E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi fton bizneset torineze të investojnë në Shqipëri

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, vizitoi dje rajonin e Piemontes, qytetin e Torinos, nga ku ftoi bizneset e këtij rajoni të pasur italian që të investojnë në Shqipëri. Gjatë takimit me Presidenten rajonale piemonteze, Mersedes Breso, Presidenti Topi, pasi falënderoi për mikpritjen, dha një panoramë të zgjeruar të ndryshimeve pozitive që kanë ndodhur në Shqipëri, reformat e ndryshme që janë ndërmarrë, përmirësimin e legjislacionit fiskal, klimën shumë të favorshme ekonomike dhe për tërheqjen e investimeve të huaja në fusha të ndryshme si energjia, agro-biznesi, turizmi etj. “Mund t’ju them që tregu shqiptar është një treg i lirë, është një terren i përshtatshëm edhe për investimet e huaja, mund të investohet kryesisht në turizëm, në infrastrukturë, në energjitikë, agro-industri, dhe të gjitha këto eksperienca piemonteze mund të futen në mënyrë shumë të natyrshme në Shqipëri”, - tha në këtë takim Topi. Nga ana e saj, Presidentja e rajonit të Piemontes tha se Shqipëria është një mundësi më shumë. “Për ne, ashtu siç i thashë edhe Presidentit, është shumë interesante që të zhvillojmë akoma edhe më tej marrëdhëniet me vendet e Evropës Lindore që kanë hyrë ose janë duke u bërë anëtare të Bashkimit Evropian dhe me të cilët Piemonte gëzon një traditë më të mirë bashkëpunimi sesa zonat e tjera të Italisë përmes projektesh të ndryshme. Për Rajonin e Piemontes këto vende paraqesin shumë interes, sepse përbëjnë kufijtë e BE-së në terma ekonomikë dhe politikë”, - tha Mersedes Breso. Ajo e priti me kënaqësi ftesën e Presidentit Topi për të vizituar Shqipërinë dhe e siguroi për vullnetin e autoriteteve vendore piemonteze që të mbështesin vendin tonë jo vetëm në rrugëtimin e tij integrues në strukturat euro-atlantike, por edhe me investime konkrete për zhvillimin e mëtejshëm ekonomik.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›