E Shtunë, 31 Tetor 2026

Oferta e TKK-së për 2010

Teatri Kombëtar i Kosovës tashmë e ka të qartë se cilat do të jenë dramat shqiptare dhe ndërkombëtare që do të inskenohen në këtë teatër gjatë sezonit të vitit 2010.

E gjitha është bërë e qartë qysh në fund të vitit 2009, ndërsa programin artistik për vitin 2010, i propozuar nga Drejtori Artistik, Jeton Neziraj, ka marrë bekimin e Këshillit Drejtues të këtij teatri.

Kështu projektet që barten nga viti 2009 në vitin 2010 janë: “Macja në çatinë e nxehtë”, shkruar nga Tenesi Uilliams, me regji të Florent Mehmetit dhe “Revizori” nga Gogoli.

Ndërsa dramat që janë pjesë e projektit të vitit 2010 janë: “Peer Gynt”, shkruar nga dramaturgu skandinav Henrik Ibsen; pastaj: “R'N' ROLL”, shkruar nga Tom Stoppard dhe në fund: “Lidhje gjaku”, shkruar nga autori Sharon Pollock.

Ndërsa sa i përket inskenimit të dramave shqiptare, në Teatrin Kombëtar do të inskenohen teksti: “Zoti maskohet si mëzat” i autorit Rushit Ramabaja, pastaj
“Beselam pse më flijojnë”, i shkrimtarit Rexhep Qosja.

Në këtë mes do të gjendet edhe drama fituese e konkursit “Katarina Josipi” për vitin 2010.

Por, Teatri Kombëtar i Kosovës ende nuk ka bërë selektimin e regjisorëve që do t’i inskenojnë këto shfaqje. Ndërkohë, tashmë dihet vetëm emri i një regjisori i cili do të inskenojë njërën prej shfaqjeve të TKK –së. Ai është regjisori Slobodan Unkovski, nga Maqedonia, i cili pritet ta inskenojë tekstin e dramaturgut Ibsen, “Peer Gynt”.

“Jemi në proces të selektimit të regjisorëve, ndërsa në parim për disa dihet, por shumicën jo. Përderisa nuk i precizojmë nuk kemi dashur t’i bëjmë publike pasi disave mund t’i pëlqejë e dikujt jo teksti”, tha Jeton Neziraj, Drejtor artistik i TKK-së.

Gjatë vitit të kaluar Drejtori Artistik i këtij Teatri ishte kritikuar nga shumë qarqe artistësh pse drama shqiptare është lënë anash. A është hequr kjo dilemë?

“Shfaqje ka pasur dhe kanë qenë tri drama shqipe dhe mendoj se ka qenë e mjaftueshme duke e pasur parasysh faktin që niveli i dramës shqipe është ende në ngritje”, tha Neziraj. Sipas Neziraj për të treguar se TKK është në servil të dramës shqipe atëherë është konkursi i dramës shqipe “Katarina Josipi”.

”Ata të cilët e kanë kuptuar këtë po konkurrojnë dhe mendoj se sivjet ka pasur një kualitet më të madh dhe drama shqipe ka nevojë për një stimulim, ka nevojë për rifreskim me emra të rinj, me qasje të reja”, tha Neziraj.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›