E Shtunë, 31 Tetor 2026

Liria e medias, Shqipëria sa vjen e përkeqësohet

Sfidat ndaj pluralizmit mediatik pritet të jenë ndër shqetësimet kryesore të Komisionit Europian për Ballkanin Perëndimor

Institucionet e Bashkimit Europian dhe shoqatat ndërkombëtare të gazetarisë shprehen gjithmonë e më të shqetësuara për situatën e medias në Europën Juglindore.

Sfidat ndaj pluralizmit mediatik dhe lirisë së shtypit pritet të jenë ndër shqetësimet kryesore që Komisioni Europian do të përfshijë në progres-raportet e këtij viti për vendet e Ballkanit Perëndimor. Një artikull i “Euobserver”, gazetës së pavarur online, që fokusohet te politika dhe institucionet e BE-së, thotë se, “ndërsa problemet ndryshojnë sipas vendit, ka ngjashmëri të mëdha për sa u takon sfidave me të cilat përballet media në të gjithë rajonin.

“Intimidimi i gazetarëve, presioni politik dhe subvencionet ilegale shtetërore për median e kontrolluar nga qeveria, janë një fenomen i zakontë për shumicën e vendeve ballkanike”, thuhet në artikullin që përjashton nga kjo vorbull vetëm Kroacinë. Në disa vende, sipas diplomatëve europianë, situata është përkeqësuar e këtu përmenden në mënyrë të veçantë Shqipëria, Maqedonia dhe Kosova. Për të ilustruar situatën në Shqipëri, artikulli merr si shembull rastin e “Top Channel” dhe “gjobës së paarsyeshme të vendosur ndaj televizionit për shkakun e vetëm se ekspozoi abuzimin e një ish-ministri me pushtetin”. Ai rendit më pas raste kërcënimi të gazetarëve në Kosovë, fushatën e vazhdueshme kundër medias dhe reporterëve në Maqedoni apo problemet që burojnë nga pronarët e mediave në Serbi.

Në Kroaci nuk është më problem influenca e drejtpërdrejtë politike, por shqetësime të mëdha vazhdojnë të rrethojnë sigurinë e gazetarëve që shkruajnë për korrupsionin dhe krimin e organizuar. “Ne besojmë se vendeve të Ballkanit Perëndimor u intereson çfarë shkruajmë në progres-raporte për gjendjen e medias. Ata pretendojnë se janë duke punuar për përmirësimin e situatës, por kjo bëhet vetëm nëpërmjet ndryshimit të ligjeve, jo implementimit të tyre”, tha për “Euobserver” një zyrtar i BE-së.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›