonë! ”Kryqëzimi i artistit” një tjetër tablo të kujton Jezu Krishtin në kryq. Shima lëviz brenda një koherence filozofike duke shkuar tek kryqëzimi i parë, tek ai i Prometheut, cikël që vjen në një grafik të thellë me dritë plotësisht të munguar. Heroi mitik e kishte dhënë dritën pasi ja kishte vjedhur Efesit, duke ndriçuar mëndjet, madje edhe ato të femrave që, si thotë Euripidi e kishte nervozuar shumë Zeusin, birin e Kronosit (kohës). Kreu i Olimpit e pati vënë të atin në një gjumë gjithë-jetësor duke i humbur aftësinë për t’u orjentuar! Koha do të vinte e verbër për njerëzit .Sytë do të ishin të pranishëm, por se çdo të ndodhte me shikimin në atë bashkësi ku lufta për pushtet do të ishte qëllimi i parë dhe i fundit, ku betimi i përkushtimit dhe besnikërisë kundra dëshmorëve të lirisë që do të kryqëzoheshin, e gjithë kjo kllapi; do të ishte përjetësisht jashtë çdo parashikimi. Do të udhëtohej në një univers funebër ku jeta dhe vdekja do të këmbenin hapsirën dhe kohën e tyre ekzistenciale! Ja përse sytë në pikturën e Shimës janë të një natyre të veçantë, ose në një hapje ekstreme, ose në një kotje po të tillë gjithashtu.Në çdo rast sytë e njeriut të pikturës së tij, ose shohin larg, shumë larg jashtë vetes drejt horizonteve të fatit të munguar për të injoruar realen, ose shohin shumë thellë brenda minierës njerëzore në humbëtirat e galerive shpellare tek shtigjet nga ku ka ecur për të mos u zhdukur ky ‘kalorës i fatit’, njeriu. Ka dhe raste ku po ky njeri është pa sy! Shima e sjell si një homerian epik këtë tip, i cili e këndon pa u ndjerë epopenë e dhimbjes.Tablloja “Të verbërit” e vitit 1973 punuar në guash është tejet mbresëlënëse. Dy të verbër fare pranë që kanë humbur ndjesinë e orjentimit dhe duket se nga verbëria e tyre, nga gropëzat fatkeqe del një supstancë “imateriale” komunikimi ku janë përzjerë pafuqia, nënshtrimi, kllapia paranojake dhe sfida postmortum, që duket sikur thotë:-“Ne nuk shohim,ndaj bota juaj nuk na përfaqëson ne por ju sundimtarëve”! Në këtë kuptim njeriu në filozofinë e ngjyrës “shima-ne” është në pauzën e meditimit buzë pelegrinazheve, atje ku ata homosapjensët ndahen e bashkohen si edhe komunikojnë duke ushtruar ritualin e ballafaqimit të të gjitha detyrimeve gjithëkohore, me qëllim që e drejta e parë e njeriut ajo e vetëmbrojtjes edhe “agains KING”(edhe kundër mbretit, teza e John Lock) të vijonte t’i frymëzonte njerëzit! Njeriu pa sy, vetëm me zgavrat e hapura dhe të erëta është vetë SHIMA. Me atë shikim të çuditshëm duket sikur në një pafajësi ai kapërcen me qesëndi, fal një urtësie sfidante edhe realitetin e afërt.Ai shikon nga e ardhmja në emër të dritës së munguar! Kështu ai i vidhet hetimit mesjetar, provokimit të tij të frikshëm dhe të ndyrë, i largohet ‘kopesë socialiste’ me vetpranimin se ai nuk është as si ata, as si arti i tyre.Ai nuk di të shohi si ata! është i verbuar si Cronosi ndaj ai nuk mund të pikturojë së jashtëmi! I shërben ky lloj hutimi meditativ për t’ju shmangur censurës prezente dhe për t’ju falur rrugëtimit të brendëshëm, këtij pelegrinimi vejtmitar e të pakontrolluar, me mision strehimin në brenda-galaktikat e human-hapsirave që nuk zotërohen nga pushteti, që nuk manipulohen nga estetika zyrtare dhe hareja glorifikuese e apogjesë socialiste. Këta janë sytë e piktorit, por janë njëherësh edhe sytë e kafkave që mbajnë sekretin e vdekjes dhe të kalvarit. Grafika e tyre, ngjyrimi që ata prodhojnë në imagjinatën krijuse, pozicioni kontrastues, filozofia e tyre e të studjuarit të botës, janë njëherësh pamje e piktorit përball botës së jashtëme dhe “fenerët” e tij orjentues në llagëmet e një hapsire të parokshme ku ai mbante sekretet e tij të modelit krijues dhe të lirisë për të qenë ndryshe.Anatomia e kafkës njerëzore ka në grafikat dhe pikturat e Alush Shimës një pozicion dhe funksion multidimensional. Zgavrat e syve pa lëngun magjik brenda, shërbejnë si tynele të thellë nga ku ka udhëtuar dhimbja dhe poshtërësia anti-njeri. Ato duken si cilindra të zinjë që duhen ç’koduar për të sjellë në dritën e dëshmimit amanetin dhe fjalët e fundit që ata i thanë por ne nuk i dëgjuam! Nëse dje “popullësia e kafkave” shërbeu për glorifikimin i poshtërësisë, sot në pikturën e Shimës ato janë kujtesa historike me mision të kryer dhe vigjiluese ndaj moralit tonë civil. Shikimi i tyre që vjen nga ato thellësi na bën ne “popullësisë me koka” nje rontgen dinjiteti! Alush Shima del i nderuar në këtë ekzaminim.Ai foli dhe bisedojë me kafkat qysh dje dhe ju krijoi me pikturat e tij identitetin historik dhe identiktin shënjësor dëshmues! Piktori anticipoi për turpin e sotëm të vareve masive! Nuk besohej dje në ardhjen e këtij gjyqi nga shumë prej nesh! Por historia dhe amnezia nuk mund të bashkëjetojnë! Heshtja ende e nëndheshme kafkave është psallmi i një shoqërie ende në lëngim! Ato presin të rizgjohemi ne! Ato falin por nuk harojnë!
