E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ok no fly zone ne Libi. KS miraton rezoluten

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara miratoi rezolutën 1973 për vendosjen e një zone ndalim-fluturimi mbi Libinë. Rezoluta e miratuar në KS urdhëron diktatorin libian Muammar al-Gaddafi që të mbajë në tokë flotën ajrore ndërsa lejon sulmet nga ajri dhe "masa të tjera të nevojshme" për mbrojtjen e civilëve, por përjashton mundësinë e dërgimit të trupave të huaja në territorin e Libisë. Në këtë mënyrë i është hapur teorikisht rruga sulmeve ajrore nga jashtë. Rezolutën e iniciuar nga SHBA, Libani, Britania dhe Franca e prezantoi ministri i Jashtëm francez Alan Juppe.

 “Ndërsa ju flas trupat e Kolonel Gedafit vazhdojnë ripushtimin e dhunshëm të qyteteve e territoreve të cliruara . Nuk mund ta braktisim popullsinë civile, viktimë të një represioni brutal, nuk mund të lejojmë të shkelet e drejta dhe morali ndërkombëtar”, tha Juppe.

Pro rezolutës ishin dhjetë nga 15 vendet anëtare të Këshillit të Sigurimit ndërsa pesë abstenuan mes të cilave Gjermania, Kina e Rusia. Për Gjermaninë një ndërhyrje e tillë mbetet tejet e rrezikshme ndaj ajo nuk do të marrë pjesë në të. Menjëherë pas marrjes së vendimit presidenti amerikan Barak Obama i telefonoi homologut francez dhe kryeministrit britanik. Mendohet se në ndërhyrjet nga ajri që sipas burimeve amerikane mund te fillojnë të dielën ose të hënën do të jenë trupat europiane (franceze ose britanike) të mbështetura nga ushtritë e vendeve arabe, ato që do të drejtojnë sulmet dhe jo trupat amerikane. Italia do të japë një kontribut logjistik me bazat e saj.

Menjëherë pas miratimit të rezolutës kanali televiziv Al Xhazira tregoi pamje nga çerdhja e kryengritësve në Bengazi të Libisë. Mijëra kundërshtarë të regjimit kishin dalë në rrugë për të festuar miratimin e rezolutës. Ndërsa udhëheqja libiane u shpreh e gatshme në parim për një armëpushim me rebelët.

“Përsa i përket armëpushimit i kemi thënë sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara që forcat tona të armatosura janë të gatshme për të respektuar që tani, por duhet të biem dakort për aspektet teknike”, tha Chaled Kaim, Zv.ministër i Jashtëm.

Sipas tij miratimi i rezolutës ishte thirrje që libianët të vrasin njëri-tjetrin. Ndërkohë, forcat ushtarake të Geddafit janë gati të sulmojnë Bengazin e sipas djalit të kolonel Gedaffit, Saif Al Islam .

Delina Bitraku

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›