Qeveria, asnjë plan për të hequr taksën e miellit dhe grurit
Qeveria nuk ka asnjë plan për të hequr taksën e miellit dhe grurit që vjen nga importi. Këto janë fjalët që ka thënë sot kryeministri Sali Berisha në Xarrë të Sarandës në një takim me fermerët. Ai e ka argumentuar këtë me faktin për të ndihmuar fermerët shqiptarë, të cilët do ta kenë të pamundur prodhimin nën konkurrencën e huaj. Por sipas ministrit të bujqësisë Jemin Gjana, brenda vendit, edhe në kushtet maksimale nuk mund të sigurohet më shumë se gjysma e nevojave me drithë. Kështu ngelet që gruri dhe mielli të vijnë nga importi me një taksë e cila rëndon drejtpërdrejt në xhepat e konsumatorëve shqiptarë.
Erion Braçe, nënkryetari i grupit kuvendor socialist ka bërë të ditur disa herë se, sot shqiptarët paguajnë më shumë se 40 për qind të çmimit të bukës si taksa ndaj shtetit.
Përfaqësuesit opozitarë kanë ngritur gjithmonë shqetësimin lidhur me ndikimin që ka rritja e çmimit të bukës tek xhepat e qytetarëve shqiptarë. Për këtë ata kanë akuzuar qeverinë si të paaftë për të menaxhuar situatën dhe për t'i ardhur në ndihmë qytetarëve shqiptarë për të zbutur efektet ekonomike që sjell një fenomen i tillë.
"Një bukë 1 mijë lekëshe përmban 44.6 për qind taksa. Shqiptarët duhet ta dinë se më shumë se 40 për qind e çmimit të bukës së tyre shkon taksë", është shprehur Braçe në një nga seancat e kuvendit ku është diskutuar rritja e çmimit të bukës në treg.
Taksat
Për grurin paguhet 20 për qind TVSH kur hyn në doganë, paguhet 10 për qind tatim apo taks doganore, si dhe kemi dhe 3 deri në 4 për qind shpenzime transporti. Kjo do të thotë se për grurin paguhet 34 për qind taksë.
Për miellin paguhet 20 për qind TVSH, paguhet 2 për qind taksë doganore dhe 3 deri 4 për qind shpenzime transporti. Çka do të thotë që paguhet 26 për qind taksë për miellin.
Përsa i përket taksave të biznesit që janë dhe taksa për bukën, 20 për qind paguhet TVSH nga tregtarët. 10 për qind tatim mbi të ardhurat. 11.2 për qind sigurime shoqërore dhe 3.4 sigurime shëndetësore, çka do të thotë 44.6 për qind paguajnë tregtarët e bukës. E thënë ndryshe në një bukë 1 mijë lekëshe 44.6% janë taksa.