E Shtunë, 31 Tetor 2026

Oketa në Francë për helikopterët katër ditë përpara Berishës

Nga Tema

Qeveria shqiptare ka lobuar prej kohësh për të marrë një takim me presidentin francez, në këmbim të blerjes së disa helikopterëve të rinj nga firma Eurocopter.

Pak ditë përpara se në Francë të mbërrinte kryeministri, Sali Berisha, në këtë vend ka qenë dhe ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, që ka diskutuar për këtë çështje.

Burime diplomatike thonë se është krejtësisht e mundur që kryeministri, Sali Berisha, të jetë thirrur personalisht nga presidenti francez, Sarkozy, për të marrë prej tij garanci për këtë blerje.

Sarkozy njihet për qëndrimet e tij të prera për negociata të tilla.

Por kjo bëhet dhe më e vërtetë, kur sheh se përgjithësisht vizita të tilla të rëndësishme bëhen në këmbim të favoreve për bizneset e vendeve të mëdha perëndimore. Kryeministri italian, Silvio Berluskoni, u shfaq në Tiranë për të nënshkruar disa marrëveshje të mëdha në fushën e energjitikës, me kosto shumë të mëdha për ambientin në Shqipëri. Ajo çka mori në këmbim kryeministri shqiptar ishte deklarata e tij se do mbështeste liberalizimin e vizave mes Shqipërisë dhe BE. Në fakt, Italia po investohet në këtë drejtim, duke paraqitur dhe një plan konkret për liberalizimin e vizave. Madje, ministri i Jashtëm i këtij vendi u shfaq në një media pranë qeverisë shqiptare para pak ditësh duke mbajtur me shpresë shqiptarët se sivjet mund të kenë regjim të ri vizash. Të tilla manovra duken pa vlerë, për sa kohë Komisioni Evropian ka qenë i prerë për këtë çështje, duke parë si të afërt vitin 2010, madje dhe këtë vit në varësi të reformave.

Edhe në rastin e centralit bërthamor, kryeministri shqiptar bën të tilla manovra.

Ajo çka raportoi gazeta “TemA” ishte një shkrim i agjencisë Reuters që zbardh për shqiptarët atë që gatuhet në shpinë të tyre, pa më të voglën transparencë.

Lajmin e medieve franceze e ka trilluar Rama

Edhe pse është raportuar nga mediet më me ndikim në Francë, lajmi për shitjen e helikopterëve është cilësuar nga Berisha si një trillim i kryetarit të PS, Edi Rama.

Lajmi për shitjen e helikopterëve është lajm që i përket agjencisë Reuters dhe gazeta “TemA” e ka marrë atë nga revista me famë ndërkombëtare “L’Express”.

“Ky është trillim i turpshëm i Edi Ramës, i cili nga ora e Bushit, kalon te shpifje dhe trillime të tilla. Të jeni të bindur se presidenti Nicolas Sarkozy më ftoi mua në Élysée, para së gjithash e mbi të gjitha, për të shprehur mbështetjen e tij të plotë e totale ndaj këtij vendi, respektin dhe dashurinë ndaj këtij kombi, por edhe një njohje miqësore që kemi. Kjo vizitë u bë në këtë moment, sepse e vërteta është se jam përpjekur shumë më tepër që presidenti të vijë në Shqipëri. Unë kam pasur një qëllim, por, meqenëse axhenda e tij nuk e lejon, më ftoi mua që të shkoja. Ndërsa, ky zotëri që çdo sukses të kundërshtarit të tij do ta përjetojë si ferr, si tmerr e si disfatë, pavarësisht se kjo është edhe interesi më i mirë i vendit dhe kombit të tij, përdor në mënyrë barbare medien. Ju e dini edhe historinë për lajmin e orës së presidentit Bush, se si u dërgua mesazhi që, meqenëse nuk iu bë vizita në bashki, ta nxinte e të bënte një flluskë. Mund të them se edhe kjo është si “ora e Bushit bis”, - tha Berisha.

Berisha: Në Francë më transmetuan live shumë televizione

Kryeministri, Sali Berisha, tha gjatë konferencës së djeshme se kishte bërë ekspoze të mëdha para medieve në Francë.

“Presidenti Sarkozy më garantoi plotësisht se do të vizitojë Shqipërinë, premtim të cilin ma kishte dhënë edhe më parë, në takimet që kisha pasur gjatë samiteve, të zhvilluara gjatë këtyre 2-3 viteve të fundit. Ai u kërkoi këshilltarëve të tij më të afërt të përcaktojnë në axhendën e tij vizitën në Shqipëri. I thashë se kjo do të jetë një ditë historike, sepse ju do të jeni presidenti i parë në historinë e marrëdhënieve midis dy vendeve që do të vizitoni vendin tim dhe dua t’ju siguroj se do gjeni aty ndjenjat më miqësore. Mesazhi që unë do ju përcjell shqiptarëve, është se ju e konsideroni procesin e integrimit të Shqipërisë të parikthyeshëm dhe vlerësimin e madh që keni për reformat e përpjekjet që ka bërë Shqipëria dhe shqiptarët për të arritur të meritojnë këtë besim, lajmi për vizitën tuaj të ardhshme, të gjitha këto e bëjnë këtë vizitë jashtëzakonisht të frytshme.

