Rama: Nano president? S’paragjykojmë asnjë. Islami mori atë që meritonte
“Na duhet një proces europian. Në radhë të parë ne dëshirojmë të ndërtojmë profilin e Presidentit që i duhet sot vendit, pa paragjykuar asnjë emër. Raporti i OSBE/ODIHR i 2009 ishte hipokrit”
Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, në një intervistë në ‘Ora News’ teksa ka komentuar vitin 2011, preku pikat më të nxehta të debatit politik që e shoqëroi atë, duke evidentuar si momentin më të vështirë ngjarjen e 21 Janarit. Rama ka folur edhe për çështjet e brendshme të partisë, si çështjen “Islami”, duke e quajtur të mbyllur dhe se ai mori atë që meritonte.
Tashmë jemi në fund të 2011-ës, duke qenë se ky vit ka pasur shumë zhvillime, duke u nisur që nga 21 janari, si do ta përkufizonit këtë vit?
2011-ta ka qenë vit i vështirë, i cili filloi me një krim shtetëror, me vrasjen e 4 qytetarëve të pafajshëm. Një vrasje ende e pandëshkuar, edhe pse e zbardhur në sy të të gjithë botës. Dhe është shënuar nga një dështim i rëndë i vendit për të dytën herë radhazi, me refuzimin e aplikimit për statusin e vendit kandidat në BE. Nga ana tjetër, është një vit i cili ka thelluar krizën ekonomike, të shtetit të së drejtës. Drejtësia këtë vit praktikisht ka rënë, dhe mbi të gjitha të marra së bashku, ato që kanë ndodhur gjatë këtij viti janë përmbledhur në një familje shqiptare që jeton më keq se një vit më parë.
Pse vendosët të riktheheshit në parlament, duke pas parasysh se vazhdoni të mos pranoni atë çka ndodhi më 8 maj dhe në 2009?
Partia Socialiste ka qenë në parlament prej shumë kohësh. Ajo ka munguar vetëm gjashtë muajt e parë, dhe pastaj Partia Socialiste ka qene në parlament duke mbajtur një qëndrim legjitim. Ndërkohë që nuk është se pas zgjedhjeve të 8 majit ne jemi rikthyer në parlament, por pas këtyre zgjedhjeve ne kemi çelur një fazë të re me një kurs të ri politik. Kjo për një arsye shumë të thjeshtë, që ne arritëm të vendosim problemin e zgjedhjeve jo vetëm të popullit shqiptar por edhe të gjithë komunitetit ndërkombëtar. Gjë që nuk ndodhi kështu pas zgjedhjeve të 2009-ës. Pas zgjedhjeve të 2009, raporti i OSBE/ ODIHR-it ishte një raport hipokrit, i cili aq sa i nënvizonte problemet e rënda në zgjedhje, aq edhe u vinte kapak këtyre problemeve, duke na vendosur ne në rolin e dëshmitarit të vetëm të një krimi. Ndërkohë që ishim të rrethuar nga veshmbyllja dhe symbyllja, gjë që na detyroi të qëndronim shumë fort në llogoren e rezistencës opozitare, duke rritur hap pas hapi ndjeshmërinë për çështjen e zgjedhjeve. Ndërkohë që pas 8 majit, raporti i OSBE/ODIHR-it është i kristaltë lidhur me atë çka ka ndodhur. Që nga ai moment është zgjidhur në themel problemi i vendosjes së zgjedhjeve në qendrën e vëmendjes së të gjithë faktorëve, të cilët janë shumë të rëndësishëm për demokratizimin e Shqipërisë dhe për procesin e integrimit. Jo më kot opinioni i BE-së nënvizon si një nga prioritetet themelore zgjedhjet me standarde ndërkombëtare.
Pak ditë më parë, Presidenti Topi deklaroi publikisht se nuk do të kandidojë për një mandat të dytë për këtë post. Si e komentoni këtë veprim të zotit Topi?
