E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vapa, çdo ditë 60 persona marrin ndihmë mjekësore

Temperaturat e larta dhe ndryshimi i menjëhershëm i motit kanë bërë që ditët e fundit një numër i madh personash t‘u drejtohen spitaleve dhe qendrave shëndetësore për të kërkuar ndihmë mjekësore. Sipas të dhënave, nga urgjenca e spitalit rajonal të Korçës, të paktën 60 vizita kryhen çdo ditë, ndërkohë që është rritur numri i personave që trajtohen në kushte spitalore, në disa nga repartet e specialiteteve dhe sidomos në spitalin e pediatrisë. Ndihmën e mjekëve e kanë kërkuar të paktën 130 persona gjatë ditëve të fundjavës. Fluksi pranë spitalit civil ka qenë në rritje gjatë këtyre ditëve, ndërkohë që sipas mjekëve pritet që ditët në vazhdim të ketë një shtim të rasteve me virozat e stinës. Mjekët thonë se rritja e menjëhershme e temperaturave ka sjellë pasoja negative për shëndetin. Kontingjenti më i rrezikuar për të shfaqur probleme janë kryesisht të sëmurët kardiakë dhe ata që vuajnë nga tensioni i lartë, ata që vuajnë nga alergjitë kronike, por edhe për fëmijët e vegjël, për shkak të ekspozimit në diell në oraret e pikut. Mjekët theksojnë se gjatë kësaj periudhe duhet t‘i kushtohet vëmendje maksimale higjienës personale, asaj të ambientit, ushqimit dhe ujit, si dhe të evitohen shëtitjet në oraret e pikut.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›