E Shtunë, 31 Tetor 2026

Oficeri i Policisë sulmohet nga nxënësit pas provimit

Gjimnazi ku ndodhi ngjarja

DURRES – Një oficer policie mbeti i plagosur rëndë, pasi është goditur me mjete të forta nga një grup nxënësish të klasës së 9-të. Ngjarja e pazakontë është zhvilluar në ambientet e gjimnazit Gjergj Kastrioti në Durrës dhe ka pasur për protagonist një grup nxënësish dhe oficerin e Policisë, Artan Isufi, 28 vjeç. Ky i fundit ka marrë plagë të rënda në pjesë të ndryshme të trupit dhe është dërguar menjëherë në spital nga kolegët e tij. Mjekët thanë se, përveç të çarave dhe plagëve të shumta të gjetura në trupin e oficerit, u konstatuan edhe thyerje. Mësohet se Isufi ka rënë nga një lartësi e konsiderueshme dhe, si pasojë, ka thyerje në këmbën e majtë. Gjithçka ka nisur pas përfundimit të provimit të matematikës që klasat e 9-ta zhvillonin gjatë ditës së djeshme. Oficeri u kishte kërkuar një grupi prej 4-5 djemsh të mos bënin zhurmë dhe të dilnin përjashta, në mënyrë që të mos shqetësonin shokët e tyre, por kjo është marrë si ofendim nga djemtë dhe kanë refuzuar. Aty gjakrat janë ndezur dhe nuk ka vonuar të nisë sherri. Përballë oficerit kanë qenë disa adoleshentë, të cilët e kanë sulmuar fizikisht. Pasi ka marrë disa goditje, polici ka humbur ekuilibrin dhe është rrëzuar nga një lartësi e shkallëve, ku dhe pësoi dëmtimin e rëndë. Zhurmat kanë nxjerrë nga sallat nxënësit dhe mësuesit, ndërsa është lajmëruar policia dhe ambulanca për atë që po ndodhte. Autorët nga ana e tyre ikën me shpejtësi, por sipas Policisë janë identifikuar, pasi ishin nxënës të shkollës. Mësohet se provimi ka rinisur pas një ndërprerje në kohë.                        l.m

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›