Maqedonasit në panik, po shohin se po kthehen në minorancë
ESHS sërish ka dhënë alarmin - qindra fshatra dhe vendbanime në pjesën e Pellagonisë, por edhe në Maqedoninë Lindore, kanë mbetur me nga pesë deri më dhjetë banorë, kryesisht të moshuar mbi 70 vjeç. Në Shkup, pjesëmarrja e shqiptarëve në lindjet e foshnjave ka shënuar 38 për qind, derisa maqedonasit me 46 për qind nga numri i përgjithshëm i lindjeve. Saraji ka shënuar rritjen më të madhe të banorëve në vitin 2012 - 455 banorë më shumë se sa në 2011, e pasuar nga Çairi, Tetova, Studeniçani...
Zvogëlimin e numrit të maqedonasve etnik, e quajtur ndryshe edhe si “mortaja e bardhë” s’ka kush e ndalë. Qindra fshatra dhe vendbanime në pjesën e Pellagonisë, por edhe në Maqedoninë Lindore - kanë mbetur me nga pesë deri më 10 banorë, kryesisht të moshuar. I tillë është edhe fshati Skoçivir i Manastirit, dikur me 500 banorë, që tani të mbesin vetëm pesë, edhe atë mbi 70 vjeç. Fshati, siç thonë ata pak të moshuar, ngjallet vetëm fundjavave, kur të afërmit e tyre të rinj vijnë për të vizituar dhe kujtojnë si kurrë më parë këtë fshat rrëzë malit Nixhe, kur kishte shumë më tepër njerëz. Skoçiviri, një nga 40 fshatrat e Komunë Novaci të Manastirit, është vetëm një shembull i trendit jashtëzakonisht shqetësues demografik në këtë rajon, e cila tani po bartet edhe në qytetin e Manastirit. Nëse dikur zbrazeshin zonat rurale, tani zbrazja po ndodhë edhe në zonat urbane, alarmojnë demografët maqedonas. Të dhënat e fundit të Entit Shtetëror të Statistikës tregojnë se Raporti midis numrit të vdekjeve dhe lindjeve në Manastir u mbyll me një rekord tjetër të radhës. Manastiri në 2012, ka 438 banorë më pak se sa kishte në 2011, trend ky që po vazhdon tatëpjetën. Madje, Enti Shtetëror i Statistikës, raportin e mbështet edhe në uljen e numrit të nxënësve maqedonas. Nëse shkollat fillore të Manastirit, tridhjetë vjet më parë kishin nga gjashtë deri në shtatë paralele për çdo vit klasor, sot ata janë dyfish më pak. Gjimnazet në atë kohë kishte 13 klasa paralele për një vit, e sot mezi kanë nga katër. Edhe spitali i Manastirit konfirmon se numri i lindjeve në këtë qytet është ulur dukshëm, madje më shumë se sa është paraparë nga demografët. “Vitin e kaluar (2012) ka pasur 1208 lindje, ndërsa një vit më parë (2011) kemi pasur 1343 foshnja, që do të thotë se vitin e kaluar ka pasur rreth 100 më pak. Por edhe në të gjitha maternitetet e tjera në qytetet e shumicë maqedonase situata është e njëjta”, është shprehur pediatrja kryesore e Manastirit, Meri Xharlieva. E njëjta situatë me Manastirin paraqitet edhe në komunat fqinje që i përkasin rajonit të Pellagonisë - Demir Hisarit, Krivogashtanit, Krushevës, Prilepit, Resnjës... Madje, “mortajës së bardhë” nuk i kanë shpëtuar as Qyteti i Shkupit, konkretisht komunat me shumicë maqedonase. Kështu, në Komunën e Karposhit të Shkupit, numri i banorëve në 2012 krahasuar me vitin paraprak ka rënë për 118 persona, në Demir Hisar për 89, Ohri ka shënuar një minus për 87 banorë, Kisella