PS, organizimi zgjedhor sipas Kodit të ri
TIRANE- Partia Socialiste do të fillojë organizimin e strukturave të saj mbi bazën e Kodit të ri Zgjedhor. Miratimi i dokumentit themelor për organizimin e zgjedhjeve në Shqipëri, detyroi edhe mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të PS-së. Forumi i lartë socialist parashikohet të mblidhet ditën e shtunë, por sërish jo në Tiranë, por në Elbasan. Anëtarët e Asamblesë Kombëtare janë njoftuar dje për mbledhjen e radhës. Sipas burimeve nga Asambleja, tri janë çështjet kryesore që janë përcaktuar edhe në rendin e ditës së mbledhjes: masat organizative elektorale, momentet kryesore të Kodit të ri Zgjedhor dhe përshtatja e organizimit partiak elektoral në bazë të tij. Së dyti do të ketë edhe një raportim mbi përfundimin e procesit zgjedhor në organizatat e partisë. Ndërkohë, në fillim të mbledhjes së Asamblesë pritet të jetë edhe fjala e kreut të PS-së, Edi Rama, e cila do të fokusohet në kritikat e progres-raportit të BE-së për Shqipërinë dhe zhvillimet kryesore në vend. Herën e fundit Asambleja Kombëtare e PS-së u mblodh në Cakran të Fierit, në mes të muajit korrik. Tashmë është krijuar një traditë që forumet drejtuese të PS-së thirren nga kryetari Edi Rama, në qytete e fshatra të ndryshme të Shqipërisë.
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)