Shkodra, kjo zonjë e tradhtuar
1.
Raporti i çdo qeverie shqiptare me Shkodrën asht një marrdhanje që mund të shërbente si një letër lakmus për të zbërthyer shumë veçori dhe komplekse të fshehura të pushtetarëve, jo vetëm me qytetin më të madh të Veriut, por dhe me popullin e tyre. Dhe kjo e vërtetë e madhe duket se asht më e vërtetë në kohnat tona, kur politikanët më tepër se kurrë fshehen pas fjalësh të spërdredhura, kur fjala e artikuluar nga goja e politikanit nënkupton diametralisht të kundërtën e semantikes së fjalës, kur buzëqeshja e politikanëve nënkupton dhe mjerimin dhe trishtimin më të madh. Shkodra, ç’asht e vërteta, ka qenë gjithmonë një qytet bezdisës për strukturat shtetërore. Edward Gibbon që herët vë re në “History of the decline and the Fall of the Roman Empire” se Shkodra “(Scutari) asht “një qytet që i mjafton vetvetes”. Duket pikërisht për këtë arsye që qyteti verior e ka ndjerë dhe vazhdon ta ndjejë veten disi të huaj ndaj administrative që janë përpjekë dhe përpiqen t’i imponohet qoftë me dhunë, qoftë me retorika hipokrite.
2.
Ditët e fundit në shtypin shqiptar dhe në atë kroat e italian ka zënë vend të veçantë lajmi i mundësisë së ndërtimit të një centrali bërthamor buzë Liqenit të Shkodrës. Ky lajm, si dhe reagimet rreth tij, na bën që t’i rikthehemi edhe njëherë raportit të shtetit shqiptar me Shkodrën.
Këtë radhë, shteti shqiptar, për ironi, asht dhe shteti demokratik (më saktësisht: i Partisë Demokratike), për të cilin Shkodra ka votuar me shumicë dërmuese që prej ardhjes së pluralizmit në Shqipëri. Jo se ky central bërthamor nuk do të ishte miratuar edhe nga një shtet i kryesuar nga një parti me një emër tjetër. Por fakti që shteti demokratik (i Partisë Demokratike) gjendet në pushtet dhe vendimi asht i saj, të bën të mendosh për atë letrën lakmus që përmendëm në fillimin e këtij shkrimi.
Nuk asht hera e parë që Shkodra, kryeqendra e Veriut shqiptar dhe kryeqendra e katolicizmit shqiptar, njëherë e një kohë metropol i kulturës dhe qytetërimit shqiptar, të ndjehet e tradhtuar.
Lëvizja antikomuniste në Shqipëri ka filluar menjëherë pas vendosjes së pushtetit komunist, që në vitin 1945, në Shkodër, dhe jo me lëvizjen studentore të dhjetorit 1990, siç u pëlqen të thonë pushtetarëve të sotëm. Fakti që në lëvizjen antikomuniste të Postribës e të Malësisë së Madhe u vranë dhe u masakruan me qindra njerëz, dhe fakti që lëvizja e Dhjetorit pati personazhe të tilla groteske si Pandeli Majko dhe Ilir Meta, të cilët u shpërblyen (jo veç ata) për pjesëmarrjen në lëvizjen që quhet antikomuniste, tregon qartë dallimet diametralisht të kundërta mes tyre (ndërsa ata të paktë që e patën me gjithë mend 1990, ose janë vra, ose kane ikë të neveritur nga farsa e mashtrimit). Lëvizja e Dhjetorit i bëri dhe shërbimin më të madh komunistëve shqiptarë; ajo bëri të mundur amortizimin e urrejtjes kundër komunizmit; ajo krijoi iluzionin se komunistët nuk janë më në pushtet; ajo bëri gjyqin famëkeq të kafeve, që Pjetër Arbnori e pat quajtur me një sinqeritet të admirueshëm “një marrëveshje xhentëlmenësh me komunistët: ne nuk po ju fusim në burg, ju na lini në pushtet” (një marrëveshje që mund të ketë çdo lloj emni tjetër, veç jo atë të xhentëlmenëve).
Por pse pushtetarët e sotëm megjithatë ngulin këmbë dhe parapëlqejnë të thonë se lëvizja antikomuniste fillon me lëvizjen e dhjetorit 1990? Sepse në krye të lëvizjes antikomuniste janë ish-komunistët shqiptarë, sekretarë partie, njerëz që, po qe se rrjedha e ngjarjeve të kishte vazhduar pa ndryshime skenarësh, do ishin bërë anëtarë të Byrosë Politike, anëtarë të Komitetit Qendror, ministra. Jo se tash nuk janë bërë të tillë. Por veçse me një emër tjetër.
