Ohër, Presidenti Topi sot në Forumin Ekonomik
OHER- Presidenti i Republikës, Bamir Topi do të marrë pjesë sot në Forumin Rajonal Ekonomik me temë “Konkurrentë dhe partnerë në rrugën drejt BE-së”, që do të mbahet në Ohër. Në fjalën e tij, kreu i shtetit do të përqendrohet në bashkëpunimin e ndërsjelltë që duhet të bëjnë bashkarisht të gjitha vendet e rajonit për të përballuar ndikimin e krizës globale financiare, të energjisë dhe rrezikut të rënies ekonomike. Topi gjithashtu do i kushtojë vëmendje në fjalën e tij, aktualitetit politik dhe zhvillimeve të fundit në Republikën e Kosovës dhe përfshirjes së saj në nismat rajonale dhe në proceset e përbashkëta integruese. Në Forumin Rajonal Ekonomik do të marrin pjesë presidentët e Maqedonisë, Kroacisë, Bullgarisë, Bosnjë Hercegovinës e Malit të Zi. Ndërsa nuk do të marrë pjesë presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu. Kabineti i presidentit Cërvenkovski sqaroi dje mosftesën e presidentit të Kosovës. Sipas tyre, Kosova nuk ështe pjesë e këtij forumi dhe nëse dëshiron të jetë pjesë e saj atëherë duhet t’i drejtohet organizatorit të kësaj nisme që pesë vite me radhë organizohet në rajonin e Evropës Juglindore nga organizata Revikon. Nisma joqeveritare përbëhet nga personalitete të biznesit, akademikë dhe personalitete publike nga rajoni.
(s.g/BalkanWeb)