Polonia ratifikon anëtarësimin e Shqipërisë në NATO
Menjëherë pas miratimit në Dhomën e Ulët, Senati polak ratifikoi dje pasdite Protokollin e Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, përshëndeti këtë ratifikim dhe i përcolli mirënjohjen Senatit të Polonisë në emër të saj dhe të Kuvendit të Shqipërisë. Gjithashtu, Topalli falënderoi kryetarin e Senatit, Bogdan Borusevicz, me të cilin është takuar gjatë vizitës së saj zyrtare në Poloni si dhe gjatë vizitës që zoti Borusevicz zhvilloi në qershor të këtij viti në Tiranë me ftesë të kryetares së Kuvendit. Kryetarja e Kuvendit vlerëson mbështetjen e Polonisë, e cila renditet ndër pesë vendet e para që ratifikon Protokollin e Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Hungarisë, Letonisë dhe Lituanisë. Dy ditë më parë, kryetarja e Kuvendit mori garanci për ratifikim të shpejtë të këtij protokolli nga Spanja, ku zhvilloi një vizitë zyrtare, gjatë të cilës Komisioni i Jashtëm i Kongresit të Deputetëve votoi në unanimitet këtë protokoll. Pritet që së shpejti Protokolli i Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO të ratifikohet nga Franca, Italia, Gjermania Çekia, Holanda, Bullgaria, Rumania, Danimarka etj.