* * *
Strukturat antropomorfe “shima-ne” duken sikur lëvizin edhe pse piktura është e përfunduar. Lumenjë të brendëshëm, përenjë kapriçoz, dhe ujërrugëtime të paana detesh që lëvizin vrullshëm.Sa hap e mbyll sytë të krijohet përshtypja (jo iluzioni) se vepra pluskon.Ajo është në një proces të vetpërmbajtur logjik por të pandërprerë shumëplanësie të shprehjes.Kjo nuk lidhet me perceptimin tonë por me dinamikën e figurës e të ngjyrës, me pluralitetin e dritës së brendëshme, të lëvizjes dhe të bashkëbisedimit të tyre. Ky është stili krijues i atyre që u ngritën kundër “mesjetës së parë”. Ashtu si Rubens (Petrus Paulus 1577-1640) edhe dishepulli i tij i shekullit XX-të, që jetoi dhe krijoi në një sistem po të njëjtë inkuizitiv, piktori ynë Alush Shima përthithi nga mjeshtri dhe shprehu në një origjinalitet stilistik të vrullshëm të konfigurimit, dimensionet e rrëmbyera dhe dinamikën e papërmbajtur e të intensifikuar ku fal arsenalit të ngjyrës ekspresiviteti lodronë muziklalisht përmes tingujsh që të kujtojnë një funebritet sa fisnik aq edhe sfidues! Aty zërrat vijnë nga thellësitë për të mbritur në kupqiell. Ka pra në stilin e tij vlag fuqie të ndjeshmërisë që si tipar i takon shkollës italiane të pikturës të Perjudhës së Rilindjes. “La mise au tombeau”( vendosja në varr) e 1616 st Eglise Cambarai) e Rubens mbeti refren tek Shima, duke kumtuar se ndeshja me erësirën mesjetare do të kishte shumë të dërguar në vare.Vdekja ‘prezente’ e kudondodhur është tek krijimi i tij si një makth dhe operator që nuk ndalet. Duket si një teatër apsurd ku ngjarjet rivijnë në hapsirat tona.Dekori i jetëve të humbura e të rezikuara është refreni pikëllues!
”Mjeshtrat e Rilindjes Europiane vlerësohen për rigjetjen e prestigjeve dhe të virtyteve të arteve të mëdha të antikitetit që kishin pësuar një eklips për gjatë shekujve mesjetar”. Lëvizja e Reformës e prodhuar në shekullin XVI në gjirin e Kishës Katolike, solli si reaksion ‘Reformën Protestante’ me qëllim për të korigjuar abuzimet që i kishin hequr shkëlqimin dhe zbehur imazhin Kishës. Refoma fundamentale u përpoq të rimerrte rajonet që kaluan tek protestantët, duke u mbështetur në rendin e ri të Jezuitëve. Kjo makro-klimë përmbysjesh të thella favorizoi zhvillimin e një stili artistik të ri në atë kohë,”një llojë përzjerje të pa identifikuar të ndjesimit, misticizmit dhe madhështisë”. E nëse dogmën ideologjike të sistemit tonë komunist e shohim si ‘reformën dogmatike’ të inkuzicionit mesjetar, ‘protestantizmin civil’ të asaj kohe do të duhet ta gjejmë tek kundërshtimi i atij sistemi. Ja përse Alush Shima mban referenca me këtë lloj pikture, pa ç’ka se koha të duket tejet e largët po qe se atë e matë me numurat e viteve dhe jo me përmbajtjen reale të kronosit ekzistencial.Tablloja“Parajsa”, ironizon me “paradizin komunist si një ferr hipokrit”, që duket më tepër si galeria apo panairi i kafkave. Po vritej jeta e drejta e parë e njeriut. Tablloja paraqet një portë të mbyllur ku gjithçka brenda digjet në flake. Të krijohet përshtypja e një furre që djeg sekretet njerëzore për të prodhuar pluhurin e amnezisë. Ajo duket hera herës edhe si një port burgu, ose si një krematorium ku janë strehuar kufomat dhe ku në hyrje të së cilës bëjnë roje besnike vetë kufomat. Të vjen në mëndje ajo që bën nazistët me hebrenjtë me formulimin “Ligj dhe gjak” ku përmes atij që njihet “komplloti” u planifikua zhdukja masive e tyre. I vetmi ndryshim është se në rastin tonë shqiptarët do duhej t’ua bënin shqiptarëve. Më shumë se në një rast Shima ka krijuar tabllo ku jepet imazhi i shëmtuar i njerëzve turma, të paidentifikuar dhe të pafuqishëm për të reaguar. “Qënie kope” mes primitives e modernes dhe nën një qielli apokaliptik. E gjithë metafora e të pikturuarit nuk të largon nga realiteti kohor i krijimit (koha e protestës), përkundrazi të futë në një hulli thelbësore të saj. Lakuriqësia e preferuar e piktorit është zhveshja nga dinjiteti njerëzor, kokë-përunjësia ropatëse me blegërima në hordhi, mënyra tipike e sjelljes dhe e qëndrimit në shoqërinë totalitare ku sundon mazoizmi. E gjithë kjo gjëndje vjen si një përdëllim i qënieve që nuk u dashkërka të mendojnë, që nuk duhet të shprehen, e që mjeranisht nuk kanë as të drejtë e as fuqi të vetëmbrohen. Arsyeja nuk mund kurrësesi ta kalonte humnerën e dogmës, bota instiktive e turmës së ideologjizuar u jepte mundësinë e mbijetesës.Fati kolektiv dhe marëzia kolektive eleminojnë individin dhe këtu zë fill ajo që quhet shoqëria e nuliteteve!
