Oketa: Statuti i PD e bën Topin anëtar të Këshillit Kombëtar
-Deputeti i PD: Nuk fituam këto zgjedhje, PD mori kostot, nga hakmarrjet tona të brendshme po fiton LSI
Deputeti demokrat, Gazmend Oketa, që u pa së fundmi në shoqërinë e presidentit Bamir Topi në Durrës, ka thënë në një intervistë për Vizion Plus se askush nuk ia mbyll dot derën presidentit në PD. Oketa tha se sipas statutit Topi është anëtar i Këshillit Kombëtar, por varet më pas çfarë vendimi do marrë Topi dhe a do zbatohet ky nen i statutit.
Oketa tha gjithashtu se nuk do e votojë Nanon për president, por do votojë propozimin që vjen nga e djathta. Deputeti demokrat u shpreh se nuk është e vërtetë që zgjedhjet lokale u fituan nga mazhoranca, pasi u humbën qendrat kryesore në Shqipëri veç Tiranës. Duke parë faktin se LSI ka pasur ngritje dhe PD ulje në zgjedhje, Oketa thotë se PD mori kostot e koalicionit. Nuk kemi pse e fshehim se edhe në kontaktet me bazën duket se ka diçka që nuk funksionon. Fatkeqësisht ky lloj koalicioni po përdoret brenda mazhorancës edhe për hakmarrje personale. Po piketohen persona të caktuar për luftë të brendshme politike dhe i ofrohen si poste LSI-së, tha Oketa.
Oketa tha se ishte gabim që skandali i videos Meta- Prifti u cilësua si luftë e brendshme në LSI, pasi ajo preku mazhorancën.