"Trebicka”, munguan specialistët e fizikës
Klasifikimi i ngjarjes së 12 shtatorit të këtij viti si aksident automobilistik, kontestohet nën zë nga prokurorë që njihen për profesionalizmin e tyre të mirëfilltë. Akoma s' është thënë fjala e fundit për vdekjen e Trebickës.
TIRANE- Dilema nëse Kosta Trebicka humbi jetën në aksident apo u vra, ka mbetur në kufijtë e misterit. Ndonëse më shumë se një muaj më parë, Prokuroria e Korçës publikisht deklaroi mbylljen e hetimeve për dosjen e biznesmenit, në opinionin e specialistëve të organit qendror të akuzës ka dyshime të forta rreth zbardhjes së ngjarjes. Klasifikimi i ngjarjes së 12 shtatorit të këtij viti si aksident automobilistik, kontestohet nën zë nga prokurorë që njihen për profesionalizmin e tyre të mirëfilltë. Sipas tyre, akoma nuk është thënë fjala e fundit për vdekjen e Trebickës, njeriun që denoncoi i pari aferën e municioneve nga Shqipëria drejt Afganistanit. Specialistë të Prokurorisë së Përgjithshme pohojnë se 14 llojeve të ndryshme të ekspertimeve që u kryen për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur në aksin Voskopojë-Lekas të Korçës, u mungon një “detaj” i rëndësishëm e përcaktues nëse Trebicka ishte thjesht viktimë e një aksidenti të rëndomtë automobilistik, apo shënjestër e krimit. Grupit të stërmadh të ekspertëve që u angazhuan për zbardhjen e ngjarjes (përfshirë këtu dhe atë amerikan, Kevin Teter), çuditërisht i kanë munguar fizikantët. “Rasti Trebicka është i veçantë. Nga 300 dosje aksidentesh që kam kaluar nëpër duar, ai që ndodhi në Lekas të Korçës është më i bujshmi dhe më i komplikuar. Kjo jo vetëm për faktin se bëhej fjalë për një person që njihej si denoncues i trafikut të armëve, por edhe për mjaft dyshime logjike mbi mënyrën e ndodhjes dhe shkaqet e aksidentit”, - shprehet një specialist i njohur në organin qendror të akuzës. Sipas tij, në raste të tilla duhet që të futeshin domosdoshmërisht në lojën e hetimeve dhe fizikantët. “Asnjë nga ekspertët e fushave të tjera, përfshirë këtu dhe rrugorët, nuk janë kompetentë për të përcaktuar mënyrën e batimit të makinës tip “Nisan Patrol” të Trebickës, zhvendosjen e saj disa metra larg vendit të ngjarjes si dhe daljen e kufomës jashtë saj”, - shprehet eksperti. Sipas tij, vetëm fizikantët do të mund të përcaktonin forcat e lëvizjes dhe të hidhej dritë përfundimisht mbi një ngjarje të tillë. Ndërkohë, burimet e mësipërme pohojnë se në gjithë vendet e tjera të Europës dhe më gjerë, specialistët e fushës së fizikës përfshihen në zbardhjen e aksidenteve automobilistike, për më tepër për ngjarje me përmasat e asaj të Kosta Trebickës. Mungesa e specialistëve të kësaj fushe në vendin tonë, u reflektua jo vetëm në rastin “Trebicka”, por edhe në një tjetër aksident të bujshëm që u shënua në Tiranë. “Nuk paragjykojmë hetimet e bëra nga kolegët tanë, pasi duhet të jesh në vendin e ngjarjes që të flasësh me kompetencat e një profesionisti. Por dosja nuk mund të mbyllet, kur jo të gjithë ekspertët nuk e kanë dhënë verdiktin e tyre”, - pohojnë burimet nga Prokuroria e Përgjithshme.
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)