Topi: Italia, mbështetje dhe për zhvillimin ekonomik
Italia mbështet Shqipërinë jo vetëm në rrugëtimin integrues drejt strukturave euro-atlantike, por edhe me investime konkrete për zhvillimin e mëtejshëm ekonomik. Kjo iu bë e ditur Presidentit Bamir Topi gjatë takimeve që zhvilloi dje në qytetin verior italian të Torinos ku u prit nga kryetari i Bashkisë, Serxho Kiamparino, me të cilin zhvilloi një takim të shkurtër në zyrë dhe një tjetër, më të zgjeruar, në Këshillin Bashkiak. Më pas, kreu i shtetit shqiptar u takua me Presidenten e Rajonit të Piemontes, znj. Mersedes Breso. Gjatë takimit me Presidenten rajonale piemonteze, Presidenti Topi pasi falënderoi për mikpritjen, dha një panoramë të zgjeruar të ndryshimeve pozitive që kanë ndodhur në Shqipëri, reformat e ndryshme që janë ndërmarrë, përmirësimin e legjislacionit fiskal, klimën shumë të favorshme ekonomike dhe për tërheqjen e investimeve të huaja në fusha të ndryshme si energjia, agro-biznesi, turizmi, etj. Kreu i shtetit shqiptar, duke vënë në pah faktin që një pjesë e rëndësishme e delegacionit zyrtar përbëhet nga përfaqësues me peshë të biznesit dhe sipërmarrjes shqiptare, theksoi rëndësinë e përurimit sot të Zyrës së Biznesit dhe Komunikimit në Torino dhe frytshmërinë e shkëmbimit të vizitave të të tilla niveleve. Presidenti Topi e ftoi Presidenten rajonale të Piemontes për një vizitë zyrtare në vendin tonë në kuadër të forcimit të bashkëpunimit të gjithanshëm me rajonin piemontez ku bashkësia shqiptare, me gati 2200 sipërmarrje, është krejtësisht e integruar dhe shërben si një urë e fuqishme lidhëse dhe bashkëpunimi. Nga ana e saj, zonja Breso vlerësoi maksimalisht vizitën e Presidentin Topi dhe të delegacionit që ai kryeson si shenjë e marrëdhënieve të shkëlqyera në të gjitha fushat e të nivelit më të lartë që ekzistojnë mes dy vendeve tona, duke vënë në dukje jo vetëm lidhjet historike dhe shpirtërore mes dy popujve, por edhe rolin e çmuar që luajnë emigrantët shqiptarë në këtë drejtim. Znj. Breso e priti me kënaqësi ftesën e Presidentit Topi për të vizituar Shqipërinë dhe e siguroi për vullnetin e autoriteteve vendore piemonteze që të mbështesin vendin tonë jo vetëm në rrugëtimin e tij integrues në strukturat euro-atlantike, por edhe me investime konkrete për zhvillimin e mëtejshëm ekonomik.