Tek tablloja “Apokalipsi” grumbulli qënieve të pafuqishme ndaj fatit të tyre dhe të zhveshur, sillen si të parët tanë “turmat instiktive”.Hegeli, ideatori i “shoqërisë civile” kishte porositur; “kujdes po vijnë turmat”. Shoqëritë totalitare kanë nevojë për turmat kjo është një nga ‘muzat’ më të preferuara dhe më të realizuara të penelit ideor të grafikës dhe të ngjyrë së Shimës. Furtunat klasore apokaliptike shuan jetë, fikën ëndrra, shkatëruan familje, dobësuan dhe zhbënë dinjitetin, ndaluan rrjedhën e të natyrshmes. Njeriu i ideoligjizuar dhe i veshur politikisht merrte si pa të keq fatin e njeriut. Gojët e hapura të figurava të përçudnuara të modelit të pikturës që të kujtojnë majmunoidët duken sikur lëshojnë jehonat e honeve të brendëshme. Bota e britëmave të paartikuluara e hungërimave që piktori e quan “thirje”, është ‘materia’ e një pikture ku i gjithë konfigurimi vjen si një masë njerëzore e padefinuar, si një embrion dikotomik i një burri dhe gruaje njëherësh, dhe duket si një fetus që ka frikë të linjëzojë dukshëm tiparet gjenealogjike. Njeriu i përçudnuar tek konfigurimi antropologjik ‘shimian’ të kujton ciklin vegjetativ të embrionit njerëzor që kalon përgjatë kohës së pjekjes së plotë të gjitha shkallëzimet epokale të krijimit që nga gjeneza njëqelizore deri tek homosapiensi. është për këtë arsye që figura e tija antropoforme të rek ta perceptosh herë si peshk, herë si amfib, herë si gjitar dhe përfundimisht si njeri i deformuar. A mos vallë krahasuar me zhbërjen nën diktaturë njeriu rezulton se paskërkish qenë më i lirë atëhere, në perjudhat kur udhëtonte për t’u shkëputur nga ajo botë e për t’u realizuar si homosapiens. Thekshëm duket sikur liria është më reale në botën e kafshëve. Nuk habitem! Kur Omer Kahjanit ia refuzuan veprën, ai tha: -“Ju nuk më kuptoni, po shkoj të ri me kafshët, ato më kuptojnë më mirë! Ka më shumë se një mundësi për të argumentuar intencionin e punës së këtij piktori sfidues.Do të parapëlqeja atë që përball pasigurisë, nën peshën e terrorit psikolgjik, në ndeshje me paranojën e sistemit, Shima gjente prehje vetëm tek një grua, tek bashkëshortja e tij, arkiva e tij e “mëkatit artistik” dhe e sekretit; ajo që rezikonte por njëherësh ishte edhe burimi i frymëzimit njerëzor, nga ku buronin dhe burojnë të gjitha ndjesitë. Termi “thirje” të shpie te lëvizja si një embrion që çel dhe të duket si një kushtrim që ende është i mbytur, belbëzan por që dëshiron të ngrihet për të këlthtur: ”Ky realitet nuk korigjohet, gjithçka do të duhet të ngrihet nga e para”. Duhet që nga guacka të dali “Njeriu kërmill” (një nga pikturat më prokovative të piktorit). Ai ri i strukur në një trajtë jo lineare dhe shfaqet si i sëmurë nga pafuqia për të reaguar. Shima nuk i jep portretet njerëzore siç përpiqen ata të duken. Një vizatim i tillë nuk është pikturë është fotografim. Ai ju lexon mendimet njerëzve, ju studion ndjenjat e vërteta, ju përthith përjetimet që dyzohen, ju eksploron ëndrrat që kanë frikë të lindin, ju analizon makthet që i torturojnë përmes frikës, ju matë thellësinë e zbrazëtirave të brendëshme si ‘njerëz kufoma’ që nuk mund të rëfejnë shpirtin. Piktori ju kuotonë atyre kurajon që ju është holluar, ju dimensionon personalitetin që sa vjenë e tkurret sepse ata kolektivizohen në gjithçka.Tek e fundit piktori ju kodifikon principet filozofike të jetës të shartuara me dogmën që duhet recituar çdo ditë. Kjo anatomi vjen e reket në një hedhje të ngjyrës dhe arsenalit të mjeteve të pikturimit që ai përdor për të dhënë njeriun e dërmuar nga sistemi dhe jo thjesht sistemin që abuzon. Tek piktura e tij ndjehen thellë si një korale e përtejme nga bota e shpirtërave zërat e viktimave. Janë zëraprishur humbëtirash si në botën e Karontit ku shpirtërat mbi ‘varkën e udhëtimit’ për në Hade (ha-dhe) këlthisnin por perëndia ishte e shurdhër!
