Shalsi: Imami po privatizon Fushën e Aviacionit
Deputeti i Tiranës Eduard Shalsi denoncoi dje, një tjetër aferë korruptive që sipas tij bëhet në interes të Qeverisë në pushtet. Shalsi ishte dje në zonën e quajtur Fusha e Aviacionit ku Bashkia e Tiranës po ndërton një park të ri dhe po sistemon rrugët e kësaj zone. Deputeti socialist i Tiranës akuzoi ministrin e Mbrojtjes Arben Imami se bashkë me ministrin e Ekonomisë Dritan Prifti kanë nxjerrë në privatizim fushën e Aviacionit në Laprakë, duke i akuzuar kështu për një tjetër aferë korruptive. "Kjo fushë, ku vetë Lul Basha e Arben Imami me Sali Berishën në krah e me një projekt fantazëm në shpinë kanë premtuar të bëjnë lulishte gjatë fushatës, është nxjerrë në shitje nga Imami dhe Prifti, si të ishte pronë e ushtrisë. Sigurisht, kjo pasuri e publikut që aktualisht po transformohet në një park urban fantastik, ka nxitur oreksin e pashuajtshëm të këtyre të babëziturve pa din e iman dhe është futur në kasaphanën ku pushteti i sotëm familjar i Sali Berishës po ther Shqipërinë", deklaroi Shalsi. Nga kjo zonë, deputeti Shalsi lëshoi apelin se PS nuk do të tërhiqet nga projekti për të ndërtuar në këtë zonë parkun e dytë më të madh në kryeqytetet. "Ne do ta mbrojmë këtë park me trupat tanë sot dhe nesër me anulimin e kësaj procedure skandaloze për të cilën do të përgjigjet herët a vonë çdo njeri që do të hedhë firmën", theksoi Shalsi.