E Diel, 1 Nëntor 2026

Abuzimi me fondet e fëmijëve të ngujuar dënohet ish-ministri

BERAT - Gjykata e Beratit dënoi me 14 vite burg tre ish-drejtuesit e shoqatës "Fëmijët e ngujuar dhe në nevojë" në Poliçan, të cilët dyshohen se kanë abuzuar me fondet dhe ndihmat ushqimore që akordoheshin për këtë qendër. Ali Alushani, ish-ministër Shëndetësie dhe ish-kryetar i Bordit të shoqatës "Fëmijët e ngujuar dhe në nevojë", Liljana Luani, kryetare e shoqatës dhe Demir Hysenbelliu financier, nuk do të qëndrojnë asnjë ditë prapa hekurave, pasi dënimi ndaj tyre është pezulluar me kusht. Alushani dhe Hysenbelliu u dënuan me nga 5 vite burg secili, ndërsa Liljana Luani me 4 vite heqje lirie, pasi u gjetën fajtor për akuzat e mashtrimit dhe falsifikimit të dokumenteve. Të tre të pandehurit nuk do ta vuajnë dënimin, por përgjatë kohës së kushtit nuk duhet të kryejnë asnjë vepër penale, sado e lehtë të jetë. Tre ish-drejtuesit e Qendrës "Fëmijët e ngujuar dhe në nevojë", akuzohen se përgjatë vitit 2006-2007 kanë abuzuar me ndihmat ushqimore. Hetimi ndaj tyre nisi në 2006-ën dhe ndaj tre ish-drejtuesve të qendrës u ngritën akuzat e "mashtrimit" dhe "falsifikimit të dokumenteve". Pas një shqyrtimi të gjatë gjyqësor, gjykata është bindur në fajësinë e tre ish-drejtuesve të qendrës dhe dje vendosi t'i dënojë ata me 14 vite burg në total, aq sa kishte kërkuar prokuroria. Të pandehurit asnjëherë nuk i kanë pranuar akuzat e ngritura nga prokuroria dhe kësisoj nuk janë dakord as me verdiktin e gjykatës së Beratit. Ndaj, ky vendim do të apelohet në Gjykatën e Apelit. Pas këtij skandali, qendrës ku strehoheshin 22 fëmijë dhe katër nëna të ngujuar nga frika e gjakmarrjes, iu vu kyçi dhe të vegjlit në nevojë mbetën në mëshirë të fatit, duke u detyruar të rikthehen pranë familjeve të ngujuara në veri të vendit.
(s.g/GSH/Balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›