Unë mendoj se zoti Topi, në mënyrë shumë fisnike u deklarua i palidhur me asnjë interes për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm, në kuptimin e personit të tij. Dhe besoj se kjo ishte një mënyrë e respektueshme për të lënë të lirë fushën nga çdo lloj spekulimi. Dhe për t’u dhënë mundësi të gjitha palëve që këtë proces ta ndërtojnë pa “pengesën” e vetë zotit Topi. Dhe në këtë rast, më takon që t’i shpreh respektin Presidentit të Republikës; mund të themi çfarë të duam nga pozicioni ynë, por askush nuk mund të mohojë se në mënyrën e tij ishte një president mbi palët. Çdo kritikë që mund t’i bëhet për mënyrën se si mund të kishte administruar në një moment të caktuar funksionin dhe përgjegjësinë e tij, vjen më pas. Por konsiderata e parë është kjo, që pavarësisht se u votua nga PD, nuk ishte një president që i shërbeu partisë, por ishte një president që me këndvështrimin që zgjodhi, funksionoi si garant i Kushtetutës.
Zoti Topi e la të hapur rikthimin në politikë jo me PD-në, por me një tjetër parti të re..
Kjo është zgjedhja e tij legjitime dhe personale, unë nuk kam asnjë koment.
Një prej këtyre pikave të rëndësishme që është për ta çuar përpara këtë integrim dhe që ju ia keni krijuar mundësinë edhe me këtë bashkëpunim që sapo thatë, kryeministri Berisha duke folur për reformën zgjedhore hodhi poshtë kategorikisht idenë e rishikimit të sistemit, madje edhe për çështjen e listave të hapura që e kanë kërkuar aleatët e PS-së, por edhe aleatët e kryeministrit Berisha. Cili është qëndrimi juaj për çështjen e sistemit?
Qëndrimi ynë është i qartë. Ne jemi të gatshëm të diskutojmë dhe të gjejmë dakordësi me partitë e vogla, për t’u dhënë atyre mundësinë që të kenë një përfaqësim më të drejtë sipas tyre. Dhe ky është një qëndrim, i cili buron edhe nga domosdoshmëria që procesi ofron të jetë një proces gjithëpërfshirës, të jetë një proces transparent dhe të jetë një proces i ndershëm me të gjithë, pastaj kuptohet që secili ka votën e tij. Dy partitë e mëdha kanë veton e tyre dhe në rast se PD-ja e vendos këtë veto, sigurisht që nuk mund të ketë një ndryshim sistemi. Asnjë lloj ndryshimi në fakt në ligjin zgjedhor. Por ne, jo vetëm që nuk do të vendosim veton, por përkundrazi do të hapim të gjitha kanatet e komunikimit me partitë e vogla dhe do të bëjmë gjithçka na takon për të gjetur dakordësi me ta, për t’u thënë që PS-ja është e gatshme ta rishikojë sistemin në funksion të rritjes së proporcionalitetit. Çka do të thotë që përsëri ne, marrëveshja me Europën dhe misioni që kemi marrë përsipër si alternativa europiane e shqiptarëve, na imponojnë të sillemi si europianë, si demokratë dhe si shqiptarë të urtë, që t’i japim të gjitha shanset përmirësimit të sistemit në këtë rast, përmirësimit të çdo ligji në çdo rast dhe përmirësimit të politikës në Shqipëri në të gjitha rastet. Thënë kjo, duhet të kujtojmë që për 2 vjet me radhë dhe qindra herë, qoftë Saliu, qoftë përfaqësuesit e qeverisë, e kanë përsëritur që janë të gatshëm të pranojnë çdo ndryshim të sistemit që kërkon opozita, madje kanë arritur të thonë që jemi të gatshëm të pranojmë të ndryshojmë edhe krejt sistemin në rast se opozita e kërkon. E si është e mundur që sot, kur opozita është e ulur në tryezë, ta refuzojnë kategorikisht një gjë të tillë? Megjithatë, shqiptarët na shohin, na dëgjojnë dhe le të na gjykojnë. Ne nuk kemi mekanizma për të ndryshuar gjërat me forcë, sepse demokracia nuk e prezumon një gjë të tillë. Ama u takon qytetarëve që të gjykojnë sjelljen dhe rezultatet e çdo sjelljeje të çdo force politike.
Flasim për një çështje që ka qenë në diskutim, çështja e çregjistrimit të zotit Islami. Ka kthim mbrapa, duke pasur parasysh edhe kontributet e zotit Islami...?
