Ministria e Mbrojtjes: PS gënjen
Ministria e Mbrojtjes i hodhi poshtë dje si të pavërteta deklaratat e PS për Fushën e Aviacionit në Laprakë. Zëdhënësja e kësaj ministrie, Brikena Arapaj tha dje se deklaratat e Partisë Socialiste përsa i përket privatizimit të pronave në Fushën e Aviacionit janë të pabazuara në fakte dhe nuk përmbajnë asnjë të vërtetë. Sipas saj, Ministria e Mbrojtjes nuk ka iniciuar asnjë procedurë privatizimi për prona në këtë zonë dhe ftojmë Bashkinë e Tiranës, të nxjerrë ekspertë të saj për të ofruar fakte konkrete. "Ju bëjmë me dije se Këshilli i Ministrave me vendimin nr 2, datë 04.08.2006 ka miratuar ndryshimin e një sipërfaqe prej 5.5 hektarë nga zonë e veçantë në zonë të gjelbër, vendim i cili ngarkon për zbatim Bashkinë e Tiranës. Kjo sipërfaqe toke është duke u përdorur aktualisht nga Bashkia e Tiranës dhe si rrjedhojë deklaratat e Partisë Socialiste bëhen tërësisht të pakuptimta", u shpreh zëdhënësja e Ministrisë së Mbrojtjes.