DASH: Shqipëria, një shtet që po bashkëpunon agresivisht me SHBA-në për të luftuar celulat terroriste
Publikohet raporti vjetor i Departamentit Amerikan të Shtetit lidhur me terrorizmin në botë
Departamenti amerikan i Shtetit e ka vlerësuar maksimalisht bashkëpunimin e Shqipërisë me organizmat ndërkombëtare në luftë kundër terrorizmit. Në kuadër të luftës kundër terrorizmit raporti përmend procesin në gjykim e sipër ndaj pronave të Jasin al Kadi , i akuzuar për financim të terrorizmit. Si dhe rasti i arrestimit të Artan Kristos të akuzuar për thirrje dhe propagandë për veprime terroriste. Departamenti amerikan i shtetit vlerëson si pozitive arritjet e e Shqipërisë për të forcuar kufijtë dhe të luftojë krimin e organizuar dhe korrupsionin. Në raportin e përvitshëm të këtij departamenti theksohet shprehimisht se Shqipëria po punon në mënyrë agresive me SHBA-në dhe vendet e tjera për të luftuar terrorizmin. Raporti thotë se “Shqipëria ka rritur numrin e trupave në Afganistan dhe ka ngrirë llogaritë bankare që kanë të bëjnë me pastrim parash dhe financimin e terroristëve, dhe në mënyrë agresive po punon me SHBA- në dhe vendet e tjera për të luftuar terrozimin”. “Shqipëria ka bërë progres në identifikimin e dobësive në pikat kufitare dhe detare, por qeveria dhe forcat e policisë vazhdojnë të përballen në forcimin e sigurisë së kufijve dhe të luftojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin” - thotë raporti. Në dokumentin e DASH konstatohet se në tetor të vitit të kaluar ministria e Financave kishte deklaruar ngrirjen e asesteve të 6 individëve dhe të 14 fondacioneve dhe kompanive të përfshira në listën e 1267 personave në listën e terroristëve të shpërndarë nga SHBA. Megjithatë, duke u ndalur tek kufijtë e arritjeve, raporti gjen rastin edhe për të gjetur arsyet se pse s’ishte bërë më shumë, dhe ato gjenden tek “mungesa e infrastrukturës dhe e të dhënave për t’i përpunuar dhe menaxhuar rastet e tilla” - thuhet në raportin që departamenti amerikan publikoi sot në kuadër të luftës kundër terrorizmit.
...