Bregu ia kërkon si nder Sannino-s: Bëhet apo nuk bëhet?
Qeveria shqiptare ka paraqitur përgjatë dy ditëve në Bruksel një dokument-analizë për përmbushjen e 12 rekomandimeve për marrjen e statusit të vendit kandidat. Në një interviste telefonike për Vizion Plus, ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, ka sqaruar se në raport me kërkesat e Komisionit Evropian janë shënuar mjaft hapa pozitivë, që janë vlerësuar edhe nga zyrtarë të lartë të Brukselit. Sipas ministres, klasa politike ka ende disa javë kohe për të plotësuar edhe kriteret e tjera, një ndër të cilët është kufizimi i imunitetit. Bregu ka theksuar se maxhoranca do të tentojë konsensusin në parlament, por referendumi mbetet një mundësi. Raporti i Komisionit Evropian që propozon dhënien ose jo të statusit të vendit kandidat do të publikohet në 10 tetor. Deri në këtë date qeveria dhe parlamenti kane ende disa javë kohe për të plotësuar detyrimet e parealizuara.
Ndërkohë kamera e Fiks Fare ka fiksuar momentin kur ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, komunikon me drejtorin e Përgjithshëm për Zgjerimin në KE, Stefano Sannino. Në komunikimin informal, Bregu dëgjohet duke i thënë Sannino-s: Bëhet apo nuk bëhet (si fa o non si fa), duke iu drejtuar në gjuhën italiane. Nuk dihet nëse kjo frazë i referohet marrjes së statusit kandidat apo jo.