* * *
Jam i mendimit (kjo vjen nga përjetimi im subjektiv) se në nuditetin universal të Shimës ka jo thjesht një tis por një filozofi të meditimit.Kjo përkon edhe me natyrën dhe filozofinë e vet piktorit.Ai është meditativ deri në vet-heshtje,një artistë krejt diskret ku herë herë duket se më shumë se një gjuhë pikture është prezente një qetësi e formës së skulpturës. Asgjë e tepërt dhe e mbivendosur në linjat njerëzore sepse harmonia duhet dhe është raporti më i përkryer i përmbajtjes me formën dhe ku struktura e formës është udha jo deklamative që të shpie tek penetrimi në supstancën që është prezente dhe që nuk shfaqet ballas. Përkundrazi ajo pa marrë leje lëvizë diku tjetër thellë në brendinë që vjen si një sekret e që përcakton identitetin, që lexon fatin dhe që shtriqë kahjen e ndeshjes dhe të sfidimit. Ndaj edhe një vizë edhe një dritë-hije ‘shimane’ (sa bukur do të ishte ta lexonim shumë-anë), edhe një grimë duhet menduar e kalkuluar sepse vjen në telajo me një mision. Do duhet të dihet se ku ajo rrugëton, si flet, si dialogon apo si heshtë në raport me të tërën. Ky lloj komunikimi kultivohet dhe është produkti i hipermeditimit të Shimës për ta njohur njeriun dhe botën deri në grimasat më të vogëla. Kjo minierë me të panjohurat e fatit që quhet njeri nuk eksplorohet kaq lehtë! Meditimi pë të është edhe një vuajtje si shpresëhumbur! Njeriu në pikturën e tij, si identiteti më i vjetër, vjen dhe shprehë dy principe filozofike primordiale, atë sokratian, se “habia është fillesa e çdo urtësie” dhe atë aristotelian se e “keqja është kudo prezente në jetën e njeriut”. Kjo vet-bisedë, ky dialog i çdo-momentshëm me veten, ky monolog i ngjyrës ndjenjësore e të pikturuarit (si arti pa fjalë) vjen po thuaj në të gjitha rastet në një mugëtirë. Nuk ka as dritë që lindë as që perëndon. Gjithçka lëviz në agun e një peshe trishtimi dhe pafuqie sa që të duket se ka humbur sensi i kohës dhe hapësirës dhe në çdo çast duhet pritur zhurma e thatë e giotinës, dhe sokakeve e rrugicave do të gjendej pirgu i ‘kokave të prera dëshmimtare’! Kontrasti i jashtëm dhe silueta e brendëshme në pikturat e Shimës lypin butësisht arsye filozofike për t’u gjykuar. Ky lloj kontrastimi herë duket metaforikisht si gjysmë maske dhe herë shumohet si një maskë me dy e më shumë ngjyra. “Portret plaku”, “Portret plake”, “Portret i një vajze”, kudo duket sikur dialogonë e panjohura dhe vuajtja, dhe gjithçka është vendosur në “shkretëtirën e botës pa objekte”. Atje edhe mëshira nuk bënte efekt sepse morali i mëshirës nuk ekzistonte. Fol por sendet nuk përgjigjen! Ato duket sikur të “kafshojnë” në çdo çast sepse kjo lloj vetmie është vetëvrasëse! Njeriu nuk kuptonte nëse po shkërmoqej ai apo gjithësia bashkë me të në një fat tragjik! Virtualisht po të dish dhe të afinohesh me pikturën e Shimës në të gjitha trajtat që ai shprehet, por në veçanti në portretet e tij, kupton se ka një shtresëzim epokash dhe të njeriut të tyre. është atje ai i mitologjisë dhe njëherësh ai i ditëve tona. Njeriu i telajos së Shimës duket si mijëvjeçar dhe njëherësh me moshën reale. Një skanim i tillë i njeriut të totalitarizmit komunist vjen thekshëm tek tablloja “Mostra” që sigmatizonë diktatorin dhe filozofinë diktatoriale, si dhe tek tablloja “Përbindshi”, duke kulmuar tek “Parada e Kafkave” ku gjendja apokaliptike sillet në trajtën e pasojave. Shoqërisë të ‘njeriut ujk’ (teza e Thomas Hobsit) i është bërë skanimi. Kafkat vijnë të dëshmojnë. Ka prej tyre që parakalojnë me një “krenari hipokrite” sepse edhe në ferr nuk e “kanë tradhëtuar udhëheqësin dhe idealet”. Në një punë tjetër me motiv nga mitologjia, Shima e jep urrejtjen me flokët si gjarpërinjë. Kështu i kishte edhe perëndia e urrejtjes në mitologjinë e antikitetit!
Njeriu kolektiv, fati kolektiv, entuziazmi kolektiv, ndëshkimi kolektiv, solidarizimi kolektiv, ka në këtë parodi të zhbërjes një përgjegjësi që na takon të gjithëve. Shfajësimet e sotme, pozicionimet se gjoja indirekt kemi folur dje, kemi shkrojtur, kemi protestuar me artin tonë me sjelljen apo gjestin e insinuates, janë jo vetëm të shtirura por edhe fyese. Ku është vepra, ku është disidenca, ku është ballafaqimi??? Këto janë pyetjet që pezull presin përgjigje.Vigjilimi mbi to na nxjerrë zbuluar! Diktatura na kishte mpirë. Shima ka guxuar atë kohë, sot ka dëshmitë! Ai heshti atëherë, por vepra tash është prezente dhe e sendërtuar në një album voluminoz që sjell më shumë se dëshminë! Gjen në faqet e këtij botimi unikal një anatomi të antihumanizmit të asaj shoqërie, është atje jeta e rezikuar, është individi inekzistentë, është deformimi palcor sepse jetohej pa dhe jashtë lirisë. “ Në qoftëse njerëzit nuk janë të lirë të jetojnë sipas dëshirës së tyre, sipas mënyrës që ju takon ta caktojnë vet,atëherë qytetrimi-shkruante John Mill,filozofi i lirisë,-nuk do të përparonte,e vërteta nuk do të mund të dilte në dritë,ngase do të mungonte tregu i këmbimit të lirë të ideve, kurse spontaniteti, origjinaliteti, gjenialiteti, energjia intelektuale dhe guximi moral nuk do të mund të shpaloseshin. Shoqëria-vijon ai-do të shtypej nën peshën e “mediokritetit kolektiv”.Larmia dhe pasuria e përvojave njerëzore do të asfiksoheshin nga konvencioni, nga prirja e përhershme konformiste e njerëzve,e cila është në gjendje të pjellë vetëm”aftësi të atrofizuara”, njerëz “hipokritë dhe të ngushtë”,”të gjymtuar e të rrëgjuar”.!