Kjo dhe asht dhe tradhtia e parë që i asht bërë Shkodrës. Pushteti i sotëm që ka ardhur në pushtet me kreditet antikomuniste, nuk mund t’ia falë Shkodrës se qe vërtet antikomuniste, po ashtu si ai njeriu që ka vjedhë identitetin e tjetrit e tmerrohet me mendimin se mund të ndodhet përballë me origjinalin. Për këtë arsye vite me radhë Shkodra u pa si një bezdisje e vazhdueshme ironikisht si nga ana e socialistëve, ashtu dhe nga që e thërrasin veten demokratë. Partia Demokratike në pushtet kishte dhe vazhdon të ketë një kompleks të dukshëm dhe fare lehtë të lexueshëm ndaj Shkodrës. Edhe për disa arsye të tjera. Identifikimi i Shkodrës me kulturën katolike bën që pretendimi properëndimor i shumë politikanëve të shfaq kimikisht ngjyrat e rreme të pro-evropianizimit perëndimor. Disa vite më parë, në mos u gabofsha, në vitin 1995, pata shkuar në Shkodër për t’i bërë një vizitë kardinalit të parë shqiptar, monsignor Mikel Koliqit, vëllait të shkrimtarit të mirënjohur Ernest Koliqi. Ftesa qe bërë nga monsignor Koliqi. Më priti në çardakun e shtëpisë ku banonte, në një shtëpi të vjetër shkodrane, shtëpia e nipit të vet. Shtëpia jonë është ajo përballë, më tha, me zërin e mekur nga pleqëria dhe vuajtjet. E sheh? Më tregoi se shtëpinë e tyre e kishte zaptuar një oficer i Sigurimit të Shtetit komunist. Shtetit demokrat uzurpimi i padrejtë i një shtëpie private i dukej gjëja më normale në botë. Dhe po kështu dhe pastrehësia (homelessness), e kardinalit të parë shqiptar i dukej gjëja më natyrale. Vetë kardinali kishte hedhur supeve ca batanije gri, nga ato që përdornin kazermat e ushtrisë shqiptare në kohën e miqësisë me Kinën. Por ironia nuk mbaron këtu. Ironia është se pas kësaj pushtetarët demokratë duan të mburren se kanë qenë në audiencë me Papën. Për hir të vjeljeve të krediteve politike, pasi e lënë kardinalin e parë të vdesë në mjerim, vijnë të mbajnë fjalime në Katedralen e Shkodrës me rastin e vdekjes së të ndjerit Ipeshkut Zef Simoni. Dhe pastaj mburren me paturpësi, në kundërshtim me kodet e përulësisë se krishterimit, se kanë patur adhurim të hershëm për Papën Vojtila! E fill pas kësaj ndërsejnë banditët kundër kishës së Laçit. Ndërsa në Muzeun e Krimeve të Komunizmit, të organizuar nga Ministria e Kulturës, ngulin këmbë që persekutimi i klerit katolik të mos përfshihet në Muzeun e Krimeve të Komunizmit, sepse klerikët shqiptarë nuk paskan qenë të persekutuar! Ndoshta për arsyen e thjeshtë, ngaqë nuk kanë marrë pjesë në Lëvizjen e Dhjetorit 1990. Kjo asht dhe tradhtia tjetër që i bahet Shkodrës. Katolicizmit të saj, qytetërimit të saj.
3.
Duke qenë antikomuniste, Shkodra ka votuar për pushtetarët e sotëm, duke mos pas alternativa të tjera. Dhe krerët e demokratëve kanë shfrytëzuar me paturpësi sentimentet e forta antikomuniste të kryeqytetit të Veriut me logjikën cinike se, çfarëdo t’i bëjmë, ajo prapë se prapë voton për ne. Shkodra asht shpërblyer me harresë, me mosmirënjohje (dhe krerët e demokratëve kanë provuar të jenë mosmirënjohësit më të mëdhenjtë të politikës shqiptare), me cinizmin më të paturpshëm (ministrat e pushtetit të sotëm janë ose fëmijë të gjeneralëve komunistë, ose konvertë karrieristë të sahatit të fundit, ose anonimë të mbretërisë së mediokritetit).
Krerët e demokratëve kanë adaptuar në mënyrë të frikshme tiparet dhe huqet e komunistëve të djeshëm. Arrogancën, vetëkënaqësinë, grykësinë, aftësinë për të folë me veshë të mbyllur, dhe sidomos kanë adaptuar aftësinë për të folur fjalë, të cilave nuk u besojnë as ata vetë.
