Maunia bie në rrugën e dëmtuar, bllokohet aksi Ballsh-Tepelenë
Shkarja masive e dheut përgjatë rrugës kombëtare Ballsh-Tepelenë ka bërë që një pjesë e madhe e rrugës të pësojë dëmtime. Në kushtet e krijuara automjetet e tonazheve të ndryshme kalojnë në rrugë dytësore për të shmangur pjesët e dëmtuara. Kështu ndodh edhe në vendin e quajtur “Kthesa e Povlës”. Në një gjatësi prej dy kilometrash, rruga është dëmtuar dhe makinat përshkojnë një segment dytësor të hapur rishtas që është shtruar me gurë. Pasditen e djeshme, rreth orës 16.30, një maune me targa greke që udhëtonte drejt Gjirokastrës është batuar, duke zënë pjesën më të madhe të kësaj rruge. Maunia ka qenë e ngarkuar me materiale inerte. Fatmirësisht nuk është dëmtuar as drejtuesi i mjetit dhe as ndihmësi i tij, por rënia e mjetit ka bllokuar qarkullimin për rreth një orë e gjysmë. Rreth orës 18.00 është mundur që rruga të hapet vetëm për makinat e vogla. Ndërsa vargu i mjeteve të rënda dhe autobusëve është detyruar të presë deri në orët e vona të mbrëmjes.
#