E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bosh: “Politika shqiptare të lexojë me kujdes rezolutën e KiE-së”

Eljona Ballhysa
Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Robert Bosh, u bëri thirrje dje partive politike në Tiranë që të lexojnë me kujdes rekomandimet e bëra në Projektrezolutën e Asamblesë Parlamentare të KiE-së. Ai tha se është koha që partitë politike në Shqipëri të ulen në një tryezë dialogu në të mirë të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Sipas kreut të Prezencës së OSBE-së në Tiranë, është momenti që palët të arrijnë në një kompromis, pasi kjo është në të mirë të interesave kombëtare të Shqipërisë. Bosh gjithashtu ka shprehur bindjen se roli i Presidentit të Republikës në këtë situatë krize politike në vend do të ishte shumë pozitiv. Sipas tij, kreu i shtetit qëndron mbi palët dhe si i tillë ai mund të jetë negociator për zgjidhjen e krizës politike në vend. Këto deklarata, ambasadori i OSBE-së Bosh i bëri pas një aktiviteti që zhvilloi dje me Klubin e Medias në Tiranë.
Thirrja
“Mendoj se Projektrezoluta e Këshillit të Europës, e cila shpresojmë se do të pranohet këtë javë në Strasburg, do të krijojë një situatë ku partitë mund të mblidhen së bashku. Jam i gëzuar me reagimet pozitive të deritanishme ndaj sugjerimit nga të dyja palët, që është gjë e mirë. Tani thjesht duhet te merren hapa të tjera nga të dyja palët. Nëse kemi dy grupe apo palë që kanë opinione të ndryshme, duhet arritur një lloj kompromisi, se nuk është një lojë futbolli që mund të ketë një fitues, madje, këtu, për hir të interesave të vendit, nuk duhet të ketë në fakt as dy fitues, por fitues duhen të jenë të gjithë 3.5 milionë njerëzit që jetojnë në këtë vend. Është në të mirë të vendit që të kërkohet një kompromis, në përputhje me sugjerimin e bërë nga Këshilli i Europës”, - është shprehur Bosh. Më tej kreu i prezencës së OSBE-së tha se faktori ndërkombëtar mbetet i angazhuar për të ndërhyrë në zgjidhjen e krizës politike, por theksoi se hapi i parë dhe konkret duhej hedhur nga politika shqiptare. “Ne sigurisht që do të mbetemi gjithmonë të gatshëm të ndihmojmë, nëse na kërkohet, por vazhdoj të besoj se, duke pasur parasysh përparimin e madh që ka bërë vendi në rrugën e integrimit europian, ju përket juve në radhë të parë, pra politikës shqiptare. OSBE-ja, Këshilli i Europës apo edhe ndërkombëtarë të tjerë janë të gatshëm të ndihmojnë. Siç e patë edhe në sugjerimin e Këshillit të Europës, dy raporterët janë gati të vijnë në Shqipëri dhe ata janë sigurisht të mirëpritur, por edhe një herë mendoj se ju përket juve”, - është shprehur Bosh. I pyetur për rolin e Presidentit të Republikës në këtë situatë të vështirë për politikën shqiptare, ambasadori Bosh deklaroi se ndërmjetësimi i tij do të ishte një vendim i drejtë. “Sapo mbarova fjalën time përshëndetëse për lirinë e shtypit, të cilën duhet ta arrijmë të gjithë së bashku. Edhe në këtë çështje hapat duhet të merren nga të gjithë njëherësh, prandaj edhe sugjerimi i Këshillit të Europës për t’i dhënë një rol Presidentit ishte një sugjerim shumë i mirë. Nëse roli i tij do të ishte pozitiv dhe ai mund të luajë rol pozitiv, do të ishte gjë e mirë. Mbi të gjitha, ai është presidenti; presidenti duhet të jetë mbi palët, kështu që ai duhet të jetë në gjendje të bëjë rolin e një mediatori më të pavarur”, - është shprehur Bosh, ndërsa ka shtuar se nëse arrihet marrëveshja mes palëve, nuk ka se si të ketë shkelje të Kushtetutës.
Qëndrimi
Kjo deklaratë kreu i të prezencës së OSBE-së vjen në të njëjtën linjë me të tjera deklarata të tij të mëparshme, por edhe në të njëjtën linjë me Projektrezolutën e Asamblesë së KiE-së që pritet të miratohet në seancën e sotme. Në draft-rezolutë u bëhet thirrje partive politike që t’i japin fund krizës politike në vend. Maxhorancës i bëhet thirrje që të ngrejë menjëherë një komision hetimor parlamentar për zgjedhjet e 28 qershorit, opozitës i bëhet thirrje të kthehet në Kuvend, ndërsa presidentit Topi i bëhet thirrje që të organizojë një tryezë të rrumbullakët me përfaqësimin e të gjitha partive politike. Në këtë rezolutë shkruhet se organizimi i tryezës së rrumbullakët i hap rrugën rivendosjes së dialogut institucional dhe krijon mundësinë e gjetjes së kompromisit mes palëve për t’i dhënë fund krizës politike në vend që dëmton proceset integruese të Shqipërisë në BE.