Përmasa shumë të mëdha në këtë vizitë patën edhe ekspozetë e mia para medieve më të mëdha franceze. Kanali kryesor i Francës transmetoi ‘live’ intervistën time para Élysée, sapo dola nga takimi. Kanale të tjera televizive më të fuqishme të informacionit si 24-orëshi, iTele etj.,. morën intervista të zgjeruara për t’i transmetuar ato, në mënyrë të përsëritur, dhe shpërndarë në të gjitha rrjetet televizive franceze e më gjerë”, - tha Berisha.

Italianët: Duam tender transparent për helikopterët

Gjatë vizitës së kryeministrit Berisha në Francë, presidenti, Nicolas Sarkozy, premtoi mbështetjen franceze, kur Shqipëria të aplikojë për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian.

Por ajo që nuk u tha nga njoftimet zyrtare shqiptare, ishte se presidenti francez i bëri të qartë kryeministrit shqiptar vëmendjen, me të cilën po ndjek tenderin e ushtrisë shqiptare për blerjen e disa helikopterëve të rinj, një insinuatë indirekte për të pasur në vëmendje ofertën franceze për “Eurocopter”. Burime diplomatike italiane i pohuan Top Channel se po me aq vëmendje e ndjekin këtë tender edhe në Romë, e cila ka bërë ofertën e saj me helikopterë “Agusta”, ndërkohë që amerikanët, që na mbështeten aq shumë, janë gjithashtu në garë. Përtej deklaratave mbështetëse dhe përqafimeve, shumë shpejt qeveria do të bëjë një zgjedhje mes tre rivalëve të fortë, një zgjedhje që nuk mund t’i bëjë ata të gjithë të kënaqur.

Revista franceze “L’Express” citon një deklaratë të pallatit presidencial francez që thotë se Shqipëria do të jetë anëtare e Bashkimit Evropian dhe Franca e mbështet plotësisht këtë perspektive. Sipas gazetës, kreu i shtetit francez siguroi se do ta mbështesë këtë hap të Shqipërisë, edhe pse situata aktuale nuk është ndër më të favorshmet, me një krizë ekonomike që dobëson kandidatët potencialë dhe pasiguritë mbi ratifikimin e Traktatit të Lisbonës. Por më poshtë, gazeta prestigjioze zbulon si gjithmonë se gjithçka vjen me një çmim. Sipas “L’Express”, presidenti francez vuri theksin te rëndësia e projektit të blerjes se 17 helikopterëve ushtarakë “Eurocopter” nga Shqipëria. “Eurocopter” i krijuar nga një bashkim franko-gjerman më 1992 dhe sot filial i EADS, është në garë për këtë kontratë me italianen “Agusta” të “Finmeccanica group” dhe amerikanen “Sikorsky”, nëndegë e “United Technologies”, e cila prodhon ndër të tjera edhe helikopterët e famshëm “Blackhawk”.

Por insinuata e gazetës “L’Express”, e cila citon burime nga Presidenca, për një vizitë në Paris, dukshëm të nxitur edhe nga lobingu i fortë për blerjen e “Eurocopter”, duket se mbështetet edhe nga fakte të tjera indirekte. Vetëm pak javë më parë, tre senatorë të rëndësishëm italianë, pjesëtarë të grupit parlamentar italian në Asamblenë e NATO-s, vizituan Tiranën. Edhe ata vlerësuan reformat në prag të anëtarësimit, por bënë të qartë se çfarë presin për këto komplimente nga qeveria shqiptare.

Faktin që vizita e senatorëve italianë ishte ndër të tjera e motivuar edhe nga lobingu për tenderin e helikopterëve nga Ushtria Shqiptare, e pohuan për Top Channel edhe burime diplomatike italiane. Sipas tyre, bëhet fjalë në fakt jo për 17, por për një numër dy herë më të vogël helikopterësh që do të blihen nga qeveria shqiptare me tender. Në kushtet e anonimitetit dhe në formë jozyrtare, këto burime pohuan se Italia e shihte shume seriozisht këtë tender dhe se Shqipëria duhet ta kishte të qartë se vendi përtej Adriatikut dhe jo Franca, ishte pika e parë e kontaktit me NATO-n. I njëjti burim pohon se transparenca e këtij tenderi për blerjen e helikopterëve të rinj nga Ushtria Shqiptare ishte shumë e rëndësishme. Por këtë, publikisht në intervistën dhënë për Top Channel, e kërkoi edhe senatori italian De Gregorio pak javë më parë. “Ne presim për shembull tenderë transparente, presim rritje të teknologjisë ushtarake për të cilat ju keni nevoje për operacionet e ndryshme të forcave tuaja ushtarake si në Afganistan”, - theksoi senatori. Kështu, hyrja e Shqipërisë në NATO ka dhënë sinjalet e para së tashme për industritë e zhvilluara ushtarake, ne jemi një treg i ri, por në kushtet e krizës ekonomike, duket se nuk konsiderohemi i vogël.

Kjo shpjegon përtej vlerësimit për reformat, se përse, pas çdo shtrëngimi duarsh apo përqafimi, miqtë tanë evropiane kanë si gjithmonë një axhendë tjetër, atë të interesave ekonomike. Shumë shpejt, qeverisë i duhet të zgjedhë mes komplimenteve franceze, italianë apo amerikanë. Dhe meqë tenderi zhvillohet përpara zgjedhjeve politike, me siguri që surprizat do të vazhdojnë.

TCH

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›