E Diel, 1 Nëntor 2026

Edi Rama i Partisë Socialiste si Jovan Bregu, po vdes për nji çikë kryeministër

27-05-2013 / Nga Rexhep Kastrati

Komedia “Pallati 176” mbahet mend, sidomos për interpretimin brilant të rolit të Jovan Bregut, apo xha Vanit, nga i madhi Roland Trebicka. Ky xha Vani e kishte një merak si e si të bëhej magazinier, për të cilin qëllim nuk la gjë pa bërë: sillte e mbështillte llafe, bënte e çka nuk bënte. Me fjalë të tjera, vdiste për i çikë magazinë, sepse siç thoshte ai, kur të bëhesh magazinier, i ke të gjitha meratë: ke autoritetin, dinjitetin, Jovan Bregu andej, Jovan Bregu këndej, e kështu me radhë. Por ai kishte një problem: drejtori nuk e honepste dot për shkak se ky xha Vani, edhe ishte dembel, edhe kalonte kohën me llafe, duke i përgojuar të gjithë. Gjithë kohën rrinte si e si të bënte mbrapshti e intriga. Edhe letër anonime bëri dhe iu futi drejtorit nën derë. Kur u mor vesh se djali i tij kishte lidhje dashurore me të bijën e drejtorit, dhe kur drejtori i tha se do degdisesh në Borizanë, xha Vani tha se dy vetë nga një familje nuk bën në një ndërmarrje.
Mirëpo, edhe pse xha Vani nuk është më, ai ka sozinë e tij politike, ka Edi Ramën, sepse Edi Rama, sikurse xha Vani është një dembel, një thashethemaxhi, dhe vdes për t’u bërë i çikë kryeministër. Sikurse xha Vani që nuk la gjë pa thënë për të tjerët, edhe Edi Rama nuk la gjë pa thënë kundër kryeministrit Berisha, nuk la gjë pa thënë për mënyrën e qeverisjes së demokratëve, nuk la gjë pa thënë kundër investimeve të huaja. Por jo vetëm kaq: njësoj si xha Vani që nuk la gjë pa bërë kundër ndërmarjes, Edi Rama nuk la gjë pa bërë kundër interesave të shtetit dhe të kombit, nuk la pa bllokuar ato që mundi. Edi Rama shpifi për anëtarësimin e shtetit shqiptar në NATO, shpifi për liberalizimin e vizave. Nga zyra e tij dolën deklarata sipas të cilave po qe se bëhet liberalizimi i vizave me BE, një milionë shqiptarë do të vërshonin në Evropë. Dhe po këtë shpifje po e bën edhe tash, duke thënë se Saliu do t’i heqë vizat me SHBA-të për të ikur të gjithë shqiptarët, dhe për të mbetur vetëm Saliu me rrugët e veta. Edi Rama shpifi për krizën ekonomike në shtetin shqiptar, duke e paraqitur vendin si të ishte në një mjerim të madh ekonomik. Thuajse nuk la konferencë me gazetarë që e ka mbajtur ai, apo edhe sejmenët e tij, pa thënë se Shqipëria është në krizë, kurse tash në fushatën zgjedhore jo vetëm se nuk po e përmend krizën ekonomike, por gati çdo takim zgjedhor, po e shndërron në dasëm dhe në atmosferë luksi që do ia kishin lakmi edhe politikanët perëndimorë,  e lë më të rajonit. Në anën tjetër, Edi Rama, e ka zgjidhur qesen dhe po bën premtime aq të mëdha, aq të bukura dhe aq komuniste, sa që në një vend me krizë ekonomike, siç e kishte shpallë shtetin shqiptar, nuk do të kishte gjasa të realizoheshin as gjysma.
Për t’u bërë i çikë kryeministër, Edi Rama jo vetëm që ka shpifur, jo vetëm që ka përhapur thashetheme, por edhe është bërë hajn politik. Dhe kur them këtë nuk kam parasysh hajnitë eventuale si kryetar bashkie, as përpjekjen për të vjedhur një vend anëtar në KQZ nga Berisha dhe për ta marrë për vete, por e kam fjalën për vjedhjen që ia ka bërë konceptit të Berishës për taksa të ulëta. Në tubimet e tij zgjedhore, Edi Rama po premton sistem shëndetësor komunist, po premton biznes të vogël pa taksa, po premton përgjysmim taksash etj. Me fjalë të tjera, nga kritikuesi