Nuk ka asnjë kthim mbrapa në këtë çështje. Tashmë është një çështje e mbyllur, madje është edhe një çështje e vjetër tanimë me shpejtësinë e lajmeve dhe të informacionit. E vetmja gjë që dua të rinënvizoj për të respektuar pyetjen tuaj: Partia Socialiste është një bashkim vullnetar, sigurisht garanton liri dhe hapësirë për mendimin e të gjithëve, por nuk mund të sfidohet nga askush në themelin e bashkëjetesës së vet. Ndërkohë që ka boll hapësirë për të thënë dhe për të mbajtur qëndrime që bien ndesh me interesat, që bien ndesh me politikën, që bien ndesh me vendimet e Partisë Socialiste dhe kjo i garanton mundësinë çdo individi që të vazhdojë të bëjë politikë, por jo në Partinë Socialiste dhe në dëm të Partisë Socialiste.
Pra, zoti Islami ishte një lloj sfidimi për PS-në, ndryshe nga zoti Malaj, që madje edhe u rizgjodh në kryesinë e partisë, apo zoti Blushi po ashtu...?
Është i njohur episodi. Nuk ishte vendimi që vajti te Kastrioti, por ishte Kastrioti që vajti e u përplas te vendimi i marrë përpara se sa ai të bënte aktin e shkeljes së një vendimi politik, për të cilin statuti është i qartë, por jo vetëm statuti, por në frymën e mirëkuptimit pas disa ngjarjesh të papëlqyeshme në kohë, grupi parlamentar vendosi që të zbatohet rigorozisht dhe të gjithë kontribuuan për zbatimin e tij. I vetmi që e theu vendimin pa asnjë arsye tjetër, përveç faktit që cenoi arbitrarisht këtë vendim, ishte Kastriot Islami dhe mori atë që meritonte.
Është diskutuar para kohe ndoshta shfaqja e kandidaturës së zotit Nano për postin e Presidentit. Në një komunikim pak ditë më parë, zoti Nano tha se “PS nuk ka vdekur”, duke nënkuptuar se mund të marrë votat brenda PS-së në rast se do jetë si kandidaturë...
Unë mendoj që ky nuk është një proces marrje votash këtej e andej. Unë mendoj që ky është një proces që duhet parë përsëri dhe unë e shoh përsëri në funksion të interesit kombëtar, që sot është i njehsuar me interesin e integrimit sa më të shpejtë në BE. Na duhet një proces europian. Në radhë të parë, ne dëshirojmë të ndërtojmë profilin e Presidentit që i duhet sot vendit, pa paragjykuar asnjë emër, por pa u nisur nga asnjë emër dhe përsëris, edhe pse ka pasur një refuzim banal nga ana tjetër për atë që unë kam shprehur, përsëris se neve na duhet të shkojmë drejt një presidenti mbi palët. Duhet një president që të mos jetë shprehje e arrogancës së një shumice shumë të kufizuar numrash, edhe pse Kushtetuta e ndryshuar parasheh që në rast se 3 raundet e para dështojnë, atëherë Presidenti zgjidhet me shumicë të thjeshtë, por kjo nuk do të thotë që ne harrojmë se fryma e Kushtetutës kërkon një president tërësisht të shkëputur nga interesat e palëve dhe mishërim të interesit kombëtar, të unitetit kombëtar e të Kushtetutës dhe të pavarësisë së atij institucioni. Për më tepër po të shohim edhe eksperiencat e vendeve të tjera, marrim Greqinë apo vendet e tjera, pavarësisht se shkojnë në fund proceduralisht në fund drejt 50 plus 1, në frymë që në fund kanë një traditë që dakordësohen për një figurë që si rregull për të mirën e vendit dhe në interes të kombit është mbi palët dhe është jashtë palëve. Kështu që edhe në këtë rast - shqiptarët na ndjekin, na dëgjojnë dhe do të na gjykojnë, - ne do t’u themi shqiptarëve se çfarë presidenti duam për Shqipërinë dhe sigurisht edhe në këtë rast çka na intereson është interesi kombëtar, është interesi i Shqipërisë europiane dhe jo interesi partiak, gjë që modestisht e treguam me një shembull, i cili në këndvështrimin tim u dha një shenjë njerëzve të këtij vendi për mënyrën se si duam ta administrojmë Shqipërinë përmes një administrimi publik europian me Avokatin e Popullit. Pra, ky është vizioni ynë dhe kjo është rruga jonë dhe në këtë rrugë dhe me këtë vizion ne duam t’i japim Shqipërisë një politikë të re.
Intervistoi Patrik Sadikaj/ ‘Ora News’