Telajo e Shimës në më shumë se në një rast operon me një ‘dialektikë paradoksale, ku subjektet, ambjentet apo kahjet ndërojnë vendet për shkak dhe në përputhje me hidhësinë e hipokrizisë së asaj shoqërie.”Revolucioni Kulturor” kishte sjellur “kokat e prera” dhe kultura e vdekjes ishte e modës. Diktatura dhe skllevërit, një shkretëtirë masive pa formë. Paranojë kudo edhe në strofkullën e vet diktatorit, aq sa lavdija e pushtetit vjen në një tabllo të Shimës në një jerarki ku poshtë janë njerëzit,lart janë kukumjaçkat që këndojnë. Kudo dhe çdo natë këngamorti i tyre ishte lajmsi i një jete të humbur.Ndërsa në tabllonë “Zotër dhe Skllevër” të vitit 1974 njerëzit duken si “thundrakë të mprehur”.Piktori e sjell atë gjithë-nënështrim të njeriut në tablonë përvëluese të titulluar si “Koha e Qenëve”! Lufta e klasave i kishte deformuar aq keq, sa ata po shqyenin njeri tjetrin dhe krijonin kështu “Lulet e komunizmit” në vazon e kuqe ku ato pozojnë si kafka tragjike, një tjetër temë therrëse e Shimës.”Kafkat-lule” është më shumë se një gjetje.Akuza ndaj sistemit dhe hipokrizisë së tij grishë për të treguar se në tirani jeta i ka lënë vendin vdekjes. Njëra nga tablotë ajo e vitit 1976 titullohet,”Lule në vazon e kuqe” e punuar me karbon dhe pastel. Tjetra po me këtë motiv është realizuar në vitin 1981 e titulluar,”Lulet e Komunizmit”.Në të dy rastet grumbulli i kafkave të vendosura në vazo jepen si dëshmitare të kohës dhe lavdia e kokë-prerrësit si një kllapi! Koha ishte apokaliptike, tragjizmi po i tillë.Të vetmuar dhe të grupuar në pafuqinë e reagimit përball ndëshkimit të zotave dhe kryezotit. Gjithçka duket si në një vorbull. Duhej filluar nga e para për të vijuar ekzistencën! Një qënie e ideo-kultivuar,”njeriu i ri” ishte pjellë e mortit në dinjitet dhe shpirt! Mes primitives modernes dhe qiellores apoklaliptike, Shima jep qënien kope ku njerëzit ngjajnë përmes fatit të imituar dhe identifikimit që nuk pranon individualitete si një masë e shtrydhur. Ata që e frymëzojnë piktorin dhe ku ai prehet kur del nga “shtegu mbytës ideor” dhe ecën drejt oazit njerëzor, janë thjesht njerëzit e zakonshëm që vuajnë njësoj si ai vet në paliri. Portretet e tyre janë një protestantizëm i sjellë në telajo.është njeriu i zakonshëm ku spikasin dy tipare themelore; humanizmi jashtë sistemeve, dhe liria si një atribut natyror brenda vet njeriut.
Tre portretet,”Leximi”,”Cigania” dhe “Pianistia e vogël” e sjellin këtë gjendje.Ajo që lexon duket se zbulon enigmat e nuditetit të vet në një udhëtim brenda faqeve të librit ekzistencial që nuk lidhet me regjimin. Shfletohet përtej ti, atje në hapsirat e një frymëzimi pa censurë! Cigania është si një mozaik njerëzor që shpalos optimizmin e jetës nomade, e atyre njerëzve që e marrin lirinë me vete ngado që shkojnë dhe nuk janë pajtuar kurrë me shtrrëngimin. Pianistia e vogël, asaj që i takon një e ardhme ndryshe, nuk luan në tastierën e instrumentit (ai nuk është në tabllo) gishtat e saj luajnë në tastierën e fatit. Piktori i jep asaj ogurin për një kohë tjetër për një fat ndryshe, e bekon me liri e dinjitet, që kapërcejnë pushtetet e dogmave dhe autoritetet pushtetore. Ajo është gatuar për një tjetër repertor dhe një tjetër muzikë. ëndrrat dhe muzika e saj vijnë nga e ardhmja! Kjo do të ishte koha kur ‘mostra apokaliptike’ nuk do të jetë më dhe nuk do të gëlltiste dot hapsirat jetësore si edhe po bënte asaj kohe të zymtë. Dinjiteti është njeriu, jo sistemi!
