E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gruaja e qelizave të pavdekshme. Kështu Henrietta ndryshoi mjekësinë

Në vitin 1951, ajo u diagnostikua me tumor dhe pa dijeninë e saj mjekët i morën disa kampionë indesh. Nga ato qeliza lindën mijëra kërkime shkencore. Por zonja Lacks vdiq pa e marrë vesh kurrë

Në fillim të vitit 1951, Henrietta Lacks kishte dhembje të forta. Mbesë e një familjeje skllevërish, ishte rritur e varfër dhe gjysmanalfabete në fushat e duhanit të Clover, një qytezë e vogël e Virxhinias. E varfër kishte mbetur edhe pas transferimit në Baltimore. Në moshën 31-vjeçare kishte pesë fëmijë, si dhe ato dhembje që nuk e kuptonte se nga i vinin. Shkoi për t’u vizituar në spitalin “Johns Hopkins”, i vetmi që në Baltimorën e viteve ‘50 pranonte pacientë afro-amerikanë. Diagnoza ishte e menjëhershme, kancer në qafën e mitrës. Përpara se të nisnin mjekimin me rreze, mjekët i morën dy kampionë të vegjël indesh, pa e informuar apo kërkuar mendim (ligji në atë kohë nuk e parashikonte). Mjeku kishte vërejtur se si masa tumorale ishte anormale në krahasim me të gjithë pacientët e tjerë, për të cilët ishte kujdesur deri në atë kohë. Kështu, një shkencëtar i specializuar në kërkimin e qelizave tumorale, vendosi t’i analizonte kampionët në “George Otto Gey”. Ashtu siç e kërkonin rregullat, një asistent i laboratorit shkroi mbi epruveta katër shkronja, që më vonë do të bëheshin të famshme mes kërkuesve të së gjithë botës. Shpejt Gay zbuloi se gjendej përballë një fakti të jashtëzakonshëm. Qelizat tumorale “HeLa” kishin një ritëm rritjeje impresionues dhe një aftësi të mbijetuar “in vitro”. U kuptua se ishte izoluar linja e parë qelizore e “pavdekshme”. Përdorimi i tyre u përhap në të gjithë botën dhe ato qeliza u bënë thelbësore për kërkimet mjekësore në dhjetëvjeçarët e ardhshëm. U përdorën për të testuar vaksinën kundër poliomieliti, për kimioterapi, për fertilizimin “in vitro”, për hartën e gjeneve, herpesin, leuceminë, Parkinsonin dhe SIDA-n. U përdor edhe nga kërkuesit ushtarakë, për të studiuar efektet e bombës atomike mbi njeriun, ndërsa NASA i dërgoi në orbitë në misionet e para hapësinore për t’i studiuar në mungesë të gravitetit. Henrietta vdiq më 4 tetor të vitit 1951. U varros në një varr pa qivur, por nuk e mësoi kurrë se qelizat e saj do të shënonin një kthesë të rëndësishme në kërkimet mjekësore. Identiteti i Henrietta Lacks u bë i ditur nga një gazetë vetëm 20 vjet më vonë. Një identitet i njohur në botën e kërkimeve mjekësore, por pothuajse i panjohur deri më sot, kur një libër që në SHBA është kthyer në një bestseller, e bëri të njohur për publikun e gjerë. “Jeta e pavdekshme e Henrietta Lacks”, u shkrua nga Rebecca Skloot, gazetare dhe docente në Universitetin e Memphisit, në Tennessee. është një libër jashtëzakonisht i bukur, që lexohet sikur të ishte një roman, e që për suksesin e tij i detyrohet pjesërisht debatit për reformën shëndetësore në Amerikë dhe çështjeve raciale. është një libër që e rindërton jetën e asaj gruaje me qeliza të pavdekshme, me detaje të hollësishme. Ai tregon për jetën e saj kur ishte fëmijë në Clover, tokën e skllevërve, punën në plantacionet e duhanit ku stërgjyshërit e saj ishin sjellë me forcë nga anijet e mbushura me zezakë, mbërritja në Baltimore, sëmundja, vdekja. Aty tregohet për jetën e fëmijëve dhe nipërve të saj, që ende sot në Baltimore luftojnë për një jetë më të mirë dhe për të marrë ndonjë trashëgimi nga pasuria e madhe e qelizave “HeLa” e prodhuar në botë. Familja e Henrietta-s u njoh me historinë në vitet ‘70, kur shkencëtarët që studionin “HeLa”, përdorën edhe burrin dhe fëmijët e saj nëpër studime. Në libër, historia e shkuar dhe e tashme e familjes Lacks, bëhet çelësi për të treguar historinë e errët të eksperimenteve mbi afro-amerikanët në vitet 1950, siç ishin studimet e “Tuskegee Institute”, ku të sëmurët me sifiliz liheshin të vdisnin nga kërkuesit dhe me qëllim nuk u jepnin penicilinë që mund t’i shpëtonte. Sigurisht që vendin kryesor në libër e zë historia e qelizave “HeLa”, e linjës së parë “të pavdekshme” të kultivuara në laborator, qeliza që janë ende të gjalla pas thuajse 60 vjetësh nga vdekja. Falë atyre indeve të marra në shkurt të vitit 1951, u prodhuan miliona qeliza dhe u shkruan me qindra shkrime nëpër revistat shkencore. “Nëse nëna jonë është kaq e rëndësishme për shkencën, përse ne nuk mund të kemi as sigurimin shëndetësor”, pyet vajza Deborah, autoren e librit. Ndoshta tani, falë këtij libri, fëmijët dhe nipërit e Henrietta-s, mund të kenë një jetë më të mirë.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›