Nisin shkurtimet në arsim, nuk kursehen as inspektorët
Reformë e thellë në arsimin fierak. Sipas drejtoreshës së Drejtorisë Rajonale të Arsimit Fier mësohet se reforma që ka nisur nga zbatimi do të prekë edhe vetë administratën e institucionit që ajo drejton. “Janë nëntë inspektorë, të cilët do të ndërpresin marrëdhëniet e punës në bazë të një vendimi të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencave. Kjo ndodh, pasi u shkri struktura e inspektimit. Do të jetë një strukturë pranë MASH-it që do të kryejë inspektimin në çdo drejtori rajonale dhe në çdo rreth. Po shihet mundësia e pozicionimit të këtyre inspektorëve, por është mjaft e vështirë”, tha drejtoresha e DRA-së së Fierit, Suzana Numani. Më tej, ajo shtoi se shkurtimet do të prekin edhe kopshtet, veç sistemit 9-vjeçar dhe atij të mesëm. Pritet që deri në fillim të muajit prill reforma të përfundojë së zbatuari. Ajo që duhet thënë për krerët aktualë të arsimit lidhet me faktin se ata po studiojnë edhe gjendjen ekonomike e sociale të arsimtarëve që do të preken nga reforma.
#