Shima do të kundërshtoi së paku me artin e tij, ndaj edhe realizoi pikturën(në dy varjante) “Revolta e Sfinksit” e këtij sfidanti që duket se me pamjen, qëndrimin dhe vendosjen mban raporte me filizat e këputur dhe të interpretuara ndryshe nga ajo që thuhet dhe tregohet.Ai ka në thellësi të tij sekretin masonik të mesazheve qiellor.Brenda kësaj materie sa mitike aq metaforike Shima gjen strehën e protestës së tij ndaj sistemit dhe përpiqet të besoj se mund të kundërshtohet,( së paku piktura e tij me këtë motiv dhe përmbajtje jepet). Me këtë mision dhe ndërthurje, ku me mitiken dhe rilindjen është e gatuar një protestë që do të mbetej peng edhe nëse trokitja në derë do ta merrte edhe atë një ditë me diell, apo pas mesnate. Ai e kishte kuptuar se po përgjohej, se në çdo moment mund të ndodhej atje ku shkuan miqtë e tij të ëndrrave dhe të bashkëudhëtimit të ngjyrës dhe penelit, të telajos dhe të aromës së bojërave që në atë përzjerje krijimi kishin përdëllyer shpirtin e tyre qysh fëmijë. Ai ishte i vetëm dhe nuk mund ta ndryshonte botën, por ai është i ligështuar se nuk shihte dritë.Kjo është arsyeja që në të gjithë veprën e tij të asaj perjudhe nuk ka dritë ëshë një mugëtirë agu dhe mungesë dimensionesh të lindjes së dritës dhe të perëndimit të saj. Në të dy rastet përpëlitet në këta fate epokale vet piktori Shima. Përvijimi i figuarve bartëte dallueshëm autoportretin e tij.Në këtë mënyrë ai udhëton në të gjitha epokat duke zgjatur jetën e tij në kohën e shkuar, përball rezikut që ajo mund të ndalej nga çasti në çast duke u fatkeqësuar pa të ardhme.Do të mjaftonte një trokitje në derë, një spiunim apo dyshim i njerëzve të paguar, një arogancë zyrtari të ‘artit socialist’ që qëndronte përballë telajos si një krijimi për një film të perjudhës medievale, ku piktori ynë mesjetar donte të thyente hekurat e opskurantizmit bizantin ndërsa për zyrtarin ajo tabllo aludonte(në fakt ashtu ishte)! Njerëzit ishin vënë njëri kundra tjetrit, ca në pushtet ca të tjerë jashtë pushtetit, nënpushtetit apo në shërbim të tij! Alush Shimës i vjen në ndihmë këtë radhë figura mitologjike e Centaurit. Banorët e hershëm të maleve të Thesalisë. Ata kishin qenë të parët tanë pellazgjik, ajo fushë që shtrihej në këmbë të atyre maleve kishte qenë e banuar nga ata. Ndoshta piktori nuk e ka ditur këtë fakt historik, por vrulli i krijimit dhe intuita nuk mund të mos ndalnin pikërisht atje tek historia e të parëve. Këta banorë të maleve u panë nga të ardhurit si qënie fabuloze gjysëm njerëz, gjysëm kuaj. Ata duhej të shfaroseshin dhe kjo fitore celebrohej prej martesës së mbretit të tyre Pirithoos.Tek kjo qënie mitike është vetë Shima, janë të gjithë ata që shiheshin si të dyshimtë si kundërshtarë të pushtetit autoritar edhe pse heshtnin, pasi dukeshin si qënie të rezikshme që nuk dihej se ku e derdhnin energjinë, kjo sepse ata nuk shërbenin me sjelljen dhe krijimin e tyre as në “korrin e besnikëve të mbretit” as në “turmën e hipokritëve”! Piktura e Shimës duket se nuk ndalet edhe sikur ti presin kokën kalit. Ndeshja me Centaurin nuk rezulton fitore ndaj tij. Piktura e tij krijon një binom të mrekullueshëm, ‘bisedën e trupit me kokën’. Kjo dikotomi postmortem të bën të dridhesh por edhe të reflektosh sepse Shima jo vetëm ka guxuar por edhe ka realizuar.Vepra “Sakrifica” në stilin guash e vitit 1976 përcjell kumtin se trupi do të vijojë të vrapojë edhe me kokën e prerë sepse nuk ndalet në sakrifikimin në emër të dëshmimit se liria kërkon “ikjen nga frika”! Autoportretet e tij japin ‘anatominë e vetmisë’ si një ngrirje me botën e jashtëme, por akti krijues i brendëshëm në mijëra vizatime e punë më të kompletuara janë sot prova e të menduarit ndryshe dhe kundërvënies ndaj “mesjetës së tretë. Të fitosh lirinë, ëndrra e lirisë, homazh për sakrificën në emër të lirisë, e gjithë kjo krijimtari nisi nga mitologjia dhe mbriti tek biblikja; ajo eci e u zvarrit për të ardhur në portat e ferrit opskurant mesjetar të sistemit komunist. Mozaiku “mitik-biblik-njerëzor”, ka brenda kontinuitetin si gjithëkohësi dhe humanizmin si thelb të dinjitetit njerëzor. Në të gjitha këto qënie pluskon shpirti i piktorit që e gjen strehën dhe frymëzimin në kalvarin historik!
Punishtja e shpirtit!I tërhequr në një vetmi që më shumë se hapsira realizuese ishte një ballafaqim me një humbëtirë mbytëse, piktori Alush Shima është realisht shumë i gjallë përmes artit. Ai ka një virulencë të brendëshme, një vullnet që vjen edhe si “mendim eksplorues”, i tillë që si thotë Artur Shopenhauer, “të fton në eksperimente të reja”. Por “punishtja e tij e shpirtit” udhëhiqet nga “mendimi apelues” ai që shërben “për ta bindur veten për nevojën për ta thënë të vërtetën duke guxuar”! “Ferr-Parajsa” e tij ka qenë;”Vdekja e piktorit dhe Liria e krijimit”.Ai ishte gati për të parën ndaj krijonte me zhgulm si një det që donte të shfrynte! Si hija që çdo natë i shfaqej princit Hamlet, atij i vinte mbi krye hija e të atit.”Me dinjitet”- ishte porosia e përtejme. Ngjyrat gatueheshin fillimisht në mendje, ngjyroseshin emocionalisht në shpirt dhe mandej hidheshin në telajon e trishtë.Ky moment është më i vështiri për t’u zbërthyer. Goethe u morr gjatë me ‘teorinë e ngjyrave’ dhe mbi këtë filozofim ai frymëzoi fjalën poetike. Shopenhauer realizoi trajtesën “Mbi shikimin dhe ngjyrat” dhe krijoi idetë filozofike! Për mua mbetet një mrekulli provokuese kalimi nga bojërat tek figura, nga ideja tek kombinimi i ngjyrave në pikturë. Shpejtësia në akt-krijim ka brenda magjinë e të pikturuarit e këtij arti që nuk plaket.Ai vjetërohet duke rinuar vlerat humane dhe kumtet e tij vizuale të frymëzojnë në çdo kohë.
