Ofrohet pankina galaktike: Ja emrat
U bënë gjashtë. Për të gjashtin vit radhazi Real Madridi dështon në tetëshe, këtë herë ndaj Lionit që, në llogaritjen e dy sfidave ka nxjerrë lakuriq problemet e shoqërisë galaktike, e cila ka shpenzuar plot 254 milionë euro (94 Ronaldo, 66 Kaka, 35 Ksavi Alonso, 41 Benzema, 10 Raul Albiol, 8 Arbeloa) për të përforcuar një skuadër që ishte kompetitive, por që ka humbur lojtarë të klasit të parë si Shnajder e Roben, të blerë respektivisht me 27 dhe 36 milionë euro dhe të rishitur me 11 milionë më pak për kokë. Lioni ka një skuadër të mirë dhe lojtarë të shkëlqyer, mjafton të mendosh për Lisandro Lopez, Miralem Pjaniç (autori i golit deciziv), Zhan Makoun, Ali Sisoko, Xheremi Tulalan, por “Galacticos” duhet të fitonin, duke marrë në konsideratë edhe potencën e lojtarëve të “merengues”. Edhe sepse Florentino Perez e konsideron “la Liga”-n si një shtojcë shumë të rëndësishme të Champions League. Cilat janë problemet e Realit? Le të themi se, në sfidat decizive janë thuajse njëlloj si Interi. Në çdo rast, me çdo kusht, Pelegrini do të zëvendësohet në fund të sezonit, nëse do të rezistojë deri atëherë. Edhe Kaka, shembulli i korrektësisë te Milani, e ka quajtur kilianin “të paaftë”, gjë që i komplikon marrëdhënien mes tyre: kërkesa e sotme për falje duket se janë bërë thjesht të detyruara. Pelegrini do të ketë detyrën të fitojë “la Liga” dhe pastaj, lamtumira e secilit në rrugën e vet. Tani duhet të mendohet se kush do të jetë zëvendësuesi: flitet për Zhoze Murinjon që, ashtu si vitin e kaluar, duket mes kandidatëve që i plotësojnë kushtet. “Special One” vështirë se do të lërë Interin, tani që zikaltrit duken se kanë marrë identitetin e portugezit: hipoteza e mbështetur edhe nga fjalët e Murinjos, që ka shprehur dëshirën për të qëndruar në Apiano Xhentile deri në fund të kontratës, edhe pse një eksperiencë në Spanjë do ta kompletonte kuadratin. Pastaj është edhe Arsen Venger, trajneri i Arsenalit. Duket si fantashkencë. Transalpini, vitin e kaluar, u kontaktua nga drejtuesit “merengue”, duke u përgjigjur me një “Jo, faleminderit”. Koncept i përsëritur edhe dje: “Reali i Madridit? Lëreni fare. Kam ndërmend të përfundoj kontratën (që skadon më 2011-n) time këtu, ndaj nuk ka asnjë mundësi. Jam i përqendruar te ndeshja me Hulsitin. Ndoshta do të jetë më pak tërheqëse, por është më e rëndësishmja në jetën time”. Opsioni i tretë, më i mundshmi: një rikthim në shtëpi për Rafa Benitez. Cikli te Liverpuli është mbyllur tashmë dhe duket se është trajneri i duhur, pak a shumë si Ançeloti, për të fituar Champions League-n e dhjetë me “Galacticos”. E ka fituar atë kupë më 2005-n dhe e ka humbur në finale më 2007-n: eksperienca nuk i mungon dhe Benitez do t’i thoshte menjëherë po projektit të Perezit, edhe sepse është përmirësuar shumë si trajner, pikërisht në radhët e ekipeve të të rinjve të Realit të Madridit.
#