Ohër, Topi: Reforma për lëvizjen e lirë
Ne Oher te Maqedonise ka nisur sot samiti i 17 kryetareve te shteteve te Europes qendrore. Organizatori i vendit mikprites, presidenti maqedonas Branko Cërvenkovski në fjalimin hyrës deklaroi se Samiti i Ohrit është një sinjal i fuqishëm dhe i qartë për procesin e unitetit të Evropës. Presidenti Cërvenkovski deklaroi se në shtëpinë evropiane ka vend për të gjithë që janë të përgatitur për të ndarë vlerat e përbashkëta demokratike dhe përgjegjësitë, ndërsa pjesëmarrja në këtë takim paraqet një sinjal të fuqishëm dhe të qartë deri tek qytetarët e vendeve pjesëmarrëse se procesi i bashkimit të Evropës po vazhdon. "Sfidat në rrugën drejt një ardhmërie të përbashkët do t`i nënshtrojmë bashkarisht, me një solidaritet dhe përkrahje të ndërsjelltë", deklaroi Cërvenkovski. Ai nënvizoi se përcaktimet strategjike të Maqedonisë janë integrimi në NATO. Tema që u diskutua në ditën e parë do të jetë "Bashkarisht drejt të së ardhmes, sfidave dhe zgjerimit të BE-së". Shqipëria është e palëkundur në rrugën e saj drejt anëtarësimit të plotë në NATO-s dhe në Bashkimin Evropian. Presidenti shqiptar Bamir Topi tha ne fjalen e tij ne samitin e Ohrit se marrja e ftesës gjatë Samitit të Bukureshtit përbën jo vetëm një moment historik në marrëdhëniet e saj me Aleancën, por njëkohësisht një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e saj. Topi theksoi se të gjitha përpjekjet tona integruese do të mbeteshin në letër nëse nuk do të shoqëroheshin me reforma të thella në sistemin e lëvizjes së lirë të njerëzve, kapitaleve dhe të mirave materiale midis vendeve tona. Lëvizja e lirë do të thyente konceptet e vjetra izoluese të Luftës së Ftohtë dhe do të rrëzonte përfundimisht muret ideologjike dhe politike midis popujve të ndërtuara në interes të kësaj Lufte. Nënshkrimi dhe hyrja në fuqi e Marrëveshjes së Lehtësimit të Vizave të Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor jep shpresën se, vullneti dhe qëllimi i përbashkët politik i nënshkrimit të saj, do të japë shpejt frytet e saj në praktikë, vazhdoi presidenti shqiptar ne samitin e Ohrit. Orientimi euroatlantik i vendeve të rajonit, sipas Topit ka dëshmuar qartë se ka kontribuar në përshpejtimin e reformave demokratike, institucionale dhe ekonomike në vendet e përfshira në proces dhe po e transformon çdo ditë atë në një hapësirë bashkëpunimi, përgjegjësie, partneriteti dhe besimi reciprok. "Ne të gjithë, tha Topi, - jemi dëshmitarë të ndryshimeve dhe transformimeve pozitive në rajon në pesëmbëdhjetë vjetët e fundit. Nga një rajon shumë i nxehtë me probleme konfliktuale politike, etnike, fetare dhe ekonomike ai po kthehet, çdo ditë dhe më tepër, në një rajon stabiliteti, sigurie e progresi. Në këtë rrugë të gjatë, shpesh të mundimshme, -nenvizoi kreu i shtetit shqiptar,-roli dhe kontributi i komunitetit euroatlantik për të normalizuar situatën në rajonin tonë ka qenë jetik. Institucionet euroatlantike u ndërtuan si mishërim dhe mbrojtëse të lirive individuale, demokracisë dhe të drejtave të njeriut.