E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ofrohen 10 bursa egjiptiane

Në bazë të programit të bashkëpunimit në fushën e arsimit, Qeveria e Republikës Arabe të Egjiptit ka ofruar 10 bursa studimi për në universitetet publike egjiptiane për të rinjtë shqiptarë. Gjashtë prej këtyre bursave janë të vlefshme për studime universitare dhe katër të tjera për studime pasuniversitare, për vitin akademik 2009-2010. Bursa mbulon tarifën e shkollimit, shpenzimet e akomodimit, si dhe shpenzimet e vogla mujore të studentëve.

Bëhet e ditur se kandidatët e interesuar për këto bursa studimi duhet të paraqesin pranë Sektorit të Marrëdhënieve me Jashtë në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës disa dokumente.

Për studime universitare nevojitet: kërkesa e të interesuarit drejtuar MASH-it, duke specifikuar degën në të cilën kandidati dëshiron të studiojë; vërtetimin e notave për tri vitet e para dhe të semestrit të parë të vitit të katërt të shkollës së mesme. Ky vërtetim duhet të jetë i firmosur nga drejtoria ose zyra arsimore e rrethit përkatës; raportin mjekësor për aftësi studimesh; fotokopjen e faqes së parë të pasaportës; certifikatën e lindjes me fotografi; 4 fotografi dokumenti (4x6).

Ndërsa për studime pasuniversitare, aplikanti duhet të dorëzojë pranë MASH-it kërkesën e të interesuarit drejtuar ministrisë, duke specifikuar degën në të cilën dëshiron të studiojë; diplomën e shkollës së lartë; fotokopjen e noterizuar; listën e notave; fotokopjen e noterizuar; dy rekomandime nga profesorë të universitetit; një përshkrim të shkurtër të temës së studimit të ardhshëm; certifikatën e lindjes me fotografi; raportin mjekësor për aftësi studimesh; 4 fotografi (4x6).

Afati i fundit i dorëzimit të dokumenteve të kandidatëve në Sektorin e Marrëdhënieve me Jashtë në MASH është data 8 qershor 2009.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›