i modelit qeverisës me taksa të ulëta të zbatuar nga kryeministri Berisha dhe qeveria e tij, Edi Rama ka klauar në propaganduesin e zjarrtë të këtij modeli. Duket se dëshira për t’u bërë i çikë kryeministër, sikurse xha Vani për t’u bërë i çikë magazinier, e ka shtyrë Edi Ramën që të mos zgjedhë asgjë për t’ia arritur qëllimit. Mirëpo, Edi Rama, sikur ka harruar se me këtë fushatë që është duke e bërë, me premtimet që po i bën, po e nxjerr veten një shpifarak, një thashethemexhi dhe një intrigant i tillë, që edhe xha Vani do t’ia kishte lakmi. Është kështu, se me fushatën zgjedhore që po bën, po dëshmon se ai ka shpifur kur ka thënë se vendi është në krizë, se paska shpifur kundër modelit me taksa të ulëta, pasi që të njëjtin po e premton edhe vetë, dhe ka mbetur një politikan antiamerikan, antievropian dhe antikombëtar. Propaganda se po u liberalizuan vizat me SHBA-në, do të ikin të gjithë shqiptarët, është e njëjtë me propagandën e bërë kundër liberalizimit të vizave me BE-në, kur thoshte se do të ikin një milionë shqiptarë, dhe e paraqet atë antiamerikan, antievropian dhe antikombëtar, sepse kështu, ai vetëm sa po shpërfaq mendësinë enveriste të izolimit të shtetit dhe të kombit.
Edi Rama, ndërkaq, nuk i ka vetëm këto ngjashmëri me xha Vanin, dhe nuk janë vetëm këto që e bëjnë atë Jovan Bregun e politikës shqiptare, por ka edhe të tjera ngjashmëri. Sikurse Jovan Bregu që pas vendimit të drejtorit për ta degdisur në Borizanë, tha se dy vetë nga një familje nuk bën në një ndërmarrje, edhe Edi Rama i tha Agron Dukës se dy vetë të afërt nuk bën të kandidohen në një parti.
Por e keqja më e madhe është se Edi Rama i yshtur nga dëshira për t’u bërë i çikë kryeministër, ia ka kaluar edhe Jovan Bregut, sepse për dallim nga ky i fundit, Edi Rama nuk la njeri pa kërcënuar me gjyqe, me dënime dhe me gijotinë, kurse ndaj kuadrit arsimor, ka filluar të bëjë edhe letra anonime nëpërmjet të të cilave, ka filluar t’i terrorizojë psikikisht. Derisa Jovan Bregu, duke u arsyetuar për letrën anonime që kishte bërë, thoshte se nuk kisha bërë ndonjëherë nga këto anonimet, nuk ka garanci se Edi Rama nuk ka bërë ndonjë të tillë, qoftë për kundërshtarët politikë, qoftë për ata që i ka apo i ka pasur në parti. Kur ta vrasin frikën, ndoshta do të dalin shumë socialistë të ndershëm që do të dëshmojnë se kanë marrë letra anonime nga Edi Rama, por tash për tash shqetësimi është se iu është gjuajtur më qafë punonjësve të arsimit, të cilët janë vërtet në pozitë të vështirë, pasi që nuk janë në moshë që të mos kenë të drejtë t’i shpërfaqin pikëpamjet e tyre politike, por as në listën e punonjësve të sektorit publik që nuk u lejohet pjesëmarrja nëpër tubime zgjedhore, por që çdo pjesëmarrje e tyre në tubime, përcillet me kërcënimet e Edi Ramës ndaj tyre. Dhe këto kërcënime bëhen si në kundërshtim me ligjet e shtetit shqiptar, si me të drejtën ndërkombëtare për të drejtën e qytatarëve për të pasur bindjet e tyre dhe për t’i shprehur ato publikisht, por Edi Rama i përfshirë nga dëshira për t’u bërë i çikë kryeministër, nuk do t’ia dijë as për ligje, as për liri, as për demokraci, as për drejtësi.
Po të ishte gjallë Jovan Bregu dhe i ulur para televiziorit, tek sheh Edi Ramën se si po ia kalon atij me mbrapshti e intriga, do të mund të thoshte: Eu bre Jovan Bregu, ky Edi Rama po ta kaloka për nga mbrapshtitë dhe intrigat!

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›