Kryeministri rikthen kryeprokuroren në Komitetin Ndërministror kundër krimit

Këshilli i Ministrave miratoi gjatë mbledhjes së djeshme ngritjen e Komitetit Ndërinstitucional për masat kundër krimit të organizuar, trafiqeve dhe terrorizmit. Ky komitet do të monitorojë zbatimin e strategjisë kundër krimit dhe terrorizmit. Por ajo që bie në sy është rikthimi i pjesëmarrjes së kryeprokurores. Në vitin e parë të mandatit të qeverisë, kryeministri Berisha e përjashtoi kryeprokurorin dhe kryetarin e KLSH-së nga pjesëmarrja në komitetet ndërinstitucionale, dhe kjo erdhi për shkak të marrëdhënieve jo të mira mes tij dhe titullarëve të asaj kohe. Ndërsa në përbërjen e Komitetit të miratuar gjatë mbledhjes së djeshme do të jenë të pranishëm:
ministri i Brendshëm, ministri i Jashtëm, ministri i Mbrojtjes, ministri i Financave, ministri i Drejtësisë, drejtori i Shërbimit Informativ Shtetëror dhe prokurori i Përgjithshëm. “Për monitorimin e kësaj strategjie dhe për bashkërendimin e veprimtarive të institucioneve të parashikuara në këtë strategji ngrihet Komiteti Ndërinstitucional për Masat Kundër Krimit të Organizuar, Trafiqeve dhe Terrorizmit. Ky komitet kryesohet nga kryeministri dhe ka në përbërje ministrin e Brendshëm, ministrin e Punëve të Jashtme, ministrin e Mbrojtjes, ministrin e Financave, ministrin e Drejtësisë dhe drejtorin e Shërbimit Informativ të Shtetit. Në mbledhjet e këtij komiteti ftohet të marrë pjesë prokurori i Përgjithshëm. Në varësi të problematikës, kryesisht, apo me propozim të njërit prej anëtarëve, kryeministri fton edhe përfaqësues të institucioneve të tjera, të përmendura në këtë strategji. Pranë Komitetit ngrihet sekretariati teknik. Kryetari i Komitetit miraton rregulloren e tij. Komiteti mblidhet çdo tre muaj”, - shkruhet në vendimin e qeverisë.

Kryeministri Berisha: “Kërkesa e PS-së në Asamblenë e KiE-së, një akt i dënueshëm antidemokratik”