Nga një masë viskoze kombinimi i ngjyrave sillet si figurë, si kombinim figurash si lëvizje, si gjendje, si përjetim dhe ka një dinamizëm ku çdo grimasë ka vendin e vet dhe kushtëzimin me hapsirën ku lëviz. Nga e pafigurshmja tek e figurshmja është strukturë e kombinimit kolorostik është mendim, është ndjenjë është gjendjë është përgjithësim është mesazh?! Nuk është forma që shpjegon ngjyrën por është ngjyra dhe tërësia e saj kombinative që ndërton përmbajtjen, që ngre strukturën dhe ravijëzon shfaqjen e një forme që lëviz në hapsirë dhe në kohë! Ja përse në një rast unë shumë qartësisht jam shprehur se “kam frikë nga autoriteti i ngjyrës”! Piktura si edhe muzika fsheh goxha enigma dhe mban brenda vetes mjaft sekrete.Madje këtë sjellje ajo, me sa gjykoj unë, e ka edhe me vet piktorin! është kjo arsyeja që Alush Shima i rikthehet temave duke sjellur në çdo rast diçka të re, të dallueshme që nuk është thjesht një tipar apo këndëvështrim i ri! Për mua kjo ndodh në pikturë sepse njohja e botës përmes saj është e pafundëme! Kombinimet derdhen në disa “kallëpe” të një virtualiteti tejet të shpejtë në “punishten e shpirtit” dhe sido që të lëvizi peneli, shpejtësia e brendëshme është e rufeshme.Ajo bashkëshoqërohet me ‘ndezje dhe fikje dritash’ që mund të sillen si pozime plurale të çdo grimase dhe i së tërës gjithë po aq, jo në një formë të përfunduar çka do ta sillte punën krijuese në thjeshtësinë e përzgjedhjes! është atje shumësi i mundësive të shprehjes, është pluraliteti në pafundësi i gjetjeve konceptuale dhe përjetimeve intuitive për të mos fotografuar botën por për ta radiogarfuar atë duke realizuar një anatomi humane në emër të njeriut dhe lirisë së tij. Të gjitha idetë dhe ndjenjat hidhen me penelin, me spatulën, me gishtat e piktorit, me lapsin, por mbi të gjitha me shpirtin e tij. Derdhet në vepër realiteti që jetohet nga afër dhe ai vjenë e nyjëzohet me pelegrinazhin historik ku kalvari njerëzor shpërfaqë përballjen me atë që Nietzche përmes Zarathustrës e quante:-“Kundërshtimi për gjithçka që është e rremë,e rëndë,e zymtë,mbytëse. Asgjë nuk duhet ta thyejë njeriun në humanitetin e tij”! Këtë kuptonte Nietzche kur fliste për “mbinjeriun” dhe jo shtimin e vullnetit të fuqisë si edhe e keqinterpretuan atë nazistët.Sistemet totalitare (edhe komunizmi flet për njeriun e ri) e mashtrojnë njeriun duke i hequr thelbin human sepse si të tillë autoritar tiranikë, ata e bëjnë vdekjen prezente dhe spastrimet njerëzore si ritual për gjetjen dhe krijimin e ambjentit ku vetvetja është realitet i mirfilltë vetëm duke mbajtur brenda ngarkesën ideologjike të sistem-vullnetit! Kjo ishte klima në shpirtin dhe kavaletin e Shimës! Peneli lëvizte vrulltas, hidheshin linjat dhe në grafikat e tij përzjeheshin bojërat aq të rralla e të shtrenjta dhe derdheshin mbi “thasët e patateve” të varfërisë së asaj kohe. Ata merreshin dhe laheshin me kujdes nga duart e Zanës pa rënë në sy që të shëndroheshin në cohën ku do të lodronte një shpirt proteste. Grafika ku piktori me kokën e prerë pret trokitjen për të ikur drejt ferrit komunist, duket sikur thotë: ”Kokën donit?! Merreni! Unë e krijova botën ndryshe, ju nuk mund ta vrisni atë-“! Shima po udhëtonte kundër rrymës dhe dallgët vinin e ngriheshin. Lufta e klasave edhe kundër intelektualëve. Jashtë dhe brenda, dy botë të ndryshme! Dy jetë që nuk ngjanin! Dy filozofi që përjashtonin njëra tjetrën. Sa herë që provoi të shfaqej nuk bëri kompromise dhe mbeti i ‘mos-konsideruari’ i “realizmit socialist”! Ndaj piktura e tij u plazmua si ‘pengu i lirisë së munguar’ për t’u shfaqur nga njëra anë por si liri apsolute për t’u krijuar pa censurë nga ana tjetër! Jashtë atij sistemi, jo në shërbim të tij, liria është e plotë, autocensura është e huaj, vetpengimi nuk ka vend në atelien tënde krijuese.Kjo ka ndodhur me Jean Paul Sartre në perjudhën e nazizmit, është prezente në krijimtarinë e nobelistit hungarez ne letërësi Imre Kertesh, kur ai shkruante për të mos botuar në perjudhën e komunizmit! Kjo ka ndodhur si tek rrall kush tek piktori Alush Shima. Asnjë kompromis me botën jashtë, fanatik i parimeve vetjake të brendëshme! Drita e jashtëme që llamburiste ishte propaganda. Piktori anti-rrymë ushqehej nga drita e krijimit që ishte udha drejt