E Shtunë, 31 Tetor 2026

PLL-ja: 20 shkurti, rrëzimi i simboleve komuniste

Në emër të legalistëve, kryetari Eqrem Spahia, kërkoi dje që Këshilli i Ministrave dhe Kuvendi i Shqipërisë të miratojnë datën 20 shkurt si ditën e rrëzimit të simboleve komuniste. Kryetari i PLL-së, Ekrem Spahia, risolli në vëmendje domosdoshmërinë e dënimit të krimeve të komunizmit gjatë një takimi që zhvilloi me bazën e PLL-së në Peshkopi. Spahia mori në analizë situatën politike në vend, teksa u shpreh se “Shqipëria nuk ka një opozitë konstruktive që të prodhojë dhe paraqesë para shqiptarëve alternativa serioze dhe të dobishme”. Por, sipas tij, fatkeqësisht opozita e majtë po paraqet para shqiptarëve alternativën e promovimit të figurës së diktatorit Enver Hoxha dhe regjimit të tij. Kryetari Spahia ndodhej në Peshkopi për një takim pune me drejtuesit kryesorë të degëve Dibër, Mat dhe Bulqizë, degë të PLL-së që përfshihen në qarkun e Dibrës, në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet e ardhshme parlamentare 2009. “Qëllimi kryesor është që në zgjedhjet e ardhshme parlamentare Legaliteti të rikthehet në Kuvendin e Shqipërisë për të dhënë edhe atje kontributin e munguar gjatë kësaj legjislature”, - tha ndër të tjera z. Spahia. Drejtuesit e degëve, Gazmend Lita, Besnik Murati, Zenel Shehu etj. shprehën qëndrimet e tyre për koordinimin e të gjitha strukturave vendore në nivel nëndege, dege dhe qarku që në zbatim të strategjisë së PLL-së, të sigurohet një rezultat sa më optimal për fitoren e së djathtës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›