Odeta Nishani: Sëmundja nuk e pengon aspak presidentin. Liri Berisha, Zonja e Parë me profilin më të plotë
Në një intervistë për gazetën Shekulli, Zonja e Parë Odeta Nishani sqaron se sëmundja nuk e pengon aspak Presidentin Nishani në punën e tij.
Ajo tashmë është e kaluar dhe unë i lutem Zotit që ta ndihmojë në detyrën fisnike të kreut të shtetit, thotë ajo.
Më pas Odeta Nishani rrëfen për ndryshimet gjatë jetës së saj dhe pohon se jeta ka të papritura, të cilat as familjes së saj nuk i kanë munguar.
E pyetur se cilën nga Zonjat e Para dëshiron të ndjekë si model, ajo shprehet se i pëlqen Michelle Obama për tipin sportiv, karakterin e fortë dhe sigurisht ngjyrat që vesh.
Ndërsa për Zonjat e Para të Shqipërisë ajo mban këtë qëndrim: Secila ka pasur profilin e saj, por zonja Berisha në gjykimin tim ka pasur dimension të plotë dhe më aktiv.
Ajo ka vijuar të rrëfejë jetën presidenciale ku ndër vesin më të keq të bashkëshortit rendit neglizhencën e pushimeve dhe ndër vlerësimet pozitive përfshin sinqeritetin dhe karakterin e tij.
Ajo gjithashtu ka pohuar se kënga e preferuar nga të dy është kënga e tenorit italian Andrea Bocelli Vivo per te.
Odeta Nishani ka sqaruar se familja presidenciale nuk do të jetojë në Pallatin e Brigadave.
Presidenti i Shqipërisë me familjen nuk jeton në pallatin e Brigadave. Nuk e di pse të gjithë këtë pyetje ma bëjnë kështu. Është një rezidencë qeveritare, e cila po rikonstruktohet . Më pas ne do të zhvendosemi atje, pohon Zonja e Parë.
Ajo punon në Departamentin e Statistikave në Ministrinë e Turizmit dhe thekson se kontributi i saj do të jetë në zhvillimin e turizmit, trashëgimisë kulturore dhe ruajtjen e mjedisit, pa lënë mënjanë angazhimet për bamirësi që realizojnë zonjat, të cilat kanë këtë status.