Minierat, 61 aksidente me pasojë vdekjen në 11 vjet
Aksidentet në miniera janë bërë shpesh herë shkak për humbjen e jetës në to të minatorëve por edhe të qytetarëve të tjerë, të cilët hyjnë pa leje me qëllim mbledhjen e mineralit. Nisur numri i lartë i të vdekurve nën tokë, deputetët socialist i kanë drejtuar ministrit të Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës, Nasip Naço për të marrë njëkohësisht edhe një informacion zyrtar për ecurinë e përgjithshme të këtij sektori duke filluar nga viti 2000. Referuar përgjigjes së kthyer nga Naço, mësohet se që prej kësaj periudhe kanë ndodhur 61 aksidente me pasojë humbje jete.
Pjesa dërrmuese e tyre kanë ndodhur pas vitit 2005, periudhe gjatë të cilës pati një rritje të numrit të lejeve minerare të lëshuar. Janë plot 42 aksidente të ndodhura gjatë kësaj periudhe, ndërsa pjesa tjetër kanë ndodhur përgjatë viteve 2000-2005. pjesa më e madhe e aksidenteve kanë ndodhur në zona të licencuara, 41 të tillë, kurse pjesa tjetër në zona ku ushtrohet aktivitet minerar të palicencuara. Edhe pse deputetët kanë kërkuar numrin e minatorëve të vdekur në miniera, METE në fakt ka dhënë numrin e aksidenteve me pasojë vdekjen. Nisur nga kjo, numri i minatorëve që kanë dhënë jetën qindra dhe mijëra metra nën tokë gjatë këtyre 11 viteve është shumë më i madh.
Mjafton të kujtojmë një aksident në ndodhur në vitin 2004 në minierën e Selenicës në Vlorë në të cilin humbën jetën 7 minatorë. Krahas kësaj, galeritë e kromit në Bulqizë janë kthyer në burim të vazhdueshëm vdekjesh ku herë pas here shënohen aksidente fatale. Verifikimet kanë treguar që një pjesë e aksidenteve kanë ndodhur për shkak të mungesës së investimeve nga kompanitë koncesionare, ndërsa vlen për tu theksuar se jo të gjithë ata që vdesin nëpër miniera janë minatorë. Një pjesë e tyre janë qytetarë të thjeshtë që hyjnë nëpër miniera të braktisura për të mbledhur krom. Nuk kanë munguar edhe rastet e vdekjeve nga shembjet e masivëve me krom në sipërfaqe nga gërmimet me qëllim mbledhjen e tij.