Shuli: PSD ka prioritet punësimin e grave
Kandidatja për deputete e PSD-së për Qarkun e Durrësit, Ingrid Shuli ka zhvilluar takime me gra intelektuale, biznesmene në fushën e fasonit, përfaqësuese nga shoqëria civile në qytetin e Shijakut dhe më pas në Durrës. Në këto takime, për të mbështetur fushatën e kandidateve për deputete të PSD e pranishme ka qenë dhe znj. Marleen Haas, sekretare e Përgjithshme e Internacionales Socialiste të Gruas, e cila u shpreh e bindur në fitoren e së majtës, në fitoren e socialdemokracisë. Znj.Shuli në fjalën e saj theksoi se për Qarkun e Durrësit programi i saj ka disa pika kryesore, siç janë punësimi i grave dhe të rinjve duke ofruar projekte konkrete për trajnimin e tyre profesional; duke lehtësuar taksat dhe tatimet e bizneseve të vogla për të ndihmuar në rritjen e nxitjen e punësimit; duke vënë theksin tek arsimi profesional, sepse për Qarkun e Durrësit ka shumë mundësi për specialistë të turizmit.