E Shtunë, 31 Tetor 2026

Oketa: Demokratët do të rikonfirmohen në Durrës

Thellimi i rezultatit të Partisë Demokratike në Qarkun e Durrësit duket se është objektivi i fushatës për 28 qershorin. Një prej kandidatëve kryesorë të selisë blu në këtë qark, Gazmend Oketa, flet për "Shqip" në lidhje me sfidat e demokratëve. Ministri aktual i Mbrojtjes, i renditur në vendin e tretë në listën e kandidatëve për deputetë, thotë se Durrësi ka votuar gjithmonë djathtas. Sipas tij, këtë herë votimi do të vijë për shkak të asaj çka ka bërë qeveria e Partisë Demokratike në këto katër vite. Oketa, gjatë intervistës, shpreh bindjen në rikonfirmimin e demokratëve si shumicë në këtë qark, por edhe në qarqet e tjera, duke garantuar një katërvjeçar tjetër në pushtet. "Qarku i Durrësit ka njohur shumë ndryshime pozitive dhe kjo jo thjesht për faktin se Durrësi kishte një numër të konsiderueshëm deputetësh", thekson Oketa. Në analizën politike të tij, Oketa mendon se avantazhi më i madh i Partisë Demokratike është se shkon në zgjedhje si qeveri e premtimeve të mbajtura. "Ne vijmë në zgjedhjet e 28 qershorit si vend anëtar i NATO-s, si vend i cili ka aplikuar për anëtarësimin në BE", thotë ai. Duke iu referuar kundërshtarëve politikë, Oketa mendon se socialistët nuk kanë një program real e të besueshëm. Ai vlerëson se lista e kandidatëve për deputetë të Partisë Demokratike është më cilësore dhe më përfaqësuese në Qarkun e Durrësit. Kjo, sipas tij, është një faktor pozitiv në fitoren e demokratëve në zgjedhjet e 28 qershorit.

Zoti Oketa, me çfarë objektivi hyn Partia Demokratike në zgjedhjet e 28 qershorit për Qarkun e Durrësit?

Sigurisht që PD-ja e Qarkut Durrës hyn në këto zgjedhje me një objektiv të qartë, atë të një rezultati sa më pozitiv në favor të saj. Qarku i Durrësit ka votuar gjithmonë djathtas dhe gjithmonë sfida jonë ka qenë thellimi i rezultatit pozitiv në favorin tonë. Ne besojmë se jo thjesht për arsye orientimi djathtas të qarkut tonë, por kryesisht për shkak të asaj çfarë ka bërë qeveria e Partisë Demokratike, gjatë mandatit katërvjeçar, objektivi ynë është plotësisht i realizueshëm.

Gjatë katër viteve që po mbyllen, në Durrës shumicën e deputetëve e ka pasur PD-ja. Në fakt, a mendoni se keni bërë aq sa duhet që të kërkoni një rikonfirmim si mazhorancë në këtë qark?

Absolutisht që po. Besoj se gjatë këtyre katër viteve është bërë aq shumë jo vetëm në Qarkun e Durrësit, por në të gjithë Shqipërinë dhe jam i sigurt se më 28 qershor ne do të rikonfirmohemi jo vetëm në Durrës. Gjatë këtyre katër viteve, Qarku i Durrësit ka njohur shumë ndryshime pozitive dhe kjo jo thjesht për faktin se Durrësi kishte një numër të konsiderueshëm deputetësh, por edhe për faktin se infrastruktura, energjetika, arsimi, shëndetësia, pagat e pensionet kanë qenë prioritete të qeverisë në të gjithë vendin.

Cilat mendoni se janë pikat më të forta tuajat dhe më të dobëtat e kundërshtarit në këto zgjedhje?

Pika më e fortë e jona së pari, mendoj se është fakti që ne vijmë në këto zgjedhje si qeveri e premtimeve të mbajtura. Gjatë këtyre katër viteve, ne e bëmë Shqipërinë me ekonomi më të fortë e me mundësi më të mira, e shndërruam në vendin më tërheqës për investimet e huaja. Transformuam infrastrukturën, rrugët dhe energjetikën. Krijuam më shumë vende të reja pune dhe dyfishuam pagat e arsimtarëve, mjekëve e infermiereve, dyfishuam pensionet. Shembëm murin e krimit dhe korrupsionit. Krijuam standarde të reja në arsim e kudo. Ne vijmë në zgjedhjet e 28 qershorit si vend anëtar i NATO-s, si vend i cili ka aplikuar për anëtarësimin në BE. Kundërshtarët tanë besoj se kanë disa pika të dobëta në këto zgjedhje, ku e para mund të përmendet mungesa e një programi qeverisës real e të besueshëm, mungesa në listën e kandidatëve e kryetarit të PS-së, zotit Edi Rama besoj se është një dobësi tjetër. Megjithatë, ne fitoren tonë e mbështesim mbi arritjet e premtimet tona dhe jo mbi dobësitë e kundërshtarit tonë politik.

Nëse përtej konkurrimit elektoral do t‘u duhej të bënit një vlerësim për kandidatët rivalë në qarkun tuaj, cili do të ishte ai?

Përmenda më sipër se ne fitoren e mbështesim mbi arritjet tona. E njëjta gjë vlen edhe për listat e kandidatëve. Unë besoj se lista e PD-së është një listë më cilësore, më përfaqësuese e Qarkut të Durrësit dhe do të jetë një faktor tjetër pozitiv në fitoren e PD-së në Durrës në zgjedhjet e 28 qershorit.

CV

Gazmend Oketa

-Është diplomuar si inxhinier për ndërtimet civile-industriale pranë Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit në Universitetin Politeknik të Tiranës

-Në vitet 1993-1994 ndoqi studimet pasuniversitare në Universitetin Siegen, Gjermani

-Ka punuar si konsulent pranë "Voith Siemens" Austri, në Projektin e Rehabilitimit të Hidrocentralit të Bistricës

-Gjatë viteve 1997-2003 ka punuar si inxhinier projektues dhe administrator privat në sipërmarrje private ndërtimi

-Më 28 mars 2008 është emëruar në postin e Ministrit të Mbrojtjes, ndërsa më parë ishte në atë të zv/kryeministrit

-Për rreth dy vjet, Oketa ka qenë zëdhënës i Partisë Demokratike

-Gjatë vitit 2006 ai ka drejtuar Presidencën e radhës në CEI



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›