E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha, Xhons: Zgjedhje të lira dhe të barabarta

Kryeministri Sali Berisha siguron SHBA-në se qeveria shqiptare është e vendosur të bëjë gjithçka është e mundur për të organizuar zgjedhje të lira e të ndershme. Kjo, në mënyrë që vendi të shkëputet përfundimisht nga tradita e diskutimit për cilësinë e zgjedhjeve. Këtë i bëri dje të ditur z. Berisha zëvendësndihmësit të Sekretarit të Shtetit të SHBA-së, Stjuart Xhons. Kreu i qeverisë i shprehu z. Xhons mirënjohjen më të thellë për Presidentin Bush dhe qeverinë amerikane, për ndihmën historike që i kanë dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve. Kryeministri theksoi se ratifikimi në Senat dhe firmosja nga Presidenti Bush i Protokollit të Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO përbëjnë ngjarjen më kulmore në marrëdhëniet midis dy vendeve tona, që nga njohja e pavarësisë së Shqipërisë nga SHBA-ja. Kryeministri falënderoi për ndihmën e pakursyer amerikane në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit etj. dhe në projekte konkrete, si Llogaria e Mijëvjeçarit, si dhe e njohu zotin Xhons me zhvillimet dhe përparimin e reformave në të gjitha fushat në vend. Duke u ndalur tek zgjedhjet e vitit 2009, kreu i qeverisë vlerësoi se ngjarje madhore për vitin e ardhshëm janë zgjedhjet e përgjithshme dhe se qeveria shqiptare është e vendosur të bëjë gjithçka është e mundur për të organizuar zgjedhje të lira e të ndershme, në mënyrë që vendi të shkëputet përfundimisht nga tradita e diskutimit për cilësinë e zgjedhjeve. Kryeministri siguroi se qeveria po përgatit regjistrin dixhital të shtetasve, kartat e reja të identitetit dhe pasaportat biometrike. Berisha e siguroi zyrtarin e lartë amerikan se qeveria shqiptare mbetet e angazhuar dhe e përkushtuar për ligje të standardeve më të mira, për konsolidimin e pavarësisë së institucioneve dhe për luftën me tolerancë zero kundër krimit dhe korrupsionit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›