E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama shpik arsye të reja për bllokimin e statusit

28-08-2012 / Nga Artur Bego

Pasi bllokoi përmbushjen e 12 rekomandimeve, me paralizimin e nismës për heqjen e imunitetit, Edi Rama ka kapërcyer vijën e kuqe, duke shpikur një alibi të re, për të cilën Shqipëria s’duhet ta marrë statusin e kandidatit për në BE. Në një letër të paprecedentë që kasnecët e kreut të PS në parlament, i drejtojnë kreut të Shtetit, theksohet se vendi ynë ka probleme me fqinjët e se marrëdhëniet me Greqinë e mbajnë peng statusin. Ky qëndrim paralizon investime të mëdha energjetike në rajon, por edhe bie ndesh me vlerësimin që NATO i ka bërë vendit tonë, si një faktor stabilizues në rajon


Edi Rama bëri disa javë më parë një gafë që ishte e pa parë dhe e pa dëgjuar. Me një letër, që edhe vetë e dinte se nuk do ti mbërrinte ndonjëherë ndonjë përgjigje që ai të kishte kurajën më pas ta bënte publike (përgjigjen e mundshme), ju drejtua Kancelarit të Austrisë, të cilit i kërkonte të tërhiqte kompaninë austriake, mundshëm fituese, nga gara e lotarisë kombëtare në Shqipëri. Si e paprecedentë kjo letër, ende ka mbetur pa përgjigje. Por dje, sërish Edi Rama ripërsëriti gafën e tij, por këtë herë letrën e shkruar prej tij, drejtuar Presidentit të Republikës Bujar Nishanit nuk e kishte nënshkruar vetë, por ia kishte deleguar këtë budallallëk të radhës Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste. Me shumë gjasa letra e djeshme e Edi Ramës në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste nuk do të ndesh në injorimin e letrës adresuar Kancelarit të Austrisë. Sipas edhe paralajmërimit të vetë Presidentit Bujar Nishani, “në respekt të plotë, që meriton opozita me mbërritjen e letrës, sepse nuk ka mbërritur ende, ajo do të ketë përgjigjen e saj”. Dy gafa, në dy letra të hedhura e zeza mbi të bardhë, janë shumë në një kohë shumë të shkurtër…, të themi disa javore. Larg qëllimeve të vërteta të letrës së parë, përgjigjen e së cilës me heshtjen nga Austria, Edi Rama duket se e ka marrë me mend, letra e djeshme në dukje ndërsa paragjykonte që na fjalinë e parë të saj Presidentin e Republikës, të linte përshtypjen edhe të një pretence ndaj tij, për të mos thënë kërkim llogarie, apo më keq akoma, Edi Rama në emër të Grupit Parlamentar i Partisë Socialiste shpërndante leksione se si Presidenti duhet të ushtrojë detyrën e tij. Nuk dihet në se kjo “eksperiencë” e Edi Ramës, në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, ka një të kaluar nga marrëdhëniet e tyre me ish-presidentin Bamir Topi, të cilit nuk ishte e nevojshme ti drejtoheshin publikisht, por ai i bënte të vetat gjithmonë leksionet e tyre… Por e vërteta është se me letrën e djeshme “gjetkë flinte lepuri”. Me letrën e djeshme të Edi Ramës në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, adresuar Presidentit të Republikës, nuk ishte halli i vërtetë i “një gazetari të mirënjohur shqiptar”, sepse raste të tilla ka pasur, biles edhe me gjyqtarë, por që asnjë shqetësim nuk mbahet mend të ketë mbërritur nga ai/ata (Edi Rama/ Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste) në adresë të ish-presidenti Bamir Topi. Me letrën e djeshme të Edi Ramës në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, adresuar Presidentit të Republikës, nuk ishte as halli i vërtetë, “marrëveshja për përcaktimin e kufijve detarë”, sepse për këtë marrëveshje nuk ka asnjë negociatë deri tani, garanci (për këto mos-negociata) që i kanë dhënë si Ministri i Jashtëm, edhe Kryeministri, por edhe Presidenti, jo më larg se dje. Këtë e dinë mirë edhe Edi Rama edhe Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste si firmëtarë të letrës së kryetarit të partisë së tyre, megjithëse ju pëlqen, herë veç e veç dhe herë në bllok, të bëjnë rolin e budallait, apo të atij që s’kupton, për të mos thënë rolin e “të dashuruarit” me gënjeshtrat e veta. Dhe në funksion të kësaj tjerrin e sajojnë gënjeshtra pas gënjeshtra, këtë herë jo vetëm për “të mbajtur në këmbë” të parën. Dhe më e madhja gënjeshtër ishte ajo e djeshmja… Edi Rama, pasi bllokoi përmbushjen e 12 rekomandimeve, me paralizimin e nismës për heqjen e imunitetit, dje me ndihmën e firmëtarëve të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, kapërceu vijën e kuqe, duke shpikur një alibi (gënjeshtër) të re, për të cilën Shqipëria s’duhet ta marrë statusin e kandidatit për në BE. As më shumë e as më pak, kjo alibi (gënjeshtër) e fshehur në letrën e paprecedentë drejtuar Kreut të Shtetit, ngrinte tymnajën se vendi ynë ka probleme me fqinjët e se marrëdhëniet me Greqinë e mbajnë peng statusin. “Por ne besojmë po ashtu, se incidente të tilla, për më tepër të përsëritura pa asnjë lloj motivi të qenësishëm, ushtrojnë një ndikim tejet negativ në marrëdhëniet mes vendeve tona duke helmuar opinionin publik dhe duke krijuar idenë se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë nuk kanë në themel të tyre parimin e barazisë dhe respektit të ndërsjellë, trajtimin e njëtrajtshëm dhe reciprok të shtetasve që në çadrën e integrimit europian, detyrimeve ndërkombëtare të ndërsjella dhe lëvizjes së lirë, përbëjnë parime të patjetërsueshme”. Kjo frazë e shkëputur nga letra e djeshme e Edi Ramës, në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, e mbushur me “helme” dhe “ide”, drejtuar Presidentit Bujar Nishani, ishte halli i vërtetë dhe më i madh i kreut të PS-së. Por ky hall, mbetet vetëm i Edi Ramës, me gjithë tentativën për ta shpërndarë te Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste. Dhe ky hall, për deri sa është vetëm i Edi Ramës, përpos qëndrimit të tij, në tentativë për të paralizuar investimet e mëdha energjetike në rajon, një herazi bie ndesh me vlerësimin që NATO i ka bërë vendit tonë, si një faktor stabilizues në rajon... Kaq mjafton për të risjellë në vëmendje atë frazën popullore..., “qentë le të lehin, karvani të ecë përpara”...

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›