Kryeministri Berisha, gjatë fjalës së mbajtur në mbledhjen e djeshme të qeverisë, e konsideroi një akt të dënueshëm dhe antidemokratik kërkesën e Partisë Socialiste për të sfiduar kredencialet e delegacionit shqiptar, i cili ndodhet në Strasburg për të marrë pjesë në punimet e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës. Duke komentuar kërkesën e PS-së, Berisha u shpreh se ky është akti më antidemokratik dhe i paprecedent në historinë 15-vjeçare të anëtarësimit të Shqipërisë në Këshillin e Europës, duke e cilësuar atë si një kërkesë de fakto për përjashtimin e Shqipërisë nga ky forum. “Dy ditët e shkuara, në Strasburg, patën zhvillimet më të jashtëzakonshme në historinë e tempullit më të hershëm të demokracisë europiane të pas-Luftës së Dytë Botërore, Këshillit të Europës. Për herë të parë në historinë e gjatë të këtij institucioni, i themeluar, para së gjithash dhe mbi të gjitha, mbi shtyllën e zgjedhjeve të lira, përfaqësues të një vendi kërkojnë përjashtimin de fakto të vendit të tyre nga Këshilli i Europës, pas 15 vitesh anëtarësimi. Kjo përbën kërkesën më të dënueshme, më antishqiptare dhe më antidemokratike të formuluar gjatë këtyre 15 viteve ndaj Shqipërisë. Këtë kërkesë nuk e formuluan grupe marksiste-leniniste, nuk e formuluan grupe guerile apo terroriste, por e formuloi udhëheqja e partisë politike kryesore opozitare në vend”, - është shprehur Berisha. Ai ka bërë të ditur se gjatë takimeve në Strasburg, socialistët kanë thënë se do të futen në Parlament për të shpëtuar mandatet e deputetëve. “Për dijeni të publikut, shefi i delegacionit të PS-së ka deklaruar në këtë takim se ‘bojkotin do ta vazhdojmë, por në Parlament do të hyjmë për të mos humbur mandatet’”, - është shprehur Berisha, ndërsa kërkoi që PS-ja të kërkojë ndjesë për kërkesën e bërë në Asamblenë e KiE-së.
Më tej Berisha u shpreh se vendimi që dha Asambleja e KiE-së duke pranuar kredencialet e delegacionit shqiptar nuk ishte gjë tjetër vetëm përgjigjja e merituar kundër bojkotit. “Komisioni i procedurës i dha goditjen e merituar dhe fatale bojkotit dhe dëshmoi se tempulli i demokracisë nuk shpërblen dhe nuk mund të shpërblejë në asnjë rrethanë bojkotin, dëshmoi se bojkoti nuk kalon në institucionet demokratike”, - u shpreh kryeministri. Ai theksoi se është në dinjitetin e kësaj force politike të kërkojë ndjesë publike për veprimin që ka bërë. Kryeministri Berisha u bëri sërish thirrje deputetëve të Partisë Socialiste të hyjnë në Parlament, duke i garantuar për një bashkëpunim luajal, në respekt të plotë të rolit të tyre në Parlament. Pasi argumentoi prezencën e Islamit në delegacionin shqiptar, kryeministri Berisha informoi gjithashtu mbi qëndrimin e qartë kundër bojkotit që përfaqësuesit e së majtës europiane në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës kanë mbajtur në takimet me delegacionin e Partisë Socialiste. Duke cituar përfaqësuesit e Britanisë së Madhe, të Polonisë dhe Estonisë, kryeministri tha se qëndrimi i tyre ka qenë i qartë, duke e konsideruar bojkotin të rrezikshëm dhe jo një mënyrë me të cilën punohet në Europë.

Qeveria, e vendosur të bëjë regjistrimin mbi baza fetare dhe etnike

Qeveria shqiptare duket e vendosur për ta bërë regjistrimin e popullsisë mbi baza fetare dhe etnike. Gjatë mbledhjes së djeshme të qeverisë, Berisha theksoi se procesi i regjistrimit përbën një akt madhor, shumë të rëndësishëm, të reformave të vendit. Duke pasur parasysh, vijoi kryeministri, bazën e re, tërësisht elektronike mbi të cilën ky regjistrim bëhet, leverdishmëria dhe përdorimi i tij do të jetë i gjithanshëm dhe shumë i rëndësishëm. Kryeministri vuri në dukje se në këtë proces kanë ngjallur diskutime dy çështje; ajo e deklarimit të besimit fetar, si dhe çështja e deklarimit të përkatësisë etnike. Lidhur me çështjen e parë, kryeministri theksoi se falë tolerancës së shkëlqyer fetare që ka ekzistuar brez pas brezi në Shqipëri, deklarimi i besimit fetar nuk përbën asnjë problem. “Shqiptarët, edhe kur i kanë regjistruar të tjerët, edhe kur nuk kanë pasur regjistrim, janë një komb unik, për të cilin identiteti është më i lashtë me sa duket sesa vetë fetë dhe besimet fetare. Besimet kanë qenë dhe janë hyjnore, frymëzuese dhe të pazëvendësueshme, por identiteti ka qenë i veçantë. Në këtë kontekst, të mendosh se deklarimi i besimit fetar përbën një element, supozojmë përçarës fetar, kjo nuk qëndron. Nuk ka asnjë bazë reale, sepse këtu në Shqipëri, si askund tjetër, njerëz me besime të ndryshme fetare kanë jetuar në harmoni në të gjitha kohërat”, - është shprehur Berisha.
Ai shtoi se do të jetë në vullnetin e lirë të qytetarëve për të deklaruar besimin fetare që ata kanë. “Dua të shtoj se nëse ndokush nuk do të dojë të deklarojë besimin e tij, le të mos e bëjë, si dhe ai që ndihet ateist le ta deklarojë që është ateist. Nuk shoh këtu as dëmin më të vogël”, - është shprehur Berisha. Përsa i takon deklarimit të përkatësive etnike, kryeministri u shpreh se në traditën më të mirë të regjistrimeve në këtë vend, ajo ka qenë një normë konstante. “Mbreti i parë i shqiptarëve në kohërat moderne, Ahmet Zogu, në regjistrimin e tij ka pranuar që çdo shtetas i këtij vendi të shprehë origjinën e tij etnike. Mendoj se Zogu ka zbatuar standardet më të mira të kohës”, - është shprehur Berisha.

28 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›