Ofronte të bijat e mitura për pedofilët, arrestohet babai

Pëllumb Mullaj, i akuzuar për shfrytëzimin e të bijave
Prostituonte vajzat 8 dhe 10 vjeçe, në pranga babai dhe tre pedofilët.Policia e Korçës bëri të ditur se është arrestuar 52- vjeçari Pëllumb Mullaj me akuzën e “shfrytëzimit në rrethana rënduese të dy vajzave të tij”. Së bashku me të, janë prangosur edhe tre persona të tjerë që sipas hetimeve të policisë kanë kryer marrëdhënie seksuale me dy të miturat. Njëri prej tyre është i moshuar, që sipas hetimeve ka qenë edhe tutor në këtë rast shfrytëzimi seksual. Pas afro 3 muajsh hetime, duke përdorur edhe teknika të specializuara, Policia e Korçës finalizoi operacionin e koduar “JUNIOR”, duke shoqëruar fillimisht 52-vjeçarin Pëllumb Mullaj, për “shfrytëzim prostitucioni në rrethana rënduese”. Krahas këtij arrestimi, policia prangosi edhe 62-vjeçarin Andrea Nameti nga fshati Mborje, i dënuar më parë për marrëdhënie seksuale me të mitur, si dhe 35-vjeçarin Skënder Korollari po nga ky fshat. Një tjetër person i përfshirë në këtë rast shfrytëzimi të miturash, 79-vjeçari Nevruz Kollani, nga qyteti i Korçës, është lënë në “arrest shtëpie” për shkak të moshës së tij. Mësohet se të miturat ndodhen prej disa kohësh në një qendër sociale të një fondacioni të huaj në Korçë. Burime të policisë bënë të ditur se dy vajzat kanë dëshmuar për stafin që merret me rehabilitimin e personave në nevojë në këtë qendër, se janë shfrytëzuar seksualisht për tre vite në periudhën 2004- 2006. Në atë periudhë dy vajzat e mitura me inicialet I.P., dhe M.P., kanë qenë përkatësisht në moshën 8 dhe 10 vjeçe. Punonjësit e qendrës ku dy motrat trajtoheshin i janë drejtuar policisë nga ku më pas të miturat kanë dëshmuar se si për tre vite janë shfrytëzuar sistematikisht për qëllime prostitucioni, nga babai i tyre, 52- vjeçari, Pëllumb Mullaj. Nga hetimet e policisë, mësohet se vajzat shfrytëzoheshin që të mitura për prostitucion, kundrejt pagesës 1 apo 2 mijë lekë të reja. Si vende të shfrytëzimit të tyre, sipas policisë, janë përdorur bunkerë në periferi të qytetit, ku ka banuar familja Mullaj, por edhe banesa e të moshuarit Nevruz Kollani. Vajzat e mitura janë shfrytëzuar seksualisht në bunkerë edhe për faktin se dy prej personave që janë arrestuar janë nga fshati Mborje dhe e kanë pasur më të lehtë të takonin vajzat nga afërsia midis fshatit të tyre dhe periferisë ku jetonte familja Mullaj. Nga hetimet e deritanishme të policisë, nuk rezulton që prindi i dy vajzave të mitura të ketë kryer marrëdhënie seksuale me to. Por nga ana tjetër, sipas dëshmisë së nënës së tyre, ai i keqtrajtonte shpesh që të vogla kur ishte në gjendje të dehur.
Nëna: Flinin tek i moshuari, i joshte me ushqim e veshje
Nëna e dy vajzave të shfrytëzuara, 50-vjeçarja Marjana Prishka, dergjet në krevat e sëmurë. Jeton në një banesë në kushte të mjerueshme, pa drita, pa banjë, por edhe pa ushqime. Ajo pohoi se nuk kishte qenë në gjendje t’i mbronte vajzat e saj, ndonëse ishte në dijeni se një i moshuar abuzonte me to.
Burri juaj është arrestuar për shfrytëzimin e dy vajzave. Ju ishit në dijeni të asaj që ndodhte vite më parë?
Pak vite më parë, tek ne vinte një plak. Ai jeton i vetëm, pasi fëmijët i ka në Amerikë. U jepte vajzave ushqim si dhuratë, u blinte veshje apo u jepte edhe ndonjë lek. Vajzat për shkak të gjendjes së vështirë ekonomike, por edhe për faktin se i ati i rrihte kur vinte i dehur, filluan të flinin nga ai.
Janë ankuar vajzat për ngacmime?
Filluan të më ankohen se ai i ngacmonte natën në trup, gjoja sikur i mbulonte kur flinin. E mori vesh edhe burri dhe i kërkuam vajzave që të mos shkonin më atje. Por ato qanin dhe nganjëherë që nga shkolla shkonin drejt e tek ai, sepse, siç thashë, i trajtonte me ndonjë dhuratë. Ky plaku madje është bërë problem edhe në shkollën e mëparshme kur mësonin vajzat, sepse u shkonte në pushim dhe i takonte. Me sa di, ka qenë drejtoria e shkollës që e largoi, duke e kërcënuar se do ta denonconin në polici. Edhe burri im u grind me të, pasi ai na vinte si mik familjeje.
Po vajzat, vazhdonin të shkonin më tek ai?
Me sa di unë, shkonin, por ne ishim të pafuqishëm për t’i mbrojtur ato. Ndoshta edhe janë ngacmuar vazhdimisht nga ai, por nuk më kanë thënë që kanë kryer marrëdhënie seksuale me të apo me persona të tjerë që tani po mësoj se janë arrestuar.
Bashkëshorti juaj ishte në dijeni se vajzat shfrytëzoheshin?
Burri im dinte që ato ngacmoheshin nga ky “gjyshka”, por jo që shfrytëzoheshin si prostituta. Ai vetëm i keqtrajtonte kur vinte i dehur në shtëpi, aq sa ato ngriheshin dhe iknin të trembura.
Ku ndodhen vajzat tani?
Ato trajtohen tani me ushqim dhe fjetje tek qendra sociale e një fondacioni këtu në Korçë. Kanë ikur disa vite më parë dhe kjo është bërë me pëlqimin tonë si prindër. Për shkak të gjendjes sime shëndetësore nuk i kam takuar prej 3 muajsh. Ndërsa babanë e tyre nuk donin që ta takonin fare. Di se janë njëra në klasën e 9-të dhe tjera në klasën e 8-të në një shkollë këtu në qytet, sepse kanë filluar me vonesë klasën e parë.
Ato kanë kryer denoncim për shfrytëzim?
Nuk di si të them se si kanë vendosur të denoncojnë. Ndoshta për shkak se tani që janë vajza më të rritura, apo edhe ngaqë janë shprehur tek qendra sociale ku po trajtohen. Unë si nënë e tyre nuk kam bërë denoncim, pasi kanë kaluar vite nga koha kur ato shkonin tek ai plaku që i ngacmonte. g.a
KORÇE/ GEZIM ASHIMI