lirisë. Ajo vinte e rritej brenda tij si “ikje nga vetja” ku dëgjohej psallma:”Bëhu ndryshe, ndrysho veten, ndrysho botën”! Drita e frymëzimit e bashkuar me dritën krijuese në një rendje gulçuese përball kavaletit vetëm e vetëm që asgjë të mos humbiste nga ajo llavë që vintë e derdhej nga thellësitë në mëndjen, shpirtin, duart dhe sytë e piktorit. Energjia krijuese vinte kështu e plotë jo si shpejtësi kohe por si dinamizëm në një konfigurim të pluralitetit lëvizës që nuk lejonte mundësi tjetër! Gjithçka ka një fat shteronjës. Humbëtira ishte e mbyllur, krejt e erët, por dëshmitë mbi njollat e saj bartnin një mesash universaliteti sa kohë që piktori e konsideronte të gjithë këtë krijimtari si një testament për brezat e ardhëshëm dhe një pasuri-amanet për bijtë e tij. Akti krijues vinte e ravijëzonte një dritë “protonike” proteste. Ishte fekonduar mendja, ndaj si edhe kishte ndodhur në mitologji me Zeusin(që lindi Athinan), nga kjo ngjizje lindi mendimi dhe pathosi luftarak. Janë brenda atij kompozimi dhe idealet dhe imagjinata, dhe përgjegjësitë dhe sfidat.Si një “këmbëzbathur mbi rërën e nxehtë”, ky beduin i pikturës nuk rreshti. ëndrra kishte brenda mjetet, energjinë dhe dufin shpërthyes! Në momentin e krijimit ajo transformohet duke u sendërtuar në një gjuhë tjetër komunikimi, e pafjalë por me një pigment humanizmi dhe me një pushtet-formues që nuk e takon në forma të tjera të ndërgjegjes. ”Heshtja e paqme memece e pikturës” transmeton më shumë vlera se sa “shumëfjalësia e shpërdoruar sipas klimës së politikës” nga ku merr rrjedh sofizmi që e bën autorin e tyre të pabesueshëm! Idetë e dogmatizuara edhe përmes estetizimit letrar sjellin neveri! E vërteta dhe gënjeshtra ky është dallimi që të pëcakton fatin dhe dinjitetin!
“Gjithmon më ka ngacmuar përfundimi i Oscar Wilde se: “Ndjenja e ngjyrës ka shumë më tepër rëndësi në zhvillimin e individit se ajo e së drejtës, apo e së padrejtës”. Individi dhe ngjyra, totalitarizmi dhe piktura. Përtej kësaj dikotomie janë pashmangësisht ekuilibri dhe personaliteti, njohja dhe formimi, bota dhe misteri krijues, shpirti dhe trupi, një ansambël raportesh primordial tek të cilët jemi dhe jetojmë shpesh edhe pa lejen tonë. (“Tingull” Përparim Kabo,botimi Plejad,faqe 62). Pushteti i ngjyrës shmang çdo lloj relativiteti moral ku e drejta dhe e padrejta mund dhe mbeten pengje të dogmës ideologjike.”Teoritë kanë ngjyrë gri, realiteti është i gjelbërt”!-thoshte Goethe.I raskapitur nën peshën e llahtarit më në fund vepra përfundonte. Ajo ishte një lloj gëzimi! Kishte lindur drita e brendëshme e dënuar me erësirën. Ajo do duhej të priste një kohë tjetër jo të verbër. (5000 vizatime për 25 vjet pritën ardhjen e lirisë!) Piktori çlirohej duke krijuar, por fruti i tij i lirisë mbetej sërish i burgosur. Burgu jashtë paskërkish qenë më mizor. Përball veprës tënde të jesh i mbërthyer nga një lloj “egoizmi”.Kjo është ndrydhja më e keqe.Vepra duhej ruajtur.Kompozitori rus Shastakoviç që mbante teshat gati në një valixhe, për të mbrojtur veprën kompozoi edhe për Stalinin. Shima ynë në Shqipërinë e egër totalitare nuk e bëri kurrë një gjë të tillë.Ai nuk kishte nevojë për atë fasadë pas të cilës mund të fshihte ‘disidencën artistike’ dhe kuptimin ndryshe për njeriun dhe universin e tij. Nuk ka dyzim më të çuditshëm dhe me befasues, më tronditës dhe më ndjenjandjellës, kur vepra jote shkon për diktatorin ndërsa mendja jote thotë vepro ndryshe.Ky lloj dyzimi e vret muzën frymëzuese të ngjyer tek liria! Vepra artistike e Shimës ishte disidente ‘kokë e këmbë’ ndërsa kjo vlerë disidence mbetej ende e pakonsumuar si protestë e hapur. Po ta shfaqte, gjenia e Shimës do të këputej në mes! Gjithçka do të humbiste duke lënë pas vetëm një kujtim për një veprimtari krijuese të ndërprerë.
* * *
Alush Shima e kishte ngjyer dhe ushqyer thellë penelin e frymëzimit tek vepra e El Greko (Dhominikos Theotokopulos) piktori spanjoll me origjinë nga Kreta. (Ndoshta një histori e largët rrënjësh, mikenasit=pellazgët, Kuretët që ruajtën Zeusin nga Kronosi, duhen lexuar ku-rita, dialekti geg rit e lexon ret; është vallë kjo arsyeja e lidhjes?!)
Mjeshtri kishte kaluar disa vjet në Venecia, kishte udhëtuar në Itali e ju nënshtrua influencës së piktorëve Bassano e Tintoreti
#