Prokuroria nis procedim për tre persona, premtonin ndërhyrje në Gjykatën e Lartë
(E PERDITESUAR)- Prokuroria e Fierit ka nisur procedim penal për tre persona, të cilët premtonin ndërhyrje në Gjykatën e Lartë. Mësohet se tre personat kishin premtuar ndërhyrje për çështjen e Vilson Mellarajt, i dënuar me 20 vite burg për vrasje. Personat e vendosur nën akuzë nga prokuroria janë Agron Lumeshi, Enard Lushaka dhe Renato Mellaraj.
Personi që premtonte ndërhyrje ishte Agron Lumeshi, i afërm i drejtuesit të trupës gjykuese.
Njoftimi i Prokurorisë
Prokuroria e rrethit Gjyqësor Fier, ne mbështetje të nenit 331 të Kodit të Procedurës Penale, ka paraqitur për gjykim pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier, procedimin penal Nr. 165 të vitit 2011 në ngarkim të të pandehurve:
1. Agron Lumeshi, lindur ne B. Curri dhe banues në Kamëz, Tiranë.
2. Enard Lushakaj, lindur në Fier dhe banues në Tiranë,
3. Renato Mellaraj, lindur në Fier dhe banues në Fier
për kryerjen e veprës penale: Ushtrimi i Ndikimit të Paligjshëm ndaj Personave që ushtrojnë Funksione Publike, parashikuar nga neni 245/1, paragr. II-të i Kodit Penal.
Në bazë të veprimeve hetimore me mjete speciale të hetimit, duke realizuar përgjime telefonike, ka rezultuar se këta shtetas në bashkëpunim me njëri tjetrin kanë ushtruar ndikim të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike për të favorizuar lirimin nga burgu të shtetasit Vilson Mellaraj, i dënuar me 20 vite burgim për vrasje. Çështja ndaj shtetasit Vilson Mellaraj, i cili akuzohej se në vitin 1999 në Athinë, kish vrarë me armë zjarri shtetasin Dorjan Sula dhe kish plagosur shtetasin Sravri Lalo, ish gjykuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës me vendimin Nr.57 datë 02.02.2009, dhe nga Gykata e Apelit Durrës me vendimin nr 125, datë 21.04.2010, të cilat e deklarojnë fajtor. Kundër këtij vendimi, i dënuari ka ushtruar rekurs në Gjykatën e Lartë ku është regjistruar çështja me Nr. 52104- 00694-00-2010 datë 26.05.2010. Gjykata e Lartë në janar 2011 ka vendosur kalimin për gjykim të rekursit të të dënuarit Vilson Mellaraj.
Nga veprimet hetimore me mjete speciale të hetimit, rezulton se shtetasit Enard Lushakaj dhe Renato Mellaraj, interesohen te të njohurit e tyre për të mbledhur shuma të konsiderueshme të hollash, të cilat duhet ti paguanin për të zgjidhur çështjen në favor të të dënuarit në Gjykatën e Lartë.
