Obeziteti ka “pushtuar” gjysmën e kontinentit europian
Mbi gjysma e popullsisë së kontinentit tonë janë obezë ose mbipeshë. Ky është përfundimi në të cilin ka dalë një raport i publikuar dje nga Komisioni Europian.
Sipas tij, numri i obezëve është dyfishuar 20 vitet e fundit në pjesën më të madhe të vendeve të Bashkimit Europian. Në pozicionin më të rëndë ndodhet Britania e Madhe, e ndjekur nga Irlanda dhe Malta, ku një e katërta e popullsisë është obeze. Ndërsa në fund të klasifikimit vijnë italianët, rumunët dhe zviceranët. Megjithatë bëhet fjalë për një tendencë gjithnjë e në rritje. Kjo lidhet edhe me faktin se fëmijët janë gjithnjë e më të dhënë pas kompjuterit dhe nuk kryejnë aktivitete fizike në atë masë që duhet ta kryenin. Sipas studimit, fëmijët obezë janë më të prirur që të kenë edhe probleme të tjera me shëndetin në vijim të jetës në organe si zemra, diabeti apo edhe kanceri dhe artriti. Nga ana tjetër, përmirësimi i standardeve të jetës dhe shërbimet mjekësore kanë kontribuar edhe në rritjen e jetëgjatësisë që në Europë ka kapur shifrën mesatare prej 72 vitesh. Në raport thuhet se janë pakësuar gjithashtu vdekjet nga sëmundjet e zemrës, që gjithsesi mbetet një nga shkaqet kryesore të vdekjeve në kontinent.