Vodë dhe Resnja për 82, Gjevgjelia minus 57 banorë. Problem me natalitetin paraqitet edhe në Berovë dhe Pehçevë. Në Berovë, në vitin 2012, janë lindur 89 fëmijë maqedonas, kurse kanë vdekur 137 banorë. Në Pehçevë, lindjet kanë shënuar 27 fëmijë, ndërsa vdekjet 70 banorë. Por, ndryshe ndodhë te komunat me shumicë shqiptare. Numrat zyrtar të Entit Shtetëror të Statistikës tregojnë se për çdo vit, numri i lindjeve të foshnjave të etnitetit shqiptarë është shumë më i madh se sa numri i vdekjeve. Saraji, sipas Entit Shtetëror të Statistikës, ka rritjen më të lartë të numrit të banorëve në 2012 krahasuar me 2011-ën (455 banorë më shumë), Çairi ka regjistruar 437, Tetova 436, dhe Studeniçani 412 më shumë lindje se sa vdekje. Rritja në Komunën e Likovës ka regjistruar 263 banorë më shumë se 2011, Gazi Baba me 231, Kumanova 202, Zhelina 201 dhe Haraçina me 185 më shumë banorë në 2012 se sa viti paraprak. Praktikisht, skena është një prirje e re - në qoftë se deri kohët e fundit, tek maqedonasit ka rënë popullsia në zonat rurale, tani një proces i tillë po ndodh në shumicën e qendrave urbane, në të cilat me kalimin e viteve, ka pasur valë të migrimit të njerëzve nga fshatrat për shkak të arsyeve të ndryshme, por edhe për shkak të numrit më të vogël të martesave, si dhe numrit të ulët të lindjeve në këtë etnitet. Në rajonin lindor të Maqedonisë, ESHS raporton se në 11 komuna, ka rritje negative të popullsisë, njëjtë sikur në verilindje.
Donço Gerasimovski, ish-drejtor i Entit Shtetëror të Statistikës, thotë se pavarësisht masave të marra, pritjet nuk janë të favorshme me “mortajën e bardhë”. “Lëvizjet që u panë vitin e kaluar, na jep një paralajmërim se kemi akoma punë për të bërë. Sepse, situata është jashtëzakonisht shqetësuese. Patjetër të merren parasysh mundësitë për zhvillimin rajonal, qendrat rurale dhe pastaj të përgatiten masat”, thotë për mediat maqedonase, Gerasimovski. Edhe profesori universitar, Nikola Panov, thotë se lëvizjet demografike viteve të fundit, tregojnë se rezultatet mund të jenë edhe më shqetësuese. “Është e qartë se trendi i viteve të fundit vazhdon. Prirjet demografike nuk mund të kthehet brenda natës, por është e nevojshme kohë më e gjatë”, tha Panov. Ndryshe, Gerasimovski dhe Panov janë pjesë e ekipit të ekspertëve që po punojnë për përgatitjen e një strategjie të re për zhvillimin demografik të Maqedonisë.
Shqiptarët e Shkupit arrijnë 38 për qind të lindjeve/Të dhënat e ESHS për vitin e kaluar tregojnë se në Shkup, numri i maqedonasve etnikë ka rënë për 186 banorë, ndërkohë që numri i shqiptarëve është rritur për 2164. Në kryeqytet, numri i të lindurve etnik maqedonas në 2012 ka arritur në 3.634, ndërsa kanë vdekur 3.820. Në ndërkohë, në të njëjtin vit, foshnje nga prindër shqiptarë në Shkup kanë lindur 2960, ndërsa 799 shqiptarë tjerë kanë vdekur. Kështu, pjesëmarrja e shqiptarëve në lindje paraqet 38 për qind nga numri i përgjithshëm i lindjeve, ndërkohë që maqedonasit me 46 për qind.
Marrë nga e përditshmja e Shkupit “Koha”