Dhe e gjitha kjo asht një tallje që i bahet Shkodrës, antikomunizmit të përgjakun të saj, përkushtimit të betuar të saj. Asnjë retorikë për NATO-n a për Kombet e Bashkuara, a për Evropën e Bashkuar nuk mund ta përligjë këtë ligësi të kalkuluar aq gjakftohtësisht.
4.
Ditët e fundit shtypi shqiptar ka shkruar dhe ka folur për ndërtimin e një centrali bërthamor buzë Liqenit të Shkodrës. Shkrimet e studiuesit dhe të intelektualit më esëll të ditëve tona, prof. Ardian Ndrecës, janë shkrime shteruese për këtë temë të trishtuar. Ardian Ndreca solli prova të pakundërshtueshme të lojës njëqindfytyrëshe të pushtetarëve në lidhje me ndërtimin e hidrocentralit të vdekjes.
Pa dashur me përsërit Ardian Ndrecën e mirë e të mençur, do përpiqem të shoh ca ngjyra të tjera në lakmusin e ndërtimit të këtij hidrocentrali. Arrogancën p.sh. Atë guximin e jashtëzakonshëm të politikanit shqiptar për të shpërfillur mendimin e të tjerëve. Në çdo vend të qytetëruar ngritja e një hidrocentrali bërthamor do të ishte paraprirë me referendume, me biseda të specialistëve ambientalistë dhe bërthamorë. Te ne ngritja e një hidrocentrali bërthamor përpiqet të bëhet fshehurazi, tinzash. Sepse, thellë-thellë, atavizmi i asaj çka quhej ndërgjegje te politikanët u jep atyre sinjalin e fajësisë.
Çdonjëri nga ne që ka kaluar nga Shkodra drejt Malit të Zi apo nga Pogradeci drejt Maqedonisë asht trishtuar nga kontrasti mes pamjes së anëve të liqenit të Shkodrës a të Prespës këndej kufinit dhe asaj të pjesës malazeze dhe maqedonase. Ne kemi ndërtuar fabrikat e Çimentos, fabrikën e letrës, uzinat e pastrimit të mineraleve buzë liqenit të Shkodrës e të Prespës. Pa folur për shpyllëzimet barbare dhe vandale të mjedisit përreth. Tash këtij shkatërrimi të dy nga liqeneve më të njohur të Ballkanit duam t’u shtojmë edhe një central bërthamor. Nuk asht çudi që Mali i Zi proteston me të madhe kundër këtij projekti të pranuar kaq lehtësisht nga shtetarët shqiptarë. Dhe nuk asht antipatriotike ai realitet ironik kur shumë shkodranë thonë këto ditë se e gjitha shpresa e mosndërtimit të hidrocentralit të vdekjes nuk asht qeveria shqiptare, por tek ajo e Malit të Zi.
5.
Herën e fundit që isha në Shqipëri, pata shkuar në Shkodër. Dhe vërtet qeshë prekë nga përtëritja e Shkodrës, nga ringjallja e saj. Te dugajat e reja, në rrugën përballë Kafesë së Madhe apo Bashkisë, tek kalon pranë gjimnazit 28 Nantori, sheh shenjat e rikthimit të Shkodrës në origjinën e saj të dikurshme. Asnjë qytet i Shqipërisë nuk ma ka dhënë këtë ndjesi të ringjalljes sa Shkodra. Aq sa, duke ecë rrugëve të saj, më dukej se rastësisht do kisha fatin me pa Fishtën, Mjedën, Koliqin, Lazër Shantojën, këtë dashnor të zjarrtë e të pafat të Shkodrës, Migjenin, Gjon Shllakun. Dhe jam larguar nga Shkodra me gjithë mend i ngazëllyem.
Kur qe, dy muaj më vonë lexoj lajmin e hidrocentralit bërthamor që do ndërtohet buzë liqenit të saj. Dhe pjesa pesimiste e ime ka dashtë për një çast me ma mbushë mendjen se Shkodrën e ndjek fataliteti i legjendës së kalasë së saj.
Por ja ku më vjen në ndihmë Lazër Shantoja, i cili më pëshpërit në vesh ato fjalë që ai i pat gjëmueshëm qysh më 19 prill të vitit 1924: “…për hatër të Shqipnis, për hatrin e kombit shqiptar, mos e dënoni Shkodrën, përse Shkodra do rrnojë!…Dinje se Perëndija Shkodrën e ka ba për Shqipni, sikurse ka ba Shqipnin për shqiptar!”