Qeveria vendos të zgjerojë kapitalet e OSSH-së
Në mbledhjen e saj të fundit, qeveria shqiptare ka vendosur të zgjerojë me asete të reja kapitalet e OSSH-së, e cila është në proces privatizimi. Në mbështetje të Nenit 100 të Kushtetutës, të Ligjit Nr.7926, datë 20.4.1995, “Për transformimin e ndërmarrjeve shtetërore në shoqëri tregtare”, të ndryshuar, dhe të Nenit 168 e vijues dhe Nenit 181 e vijues, të Ligjit Nr. 9901, datë 14.04.2008, “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Këshilli i Ministrave vendosi: Në Vendimin Nr. 862, datë 20.12.2006, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, të bëhen këto shtesa: 1. Në fund të pikës 5 shtohet një paragraf me këtë përmbajtje: “Nga ky rregull bëjnë përjashtim kreditë ndërmjet KESH, sha-së dhe Bankës Europiane të Investimit në shumën 2,3 (dy presje tre) miliardë lekë, dhe ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Botërore, në shumën 2,68 (dy presje gjashtëdhjetë e tetë) miliardë lekë, sipas specifikimeve të përcaktuara në shtojcën 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi, detyrimet e të cilave nuk do t’i transferohen OSSH, sha-së”. 2. Pas pikës 5/2 shtohen pikat 5/3, 5/4 e 5/5, me këtë përmbajtje: “5/3. Asetet e financuara nga kreditë afatgjata, të përfunduara gjatë vitit 2008, nga KESH, sha, për OSSH, sha, në shumën 1,1 (një presje një) miliardë lekë, t’i transferohen Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes sh.a. dhe të regjistrohen në pronësi të këtij operatori. Autorizohet ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës të pasqyrojë këtë transferim në formën e uljes së kapitalit të KESH, sha-së dhe të rritjes së kapitalit të OSSH-së sh.a.-së, përkatësisht në vlerën e përcaktuar më lart. 5/4. Detyrimet afatshkurtra, për blerjen e energjisë elektrike dhe tarifën e transferimit, që OSSH sh.a.-ja ka, respektivisht, ndaj KESH sh.a.-së dhe OST sh.a.-së, deri në shumën 1 miliard lekë, të shuhen dhe të pasqyrohen si rritje kapitali e OSSH sh.a.-së. 5/5. Shuma prej 0,53 (zero presje pesëdhjetë e tre) miliardë lekë, që i korrespondon pagimit të huave afatgjata, në vitin 2008, nga KESH, sha, të pasqyrohet si rritje kapitali për OSSH, sha-në. Autorizohet ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës të kryejë veprimet e nevojshme për pasqyrimin e këtij veprimi.
7 Mars 2009